Babilonia e Madhe
Përkufizimi: Perandoria botërore e fesë së rreme, ku përfshihen të gjitha ato fetë, mësimet dhe zakonet e të cilave nuk janë në përputhje me adhurimin e vërtetë të Jehovait, Perëndisë së vetëm të vërtetë. Pas përmbytjes së ditëve të Noesë, feja e rreme nisi në Babel (që më vonë u bë i njohur si Babilonia). (Zan. 10:8-10; 11:4-9) Me kalimin e kohës, bindjet dhe zakonet fetare babilonase u përhapën në shumë vende. Prandaj, në mënyrë të përshtatshme feja e rreme në tërësi u quajt Babilonia e Madhe.
Cilat prova zbulojnë identitetin e Babilonisë së Madhe, për të cilën flet Zbulesa?
S’ka mundësi të jetë qyteti i lashtë i Babilonisë. Zbulesa u shkrua nga fundi i shekullit të parë të e.s., dhe përshkruan ngjarje që do të shtriheshin deri në ditët tona. «Qyteti [Babilonia] u pushtua nga persët, të udhëhequr nga Kiri i Madh, në vitin 539 P.K. Më vonë, Aleksandri i Madh mendoi ta bënte Babiloninë kryeqytetin e pjesës lindore të perandorisë së tij, por pas vdekjes së tij Babilonia e humbi dalëngadalë rëndësinë.» (The Encyclopedia Americana, 1956, vëll. III, f. 7) Sot, qyteti është një rrënojë e pabanuar.
Në gjuhën simbolike të Zbulesës, për Babiloninë e Madhe flitet si të ishte një ‘qytet i madh’, një ‘mbretëri’, që mbretëron mbi mbretër. (Zbul. 17:18) Meqë paraqitet si një qytet, ajo duhet të përbëhet nga shumë organizata; dhe përderisa përshkruhet si një mbretëri, që përfshin nën sundimin e vet edhe mbretër të tjerë, shtrirja e saj duhet të jetë ndërkombëtare. Për të thuhet se ka marrëdhënie me sundimtarët politikë dhe një ndikim të madh në pasurinë e tregtarëve, ndërkohë që vetë është një element i tretë, që «është bërë vendbanimi i demonëve» dhe përndjekëse e ‘profetëve dhe e të shenjtëve’.—Zbul. 18:2, 9-17, 24.
Babilonia e lashtë ishte jashtëzakonisht e njohur për fenë e saj dhe për kundërshtimin flagrant ndaj Jehovait
Zan. 10:8-10: «Nimrodi . . . ishte një gjahtar i fuqishëm kundër Jehovait. . . . Në fillim mbretëria e tij përfshinte Babelin [i njohur më vonë si Babilonia].»
Dan. 5:22, 23: «Ti [Belshazari, mbreti i Babilonisë] . . . u lartësove përmbi Zotërinë e qiejve. . . . Lëvdove perëndi prej ari, bakri, hekuri, druri dhe guri, që as shohin gjë, as dëgjojnë gjë e as dinë gjë, kurse Perëndisë, në dorë të të cilit është fryma jote dhe të cilit i përkasin gjithë udhët e tua, nuk i dhe lavdi.»
Në një mbishkrim të lashtë kuneiform lexojmë: «Në Babiloni ka gjithsej 53 tempuj të perëndive kryesore, 55 vende adhurimi të Mardukut, 300 vende adhurimi të hyjnive të tokës, 600 të hyjnive të qiellit, 180 altarë të perëndeshës Ishtar, 180 të perëndive Nergal dhe Adad, dhe 12 altarë të tjerë të perëndive të ndryshme.»—Cituar në The Bible as History (Nju-Jork, 1964), U. Keller, f. 301.
«Qytetërimi sumerian [që ishte pjesë e Babilonisë] sundohej nga priftërinjtë; në krye të shtetit ishte lugali (fjalë për fjalë ‘njeri i madh’), përfaqësuesi i perëndive.»—The Encyclopedia Americana (1977), vëll. 3, f. 9.
Prandaj, është e arsyeshme të themi që Babilonia e Madhe, për të cilën flet Zbulesa, është fetare. Përderisa është si një qytet dhe si një perandori, ajo nuk kufizohet vetëm me një grup fetar, por përfshin të gjitha fetë që janë kundër Jehovait, Perëndisë së vërtetë.
