BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 11/15 f. 7-9
  • Jeta pa dritën e syve

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Jeta pa dritën e syve
  • Zgjohuni!—2015
  • Material i ngjashëm
  • Ndihmo të verbrit të mësojnë për Jehovain
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—2015
  • Pika që u ndryshojnë jetën të verbërve
    Si përdoren dhurimet e tua
  • Të mprehim aftësitë në shërbim—T’u predikojmë të verbërve
    Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje—2020
  • Sy që hapen përmes lajmit të mirë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
Shih më tepër
Zgjohuni!—2015
g 11/15 f. 7-9
Paki me të shoqin

Jeta pa dritën e syve

«Pjesën më të madhe të shikimit e humba menjëherë pas lindjes, kur më hodhën një ilaç tepër të fortë në sy. Gjatë adoleshencës u verbova fare dhe u zhyta në depresion.»​—Paki, një mesogrua, burri i së cilës është po ashtu i verbër.

VERBËRIA ose problemet e rënda me shikimin mund të kenë shumë shkaqe, ku futen edhe dëmtimet ose sëmundjet. Këto mund të ndikojnë te sytë, te nervat optike ose te truri. Ata që humbin një pjesë të mirë ose të gjithë shikimin, shpesh e mohojnë atë që u ka ndodhur, ndihen të pikëlluar e të frikësuar. Megjithatë shumë të tjerë mësojnë ta përballojnë mjaft mirë dhe bëjnë jetë kuptimplotë.

Dihet që sytë janë burimi parësor që na informon për botën përreth. Prandaj, kur dikush humb shikimin, mbështetet edhe më tepër te shqisat e tjera: të dëgjuarit, të nuhaturit, të prekurit e të shijuarit.

Sipas revistës Scientific American, kërkimet rreth neuroplasticitetit hedhin idenë se truri ka aftësinë «të ndryshojë në bazë të përjetimeve». Artikulli shton: «Dëshmi të bollshme tregojnë se, kur truri nuk merr informacion nga njëra prej shqisave, ai është në gjendje të riorganizohet që të ndihmojë e të aftësojë më tepër shqisat e tjera.» Të shqyrtojmë faktet e mëposhtme.

Të dëgjuarit: Tingujt, që nga zërat e deri te zhurma e hapave, mund të krijojnë një imazh në mendje. Një i verbër me emrin Fernando thotë: «Kam mësuar t’i kujtoj e t’i njoh njerëzit nga zëri, madje edhe nga mënyra si ecin.» Kurse Huani, që po ashtu është i verbër, shprehet: «Për një të verbër, zëri identifikon njeriun.» Dhe, si të gjithë ne, të verbrit i kushtojnë mjaft vëmendje tonit të zërit, që përcjell një sërë emocionesh.

Për një të verbër me vesh të stërvitur, tingulli tregon shumë edhe për ambientin përreth, si drejtimi i trafikut, përmasat e një dhome dhe vendndodhja e pengesave.

Të nuhaturit: Edhe kjo shqisë siguron shumë informacione, dhe tregon më tepër sesa nga vjen një aromë e caktuar. Për shembull, kur një i verbër ecën në njëfarë rruge, shqisa e të nuhaturit e ndihmon të formojë një hartë mendore të kafeneve, restoranteve, tregjeve e kështu me radhë. Natyrisht, tingujt e njohur e bëjnë edhe më të qartë këtë hartë, siç e bëjnë edhe hollësitë e përvetësuara nga shqisa e të prekurit.

Të prekurit: «Gishtat janë sytë e mi»,​—thotë Fransisko. Dhe, me anë të bastunit, këta «sy» mund të shohin edhe më larg. Manaseu, që ka lindur i verbër dhe mësoi ta përdorte bastunin në fëmijëri, thotë: «E di me saktësi ku jam falë shqisave të tjera, falë kujtesës dhe falë formave që dalloj në trotuar me anë të bastunit.»

Dikush lexon revistën Kulla e Rojës në braile

Duke lexuar revistën Kulla e Rojës në braile

Shqisa e të prekurit ndihmon shumë të verbër të lexojnë botimet në braile. Në fakt, në ditët e sotme, ka shumë gjëra në dispozicion që janë pasuri për mendjen dhe për besimin e një të verbri. Përveç botimeve në braile, ka edhe incizime audio e mjete ndihmëse kompjuterike. Me ndihmën e tyre, të verbrit mund të lexojnë Biblën dhe një sërë botimesh ndihmëse për studimin e saj.a

Këto mjete për të mësuar për Perëndinë kanë qenë një burim i pakrahasueshëm lehtësimi e shprese për Pakin e për burrin e saj, që u përmendën në fillim. Ata kanë fituar edhe përkrahjen e një familjeje të madhe besimi, të kongregacionit të krishterë të Dëshmitarëve të Jehovait. Paki thotë: «Tani bëjmë një jetë kuptimplotë e deri diku të pavarur.»

