Kongregacione që ndërtojnë në dashuri dhe unitet
Ndoshta ke marrë pjesë në ndonjë mbledhje të kongregacionit të mbajtur prej Dëshmitarëve të Jehovait në zonën tënde. Do të kesh parë aty njerëz të çdo shtrese shoqërore, familje, individë, pleq e të rinj. Të gjithë ishin të bashkuar në adhurim dhe me dëshirë për të ndihmuar të tjerët.
Kudo që një numër i madh njerëzish do të veprojë së bashku, nevojitet një lloj mbikëqyrje. Perëndia është një Perëndi i rregullit dhe ky rregull duhet të pasqyrohet nga kongregacioni i popullit të tij. Si në shekullin e parë edhe sot të krishterë të kualifikuar, të pjekur dhe me përvojë të madhe, zgjidhen si pleq apo mbikëqyrës. Këta njerëz mbikëqyrin kongregacionin dhe kujdesen për nevojat e tij frymore. Ndihmohen nga njerëz të tjerë besnikë, të quajtur shërbëtorë ndihmës. Asnjë prej tyre nuk merr rrogë apo përfitime ekonomike të ndonjë lloji tjetër, por të gjithë shërbejnë vullnetarisht, duke i siguruar shpenzimet e tyre, zakonisht nëpërmjet një pune tjetër.—1. Korintasve 14:33, 40; Filipianëve 1:1; 1. Timoteut 3:8, 9.
Si zgjidhen këta njerëz? Duhet të jenë shërbëtorë besnikë të Perëndisë që tregojnë se i përmbushin disa kërkesa të Shkrimeve. Ja disa prej tyre: të jenë «të përkorë në shprehi, me mendje të shëndoshë, të rregullt, mikpritës, të aftë për të mësuar dhe të arsyeshëm; jo të dhënë pas parasë; të udhëheqin familjen e tyre shkëlqyeshëm; të mos jenë njerëz të sapo kthyer në fe; të kenë një dëshmi të mirë prej njerëzve nga jashtë»; «t’i mbahen fortësisht fjalës besnike si art i të mësuarit.»—1. Timoteut 3:1-15; Titit 1:7-9.
Këta njerëz nuk zgjidhen prej kongregacionit me votim, pjesëtarët e të cilit shpeshherë, mund të jenë të krishterë të sapo kthyer në fe. Përkundrazi, rekomandohen nga njerëz të pjekur dhe me përvojë të madhe, pleq që janë në gjendje të dallojnë se deri në ç’pikë njerëzit që merren në shqyrtim i përmbushin kërkesat e Shkrimeve. Pra, emërimet e pleqve dhe të shërbëtorëve ndihmës bëhen nën mbikëqyrjen e Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, duke ndjekur kështu modelin e kongregacionit të krishterë të shekullit të parë.
Këta pleq apo mbikëqyrës nuk përbëjnë një kler; nuk zotërojnë mbi të tjerët. Siç tha Jezui, secili që udhëheq duhet të jetë skllav i të gjithëve. Në kongregacionin e Dëshmitarëve të Jehovait pleqtë janë me të vërtetë shokë vepre për Mbretërinë e Perëndisë. —Mateu 20:26, 27; 23:8-11; Romakëve 12:8; 1. Korintasve 3:5; 4:1, 2; Kolosianëve 4:11; 1. Selanikasve 5:12-14.
Si mbikëqyrës, ata kontrollojnë udhëzimet që u jepen kongregacioneve dhe prijnë aktivitetin e predikimit. Njëra prej detyrave kryesore të kongregacionit është në fakt predikimi i lajmit të mirë të Mbretërisë në gjithë territorin që i është caktuar. Mbikëqyrësit shërbejnë edhe si barinj, duke i vizituar pjesëtarët e kongregacionit për t’i inkurajuar sipas nevojës.—Mateu 24:14; Veprat 1:8; 1. Selanikasve 2:11, 12; 5:14, 15; 2. Timoteut 2:24-26; Hebrenjve 13:17; Jakovi 5:13-16; 1. Pjetrit 5:1-4.
Pleqtë kanë edhe përgjegjësi për të qortuar dhe disiplinuar cilindo që ndjek një sjellje të gabuar dhe përbën rrezik për pastërtinë frymore dhe morale ose unitetin e kongregacionit.—1. Korintasve 5:4, 5, 7, 11-13; Titit 1:9; 2:15; 3:10, 11.
Duke u shoqëruar rregullisht me kongregacionin do të gjesh miqësi të shkëlqyer e do të përfitosh mjaft nga ana frymore.—Psalmet 35:18; 84:10.
• Kush e mbikëqyr aktivitetin e kongregacioneve të veçanta?
• Mbi ç’baza zgjidhen mbikëqyrësit?
• Cilat janë detyrat e tyre?
[Figurat në faqen 13]
Mbikëqyrësit mësojnë në kongregacione, prijnë predikimin shtëpi më shtëpi, inkurajojnë me anë të vizitave baritore dhe japin këshilla e qortojnë kur është e nevojshme