Asamble ku gëzohemi dhe lavdërojmë Perëndinë
Qysh prej fillimeve të dhjetëvjeçarit 1880-90, Studentët Biblikë e kuptuan se, përveç mbajtjes së mbledhjeve lokale, do të ishte e dobishme njohja me shokët e besimit në zona të tjera. Kështu, filluan të mbanin kongrese vjetore të Studentëve Biblikë në të gjithë Shtetet e Bashkuara e më vonë edhe në Kanada. Ishin raste të një freskimi frymor; për ditë të tëra jepej mësim i dendur biblik dhe të gjithë inkurajonin për mrekulli njëri-tjetrin. Një karakteristikë e rregullt e këtyre kongreseve u bë pagëzimi i besimtarëve të rinj. Kongreset u përdorën për të dhënë një dëshmi më të gjerë publike.—Romakëve 1:11, 12.
Sot Dëshmitarët e Jehovait mbajnë asamble të rregullta. Zakonisht, 18 deri 25 kongregacione formojnë atë që quhet një qark, i cili vizitohet apo shërbehet prej një mbikëqyrësi udhëtues. Dy herë në vit mbahen asambletë e qarkut, ku kongregacionet e një qarku apo pjesë të tij mblidhen të shtunën dhe/ose të dielën.
Një herë në vit mbahen në çdo vend kongrese më të mëdha, të quajtura kongrese krahinore, ku me mijëra veta mblidhen bashkë në një vend. Këto kongrese i ndërtojnë frymërisht Dëshmitarët e Jehovait dhe të tjerë që interesohen për aktivitetin e tyre dhe shërbejnë si dëshmi publike.
Programi i këtyre asambleve dhe kongreseve përgatitet prej Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, sipas nevojave të Dëshmitarëve në mbarë botën. Ndahet në fjalime, biseda dhe prezantime reale të quajtura demonstrime, që drejtohen nga mbikëqyrës udhëtues apo Dëshmitarë të kualifikuar të kongregacioneve. Dëshmitarë të ndryshëm tregojnë edhe përvoja se si e përballojnë sfidën e jetesës si të krishterë në një botë të mbrapshtë dhe mbi rezultatet e arritura në shërbim. Në kongreset krahinore një karakteristikë e veçantë janë shfaqjet në formën e dramave biblike apo mjediseve të kohës moderne që tregojnë se si mund t’i bëjnë ballë të krishterët problemeve të tanishme.
Sigurohen edhe të ngrëna e të pira. Kjo lejon qëndrimin në një shoqëri të këndëshme gjatë intervaleve të programit. E gjithë puna e nevojshme për këto ngjarje zhvillohet nga vullnetarë Dëshmitarë të Jehovait. Shpenzimet për pagesat e lokaleve dhe të tjera mbulohen me kontribut vullnetar. Hyrja është e lirë dhe nuk mblidhen para.
Mund të informohesh pranë kongregacionit lokal të Dëshmitarëve të Jehovait mbi datën dhe vendin ku do të mbahen këto grumbullime në zonën tënde. Mund të të japin edhe informata mbi udhëtime të mundshme të organizuara dhe strehimin.
Këto asamble i ndihmojnë Dëshmitarët e Jehovait dhe të gjithë ata që i frekuentojnë që të mos shohin vetëm kongregacionin lokal, por të çmojnë mbarë shoqërinë botërore të vëllezërve.—1. Pjetrit 2:17.
• Çfarë përfitimesh kishin Studentët e parë Biblikë prej kongreseve të tyre?
• Përshkruaj rregullimin dhe programin e asambleve qarkore dhe të kongreseve krahinore?
[Figurat në faqen 18]
Dramë biblike në një kongres krahinor, SH.B.A.
Kongres ndërkombëtar, Poloni
Kongres ndërkombëtar, Argjentinë
Asamble qarkore, Japoni
Kongresistët marrin literaturë biblike, Zvicër
Pagëzim në një kongres ndërkombëtar, Afrika Jugore
Paraqitet një botim i ri biblik, Kanada
Kongresistë që këndojnë së bashku, Spanjë