Një letër e veçantë prindërve të tyre
Dy vajza adoleshente në Spanjë u shkruan kohët e fundit një letër mirënjohjeje prindërve të tyre. Këtu janë disa fragmente:
Prindërve tanë të dashur, Pepe dhe Visenta:
Nga t’ia fillojmë? Ka kaq shumë gjëra që duam t’ju themi, saqë është e vështirë t’i shprehim të gjitha me pak fjalë. Duam t’ju falënderojmë për 17 dhe 15 vitet tona të jetës, vite që kanë qenë plot përkujdesje dhe dashuri.
Gjithmonë e kemi ditur cilat ishin mendimet tuaja dhe rregullat tuaja. Disa herë pyesnim veten se përse duhej të ktheheshim në shtëpi në një kohë të caktuar, por tani, pasi vërejmë se si përfunduan të rinjtë e tjerë, të cilëve nuk u kërkohej një orar për të qenë në shtëpi, e kuptojmë se kemi qenë të mbrojtura nga këto rregulla.
Shembulli juaj për të mos humbur asnjëherë një mbledhje të krishterë në Sallën e Mbretërisë, përveçse për arsye të forta, na ka ndihmuar shumë, ashtu siç na ka ndihmuar predikimi me ju të dielave. Të dielave në mëngjes ne nuk kemi nevojë të pyesim nëse do të shkojmë apo jo në shërbim në fushë. E dimë fare mirë se do të shkojmë!
Edukimi ynë ka përfshirë edhe mësimin e mikpritjes. Kaq shumë njerëz kanë ardhur në shtëpinë tonë dhe ju gjithnjë u jepni atyre më të mirat që keni. Ne e kemi parë këtë me sytë tanë të vegjël dhe e kemi kuptuar që kemi prindër të jashtëzakonshëm.
Nuk ka asnjeri që na njeh ose na kupton më mirë sesa ju. Jeni miqtë tanë më të mirë, ata të cilëve u besojmë plotësisht.
Në fund, duam t’ju themi që ju duam. Jeni prindërit tanë dhe ne nuk do t’ju këmbenim me askënd tjetër. Nëse në ndonjë mënyrë do të mund të zgjidhnim nga e para prindërit tanë dhe mënyrën tonë të jetesës, ne, pa asnjë dyshim, do t’ju zgjidhnim juve dhe do të bënim nga e para po këtë jetë.
Me puthje të dashura, vajzat tuaja,
ESMERALDA DHE JOLANDA