Koncepte dhe zakone të fesë së lashtë babilonase janë pjesë e feve kudo në botë
«Egjipti, Persia dhe Greqia e ndien ndikimin e fesë babilonase . . . Doza e fortë e përmbajtjes së elementeve semitike në kultet dhe në mitologjinë e lashtë greke, pranohet tanimë përgjithësisht nga studiuesit si diçka që s’ka nevojë për komente të mëtejshme. Në një masë të madhe, këto elemente semitike janë sidomos babilonase.»—The Religion of Babylonia and Assyria (Boston, 1898), M. Xhestrou i Riu, f. 699, 700.
Perënditë: Kishte perëndi triada, dhe mes hyjnive të tyre kishte nga ato që përfaqësonin forca të ndryshme të natyrës, dhe të tjera që ushtronin një ndikim të veçantë në disa veprimtari të njeriut. (Babylonian and Assyrian Religion, Norman, Okla.; 1963, S. H. Huk, f. 14-40) «Triniteti platonik, i cili në vetvete është thjesht një rirenditje e trinive më të vjetra, që shkojnë prapa deri në kohën e popujve më të hershëm, duket se është triniteti racional filozofik i atributeve që i dhanë jetë tri qenieve ose personave hyjnorë, që mësohen nga kishat e krishtere. . . . Koncepti që ka ky filozof grek [Platoni] për trinitetin hyjnor . . . mund të gjendet në të gjitha fetë e lashta [pagane].»—Nouveau Dictionnaire Universel (Paris, 1865-1870), botuar nga M. Lashatrë, vëll. 2, f. 1467.
Përdorimi i shëmbëlltyrave: «[Në fenë e Mesopotamisë] shëmbëlltyrat kishin një rol qendror nëpër kulte dhe në adhurimin personal, sikurse duket edhe nga përhapja e madhe e kopjeve jocilësore të këtyre shëmbëlltyrave. Në thelb, besohej se hyjnia ishte e pranishme në shëmbëlltyrën e saj, nëse kjo kishte disa karakteristika të veçanta, nëse ishte e pajisur me sende vetjake dhe nëse për të tregohej kujdesi i duhur.»—Ancient Mesopotamia—Portrait of a Dead Civilization (Çikago, 1964), A. L. Openhaim, f. 184.
Koncepti për vdekjen: «As populli, as krerët fetarë [babilonas] nuk e pranuan mundësinë e asgjësimit total të asaj që kishte ardhur një herë në jetë. Vdekja ishte një kalim nga një lloj jete në një tjetër.»—The Religion of Babylonia and Assyria, f. 556.
Pozita e priftërisë: «Dallimi mes priftërinjve dhe laikëve është karakteristikë e kësaj feje [babilonase].»—Encyclopædia Britannica (1948), vëll. 2, f. 861.
Praktikimi i astrologjisë, fallit, magjisë dhe shtrigërisë: Historiani A. H. Seisi shkroi: «[Në] fenë e Babilonisë së lashtë . . . mendohej se çdo objekt dhe forcë e natyrës kishte një zi ose shpirt, i cili mund të kontrollohej nga çyshtjet magjike të Shamanit, priftit-shtrigan.» (The History of Nations, Nju-Jork, 1928, vëll. I, f. 96.) «Kaldeasit [babilonasit] përparuan shumë në studimin e astronomisë, falë përpjekjeve për të zbuluar të ardhmen nëpërmjet yjeve. Këtë art ne e quajmë ‘astrologji’.»—The Dawn of Civilization and Life in the Ancient East (Çikago, 1938), R. M. Engberg, f. 230.
Babilonia e Madhe është si një prostitutë, që jeton në luks të shfrenuar
Zbulesa 17:1-5 thotë: «‘Eja dhe do të të tregoj gjykimin e prostitutës së madhe, që rri ulur mbi shumë ujëra [popuj]. Me të u kurvëruan mbretërit [sundimtarët politikë] e tokës, kurse ata që banojnë në tokë, u dehën me verën e kurvërimit të saj.’ . . . Mbi ballin e saj ishte shkruar një emër, një mister: ‘Babilonia e Madhe, nëna e prostitutave dhe e gjërave të neveritshme të tokës.’» Zbulesa 18:7 shton se «ajo i dha lavdi vetes dhe jetoi në luks të shfrenuar».
