BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 10/12 f. 12-14
  • Ballë për ballë me gorillat e fushave

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Ballë për ballë me gorillat e fushave
  • Zgjohuni!—2012
  • Material i ngjashëm
  • Një vizitë te gorillat e malit
    Zgjohuni!—1998
  • Gaboni​—Strehë për botën e gjallë
    Zgjohuni!—2008
  • Ja ç’mësuam nga pigmenjtë
    Zgjohuni!—2003
  • Të qarat e gorillës së vogël
    Zgjohuni!—2008
Shih më tepër
Zgjohuni!—2012
g 10/12 f. 12-14

Ballë për ballë me gorillat e fushave

THELLË në pyllin ekuatorial të shiut në Republikën e Afrikës Qendrore, gjendet një thesar natyror që rrallëkush e ka parë. Ne udhëtuam 12 orë nëpër shtigje të vështira që të arrinim në Parkun Kombëtar të Dzanga-Ndokit, një rezervat natyror i virgjër në skajin jugperëndimor të vendit, midis Kamerunit dhe Republikës së Kongos. Synimi ynë ishte të takonim Makumbën, një gorillë perëndimore e fushave, dhe familjen e Makumbës.

Udhërrëfyesja jonë na tha të rrinim tok e t’i bënim sytë katër se mos shihnim elefantë, pasi do të ecnim nëpër shtigjet ku kalonin ata përditë që të gjenin ushqim. Por, elefantët s’ishin meraku ynë i vetëm. Udhërrëfyesja na paralajmëroi: «Nëse ju turret një gorillë, mos luani vendit dhe shihni përtokë. S’do t’ju bëjë keq, vetëm sa do të bëjë potere. Mos e shihni në sy. Mua për vete më ndihmon thjesht t’i mbaj sytë mbyllur.»

Neve dhe udhërrëfyeses na printe një gjurmues nga popullsia BaAka, që konsiderohet grup pigme për shkak të tipareve fizike dhe shtatit të shkurtër. Një gjurmues indigjen i zoti mund të diktojë praninë e kafshëve më të pakapshme edhe nga pamje, nga aroma e nga tinguj fare të dobët. Rrotull nesh silleshin mizëri insektesh; ishte një lloj grerëze që e tërheq djersa. Ato na e plasën shpirtin ndërsa mundoheshim të ecnim në një hap me gjurmuesin, që çante lehtë mes bimësisë së dendur.

S’kaloi shumë dhe gjurmuesi po na printe përmes një pylli të virgjër, ku rrallë ka shkelur këmba e ndonjë perëndimori. Pastaj, befas, u ndal dhe na bëri me shenjë për nga një vend i gjerë afër shtegut tonë. Atje dukeshin kaçubat e shkelura dhe bari i ngjeshur ku kishin luajtur gorillat e vogla, si edhe degë të thyera e të zhvoshkura​—mbetjet e një mëngjesi të vonë. Teksa vazhdonim para, ethet e pritjes na mbërthenin gjithnjë e më fort.

Pas nja 3 kilometrash, gjurmuesi e ngadalësoi hapin. Që të mos i trembnim gorillat, bënte zhurmë duke kërcitur gjuhën. Diku pranë dëgjonim hungërima të mbytura të ndërprera nga kërcitje degësh. Udhërrëfyesja me ngadalë na bëri shenjë të ecnim para. Me gishtin mbi buzë donte të na thoshte të mos pipëtinim. Na udhëzoi të rrinim kruspull dhe bëri me gisht matanë pemëve. Ja ku e pamë​—nja 8 metra larg nesh qëndronte Makumba.

Pylli që më parë vlonte nga zhurmat, kish rënë në qetësi dhe dëgjonim veç rrahjet e zemrës sonë. Natyrisht, pyetja që na rrihte si çekan në kokë ishte: «A do të sulmojë Makumba?» Makumba ktheu nga ne fytyrën e tij lëkurëtrashë dhe, si na mati me sy shpejt e shpejt, na mirëpriti me një gogësimë. Merret me mend sa të lehtësuar u ndiem.

Ndonëse në gjuhën aka emri Makumba do të thotë «I shpejti», gjatë kohës që ndenjëm bashkë, Makumba vetëm sa shijoi me nge mëngjesin. Aty afër, dy gorilla të vogla mundeshin dhe gudulisnin njëra-tjetrën. Sopoja symadh 10-muajsh lodronte pranë së ëmës, Mopambit, e cila e tërhiqte me delikatesë sa herë që kureshtja e tij e pashuar e çonte më larg nga ç’i arrinte krahu mamasë. Pjesa tjetër e familjes ose u hiqnin gjethet dhe palcën degëve, ose argëtoheshin me njëri-tjetrin. Ndërkaq, na hidhnin ndonjë vështrim e pastaj, kur s’u dukeshim më interesantë, i ktheheshin lojës.

Pas një ore, erdhi momenti të largoheshim. Me sa duket, edhe Makumba ashtu mendonte, se lëshoi një hungërimë, u ngrit mbi krahët e bëshëm dhe u fut në pyll. Brenda disa sekondash, tërë familja u zhduk. Edhe pse kaluam vetëm pak kohë me ato krijesa madhështore, këtë përvojë do ta kujtojmë për vite të tëra.

JETA E GORILLËS

Gorillat e formojnë trupin e tyre të rëndë pak nga pak, filiz pas filizi, degë pas dege dhe gjethe pas gjetheje, siç na shpjegoi udhërrëfyesja. Hanë edhe insekte e fruta të stinës dhe mund të udhëtojnë deri në 4 kilometra në ditë për të gjetur ushqim. Familja mund të flejë përdhe ose mund të ndërtojë strofulla në pemë. Mashkulli dominant quhet kurrizargjend, pasi gëzofi i kurrizit thinjet me kalimin e viteve. Kurrizargjendi zakonisht fle përdhe që të mbrojë familjen e tij.

Për t’i ndihmuar gorillat të mësohen me njerëzit, gjurmuesit i vizitojnë çdo ditë, të paktën për pesë vjet. Pastaj, turistët mund t’i vizitojnë këto gorilla të mësuara. Biletat që paguajnë për të hyrë në park, ndihmojnë të financohen kërkimet dhe mbrojtja e këtij lloji të rrezikuar.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo