Ëndrra për të fluturuar
«MJETET fluturuese, çdonjëri prej tyre, kanë ilustruar me shpejtësi shprehjen që përdornim kur ishim të rinj: ‘Ajo që ngjitet lart, duhet të zbresë poshtë.’ »
Kështu fillonte një kryeartikull disi skeptik në gazetën The New York Times të 25 majit 1908, më pak se pesë vjet pasi vëllezërit Rait bënë fluturimin e tyre të famshëm në Kiti Hok të Karolinës së Veriut, SHBA. Ende dyshues për suksesin e «mjeteve fluturuese» ultramoderne që po shfaqeshin sipër në qiej, shkrimtari tha mendueshëm se «relativisht pak prej nesh kanë dëshirë për të qëndruar pezull në ajër në një lartësi të madhe nga toka». Ndonëse pranonte se brezat e ardhshëm mund të ishin më të prirë për t’i pranuar udhëtimet ajrore, artikulli pohonte se ‘ëndrra e avionëve të pasagjerëve të distancave të gjata . . . mund të mos bëhej kurrë realitet’.
Sa i gabuar doli se qe ai parashikim! Sot, më shumë se një miliard pasagjerë fluturojnë çdo vit me «avionë pasagjerësh të distancave të gjata». Po, brenda më pak se një shekulli, aeroplanët janë transformuar nga ato shpikje të brishta prej druri dhe pëlhure që ishin në fillim të shekullit, në avionët e sotëm elegantë të pasagjerëve. Këta janë të pajisur me sisteme kompjuterike, udhëtojnë me shpejtësi të madhe dhjetë kilometra mbi tokë dhe në rehatinë e ajrit të kondicionuar, mbartin qindra pasagjerë për në vendmbërritje të skajeve të ndryshme.
Progresi i shpejtë i teknologjisë së aviacionit në shekullin e 20-të ka qenë vërtet i jashtëzakonshëm dhe e ka ndryshuar rrënjësisht botën tonë. Ç’është e vërteta, historia e kërkimit të njeriut për të pushtuar qiejt e ka origjinën shumë përpara këtyre pak dekadave apo edhe pak shekujve të shkuar. Fluturimi i njeriut është një ëndërr që i ka munduar njerëzit qysh prej kohërave të lashta.
[Figura në faqet 2, 3]
Boeing Stratoliner 307, rreth vitit 1940, 33 pasagjerë, shpejtësia maksimale e fluturimit 322 km/orë
[Figura në faqen 3]
Lockheed SR-71 Blackbird, avioni më i shpejtë i botës, me rreth 3.300 km/orë
[Burimi]
Arkivat e firmës Boeing
[Figura në faqen 3]
«Fluturuesi» i vëllezërve Rait, viti 1903
[Burimi]
Foto e Arkivave Kombëtare të SHBA-së