A s’është e vërtetë që organizatat fetare më të mëdha e kanë bërë zakon të lidhen me sundimtarët politikë, që të kenë pushtet dhe përfitime materiale, edhe pse kjo u ka shkaktuar vuajtje njerëzve të thjeshtë? Po ashtu, a s’është e vërtetë se kleri më i lartë i këtyre feve jeton në luks, ndërkohë që shumë nga njerëzit, të cilëve ata duhet t’u shërbejnë, janë në skamje?
Përse fetë që thonë se janë të krishtere mund të konsiderohen me të drejtë si pjesë e Babilonisë së Madhe, bashkë me ato fe që s’e njohin fare Perëndinë e Biblës?
Jak. 4:4: «O kurorëshkelëse, a nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Prandaj, kush dëshiron të jetë mik i botës, bëhet armik i Perëndisë.» (Prandaj, ndonëse e dinë çfarë thotë Bibla për Perëndinë, këto fe bëhen armike të Perëndisë, nëse zgjedhin miqësinë me botën, duke imituar udhët e saj.)
2 Kor. 4:4; 11:14, 15: «Perëndia i kësaj bote ua ka verbuar mendjen [jobesimtarëve], që ndriçimi i lajmit të mirë të lavdishëm për Krishtin, i cili është shëmbëlltyra e Perëndisë, të mos depërtojë.» «Satanai vazhdon të shndërrohet në engjëll drite. Nuk është, pra, ndonjë gjë e madhe nëse edhe shërbëtorët e tij vazhdojnë të shndërrohen në shërbëtorë drejtësie. Por fundi i tyre do të jetë sipas veprave të tyre.» (Kështu, të gjithë ata që nuk e adhurojnë Perëndinë e vërtetë sipas mënyrës që Ai ka caktuar, faktikisht po i japin nderim kryekundërshtarit të Jehovait, vetë Satana Djallit, qoftë edhe nëse thonë se janë të krishterë. Shih edhe 1 Korintasve 10:20.)
Mat. 7:21-23: «Jo kushdo që më thotë [Jezu Krishtit]: ‘Zotëri, Zotëri’ do të hyjë në mbretërinë e qiejve, por do të hyjë ai që bën vullnetin e Atit tim që është në qiej. Shumë do të më thonë atë ditë: ‘Zotëri, Zotëri, a nuk profetizuam në emrin tënd, a nuk dëbuam demonë në emrin tënd dhe a nuk kryem shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?’ E megjithatë do t’u them atyre: ‘Kurrë nuk ju kam njohur. Largohuni nga unë, ju që bëni paligjshmëri!’»
Përse është urgjente të dalim pa vonesë nga Babilonia e Madhe?
Zbul. 18:4: «Dilni prej saj, o populli im, nëse nuk doni të merrni pjesë me të në mëkatet e saj dhe nëse nuk doni të merrni nga plagët e saj.»
Zbul. 18:21: «Një engjëll i fortë ngriti një gur që ngjante si gur mulliri, dhe e hodhi në det, duke thënë: ‘Ja, po kaq vrullshëm, do të flaket tej Babilonia, qyteti i madh, dhe s’do të gjendet më kurrë.’»
Luka 21:36: «Rrini zgjuar dhe bëni përgjërime gjithë kohën, që t’ia dilni mbanë të shpëtoni nga të gjitha këto gjëra që do të ndodhin dhe të qëndroni para Birit të njeriut.»
Ç’do të ndodhë me njerëzit që nuk e njohën të vërtetën biblike, por jetuan dhe vdiqën si pjesë e Babilonisë së Madhe?
Vep. 17:30: «Perëndia i mbylli sytë para kohëve të një padijeje të tillë, por tani po i thotë njerëzisë që të pendohen të gjithë kudo qofshin.»
Vep. 24:15: «Do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët.» (Se cilët nga «të padrejtët» do të ringjallen, këtë do ta vendosë Perëndia.)
Jobi 34:12: «Po, kështu është, Perëndia nuk vepron me ligësi, dhe i Plotfuqishmi nuk e shtrembëron drejtësinë.»