Patjetër që verbëria ka vështirësitë e veta. Por, është e jashtëzakonshme kur sheh çfarë aftësie për t’u përshtatur e për t’u rimëkëmbur ka njeriu tek përballet me sfida të tilla dhe vazhdon ta gëzojë jetën.

a Dëshmitarët e Jehovait botojnë në braile mjete ndihmëse për studimin e Biblës në më tepër se 25 gjuhë.

Edhe pse i verbër, bëj një jetë të bukur

Mark-Antoni dhe qeni i tij udhërrëfyes, Danteja

Mark-Antonio është bashkëshort, baba e bashkëpronar në një biznes. Ai është i verbër që nga lindja. Revista Zgjohuni! e pyeti për disa nga gjërat e bukura e të vështira nga jeta e tij.

Ti drejton një biznes. Si arrin?

Në punë jap informacione me telefon, takoj klientë e furnitorë dhe bëj veprime bankare.

Çfarë bën në kohën e lirë?

Më pëlqen shumë muzika, sepse më qetëson. I bie pianos, ndonëse është e vështirë ngaqë nuk mund t’i lexoj partiturat në braile e njëkohësisht të luaj me të dyja duart. Kur e luaj për herë të parë një pjesë muzikore, e lexoj me dorën e djathtë dhe i bie pianos me të majtën. Pastaj e përsëris këtë, por ndryshoj duart. Kur i mësoj notat përmendsh, luaj me të dyja duart.

Ke pasur ndonjë vështirësi në veçanti?

Tek rritesha, prindërit dhe vëllezërit kujdeseshin shumë për mua dhe s’më trajtonin si të verbër. Kuptohet që si çdo fëmijë rrëzohesha e vritesha, por mësova të bëj shumicën e gjërave që bëjnë edhe ata që shohin. Kur u rrita, e vetmja gjë që më mërziste vërtet ishte fakti që nuk mund të ngisja makinën.

Tani jam bashkëshort e baba dhe kam një familje të dashur, që e mbështes e më mbështet. Edhe biri im i dashur, Davidi, ka trashëguar problemin tim, atrofinë e nervave optike. Por mundohem t’i lë një shembull të mirë. Dua që ai të mësojë se, me durim e vendosmëri, mund të bëjë mjaft gjëra.

Tani ke një qen që të tregon rrugën. Pse e more?

Me Danten, siç quhet qeni im, eci më shpejt e jam më i sigurt. Kur shkoj diku për herë të parë, Loli, gruaja ime që nuk është e verbër, na shoqëron që Dantja dhe unë të mësojmë rrugën. Duhet ta pranoj se në fillim e kisha të vështirë t’ia besoja jetën një qeni. Por Dantja fitoi besimin tim të plotë. Pavarësisht asaj që ndodh përreth, ai përqendrohet te detyra e tij. Por, kur e lëshoj, sillet si çdo qen tjetër.

Si ia bën për ta lexuar Biblën tani që je Dëshmitar i Jehovait?

Kur teknologjia për të verbrit ishte e kufizuar, Loli më lexonte Biblën dhe botimet ndihmëse për studimin e saj. Ajo më ndihmoi goxha. Falë kësaj arrija të mbaja edhe fjalime në mbledhjet e kongregacionit. Kurse sot e lexoj vetë, sepse Biblën dhe botimet e tjera i kam në braile. Hyj edhe te siti i Dëshmitarëve të Jehovait, jw.org, ku shkarkoj incizime audio. Kam edhe një pajisje elektronike në braile falë së cilës mund të lexoj atë që shfaqet në ekran. Kjo pajisje ka disa si gjilpëra me kokë që dalin dhe formojnë shkronjat në braile. Është fantastike!

Një nga privilegjet më të veçanta ka qenë të ndihmoj me tekstin në braile në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Madrid. Ata që përgatisin botimet në braile vlerësojnë çfarëdo sugjerimi nga të verbrit, që të përmirësohet cilësia. Prandaj mund ta them me gjithë zemër se motrat e vëllezërit e krishterë më duan e më vlerësojnë.

Të pëlqen të bashkëpunosh me të tjerët?

Po. Sidomos me familjen dhe bashkëbesimtarët, me të cilët predikoj shtëpi më shtëpi. Motrat e vëllezërit në besim më trajtojnë siç trajtojnë gjithë të tjerët. Madje ndonjëherë harrojnë që jam i verbër.

Dua të shtoj se predikimi më jep mundësi t’u flas të tjerëve për shpresën e vyer të Biblës. Për shembull, tek Isaia 35:5 lexojmë se gjatë qeverisjes së Mbretërisë së Perëndisë «do të hapen sytë e të verbërve». Kur Jezu Krishti ishte në tokë, shëroi të verbrit duke dhënë kështu një pamje paraprake të asaj që do të ndodhë në të ardhmen. (Mateu 15:30, 31) Nga kjo kuptojmë se verbëria është një problem i përkohshëm, ashtu si çdo problem tjetër me shëndetin. Në parajsën tokësore që do të vijë, askush nuk do të thotë ‘jam sëmurë ose i kufizuar’.​—Isaia 33:24; Luka 23:43.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo