Mesha
Përkufizimi: Sipas Kongregacionit të Shenjtë të Riteve të Kishës Katolike, Mesha është: «—Një flijim gjatë të cilit përjetësohet Flijimi i Kryqit; —një përkujtim i vdekjes dhe i ringjalljes së Zotërisë, i cili tha ‘bëjeni këtë në kujtimin tim’ (Luka 22:19); —një gosti e shenjtë gjatë së cilës, nëpërmjet pjesëmarrjes së Trupit dhe të Gjakut të Zotërisë, Populli i Perëndisë nxjerr dobi nga Flijimi i Pashkës, përtërin Besëlidhjen e Re që Perëndia bëri me njeriun një herë e përgjithmonë me anë të Gjakut të Krishtit, dhe, në besim e në shpresë, tipizon dhe jep një pamje paraprake të gostisë eskatologjike në mbretërinë e Atit, duke shpallur vdekjen e Zotërisë ‘deri në ardhjen e Tij’.» (Eucharisticum Mysterium, 25 maj 1967) Sipas Kishës Katolike, duke vepruar kështu, ata ndjekin atë që bëri Jezu Krishti në Darkën e Fundit.
A shndërrohen vërtet buka dhe vera në trupin dhe gjakun e Krishtit?
Në një «Shpallje solemne të besimit» më 30 qershor 1968, papa Pavli VI deklaroi: «Besojmë se, ashtu si buka dhe vera, të shenjtëruara nga Zotëria në Darkën e Fundit, u shndërruan në Trupin dhe Gjakun e Tij të cilët duhej të paraqiteshin për ne në kryq, po kështu edhe buka dhe vera, të shenjtëruara nga prifti, shndërrohen në Trupin dhe Gjakun e Krishtit që është ulur me lavdi në fron në qiell. Dhe ne besojmë se prania e mistershme e Zotërisë, nën pamjen e këtyre elementeve që na duken po njësoj si përpara Shenjtërimit, është një prani e vërtetë, reale dhe substanciale. . . . Ky shndërrim i mistershëm në mënyrë mjaft të përshtatshme është quajtur nga Kisha transubstancim.» (Official Catholic Teachings—Christ Our Lord, Uillmington, N.K.; 1978, Amanda G. Uatlington, f. 411) A e mbështetin Shkrimet e Shenjta këtë besim?
Çfarë donte të thoshte Jezui kur tha: «Ky është trupi im» dhe «Ky është gjaku im»?
Mat. 26:26-29, DSF: «Ndërsa po hanin, Jezusi mori bukën, i dha lavdi Hyjit, e theu, ua dha nxënësve të vet e tha: ‘Merrni, hani: ky është korpi [«trupi», Dio] im!’ Pastaj mori kelkun [«kupën», Dio], u falënderua, ua dha e tha: ‘Pini prej tij të gjithë, sepse ky është gjaku im – gjaku i Besëlidhjes – që do të derdhet për të gjithë në shpërblim të mëkateve. Unë po ju them: qysh tash nuk do të pi më kësi fryti hardhie deri atë ditë, kur, bashkë me ju, do të pi – një verë të re – në Mbretërinë e Atit tim.’»
Në lidhje me shprehjet «ky është trupi im» dhe «ky është gjaku im», vlen të përmenden këto versione: përkthimi Mo thotë: «Kjo përfaqëson trupin tim», «kjo përfaqëson gjakun tim». (Kursivi është yni.) Po njësoj thotë edhe përkthimi BR. Këto përkthime përputhen me atë që thuhet në kontekst, në vargun 29, në versione të ndryshme katolike. Përkthimi DSF thotë: «Qysh tash nuk do të pi më kësi fryti hardhie deri atë ditë, kur, bashkë me ju, do të pi – një verë të re – në Mbretërinë e Atit tim.» (Kursivi është yni.) Edhe përkthimi Dio tregon se Jezui e quajti atë që ishte në kupë «ky fryt i hardhisë» dhe kjo, pasi kishte thënë «ky është gjaku im».
Le të shqyrtojmë shprehjet «ky është trupi im» dhe «ky është gjaku im» nën dritën e rasteve të tjera kur përdoret një gjuhë simbolike në Shkrime. Jezui tha gjithashtu: «Unë jam drita e botës», «unë jam dera e dhenve», «unë jam hardhia e vërtetë». (Gjoni 8:12; 10:7; 15:1, DSF) Asnjë nga këto shprehje nuk nënkuptonte një shndërrim të mrekullueshëm, apo jo?
Te 1 Korintasve 11:25 (DSF), apostulli Pavël shkroi për Darkën e Fundit dhe shprehu të njëjtat ide me fjalë paksa të ndryshme. Në vend që të citonte fjalët e Jezuit që tha për kupën ose kelkun: «Pini prej tij të gjithë, sepse ky është gjaku im – gjaku i Besëlidhjes», Pavli u shpreh me këto fjalë: «Ky Kelk është Besëlidhja e re në Gjakun tim.» Sigurisht kjo nuk do të thoshte se kelku ishte shndërruar me anë të ndonjë mrekullie në një besëlidhje të re. A nuk është më e arsyeshme të nxjerrim përfundimin se ajo që ishte në kupë, përfaqësonte gjakun e Jezuit me anë të të cilit shpallej e vlefshme besëlidhja e re?
Çfarë donte të thoshte Jezui me pohimin te Gjoni 6:53-57?
«Jezusi u tha: ‘Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse nuk e hani korpin [«mishin», Dio] e Birit të njeriut e nuk e pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete! Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim ka jetën e pasosur. Unë atë do ta ringjall në ditën e fundit. Sepse korpi im është ushqim i vërtetë e gjaku im është pije e vërtetë. Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim ai mbetet në mua dhe unë në të. Sikurse mua më dërgoi Ati i gjallë dhe unë jetoj për Atin, po ashtu edhe ai që ha mua do të jetojë për mua.’»—Gjoni 6:53-57, DSF.
A duhet kuptuar kjo sikur në kuptimin e mirëfilltë duhej të hanin mishin e Jezuit e të pinin gjakun e tij? Po të ishte kështu, Jezui do të kishte nxitur një shkelje të Ligjit që Perëndia i kishte dhënë Izraelit me anë të Moisiut. Ai Ligj ndalonte ngrënien e çfarëdolloj gjaku. (Lev. 17:10-12) Në vend që të nxiste një gjë të tillë, Jezui foli hapur kundër shkeljes së cilësdo kërkese të Ligjit. (Mat. 5:17-19) Pra, Jezui kishte ndër mend që të hanin e të pinin në kuptimin e figurshëm, duke treguar besim në vlerën e flijimit të tij të përsosur njerëzor.—Krahaso Gjonin 3:16; 4:14; 6:35, 40.
A i urdhëroi Jezui dishepujt që të mos bënin thjesht një përkujtim të vdekjes së tij, apo përkundrazi, një rit që, në të vërtetë, do të përsëriste këtë flijim?
Një botim për Këshillin e Dytë të Vatikanit, thotë: «Darkën e Fundit, natën kur e tradhtuan, Shpëtimtari ynë themeloi Flijimin eukaristik të Trupit dhe të Gjakut të Tij. Ai e bëri këtë për të përjetësuar flijimin e Kryqit . . . »—The Documents of Vatican II (Nju-Jork, 1966), botuar nga U. M. Abot, S.J., f. 154; kursivi është yni.
Enciklopedia katolike thotë: «Kisha ka si qëllim që Mesha të konsiderohet tamam si një ‘flijim i vërtetë’. . . . Por burimi kryesor i doktrinës sonë është tradita, e cila, që nga kohët më të hershme, ka shpallur vlerën përgjëruese të Flijimit të Meshës.»—The Catholic Encyclopedia (1913), vëll. X, f. 6, 17.
Jezui tha: «Bëni këtë në përkujtimin tim!» (Luka 22:19; 1 Kor. 11:24, DSF) Te Luka 22:19 edhe përkthimi Dio thotë: «Bëni këtë në përkujtimin tim.» Kurse përkthimi Kristoforidhi thotë: «Këtë bëni për të përmëndurë mua.» Jezui nuk tha se ajo që bëri Darkën e Fundit, ishte një flijim i vetvetes ose që dishepujt duhej të përsëritnin flijimin e tij.
Hebr. 9:25-28, DSF: «Jo veç, që shumë herë ta flijojë vetveten sikurse kryeprifti [jude] çdo vit hyn në Shenjtëroren e Shenjtëroreve me gjak të huaj; – përndryshe i ishte dashur të pësojë shumë herë qysh prej krijimit të rruzullit. Por tani u dëftua një herë të vetme . . . për ta asgjësuar mëkatin me anën e flijimit të vetvetes. Dhe, sikurse njerëzve u duhet një herë të vdesin – e pastaj vjen gjyqi – kështu edhe Krishti: u flijua vetëm një herë.» (Kursivi është yni.)
A është ky «një mister i pakuptueshëm»?
Bibla flet për mistere ose sekrete të shenjta të Perëndisë. Por asnjë prej tyre nuk bie në kundërshtim me të vërtetat biblike të thëna qartë. Për ata që vënë traditat e tyre përpara Shkrimeve, Jezui tha: «Shtiracakë! Bukur parafoli për ju Isaia, kur tha: ‘Ky popull më nderon me buzë e zemra e tij është larg meje. Nderimi që ma japin është i kotë sepse si mësim të Zotit mësojnë urdhra të qitur prej njerëzve.’»—Mat. 15:7-9, DSF.
A kishte ndër mend Jezui që ky përkujtim të mbahej mbase çdo ditë a çdo javë?
Një botim thotë se në «detyrimet e veçanta të të krishterëve katolikë» përfshihen «pjesëmarrja në Meshë çdo të diel dhe çdo ditë feste». (Basic Catechism, Boston, 1980, f. 21) Një botim tjetër thotë: «Në fakt, besimtarët inkurajohen të marrin pjesë në Meshë dhe të marrin Kungimin shpesh, madje çdo ditë.»—The Teaching of Christ—A Catholic Catechism for Adults, Abridged Edition (Hantington, Ind.; 1979), f. 281.
A tregojnë të gjitha referimet biblike për ‘ndarjen e bukës’, se në ato raste po kujtohej vdekja e Krishtit? (Vep. 2:42, 46; 20:7, DSF) Jezui ‘ndau bukën’ edhe kur ushqimi shpërndahej gjatë vakteve përpara Darkës së Fundit. (Mar. 6:41; 8:6) Buka që përdornin judenjtë në atë kohë, nuk ishte si kjo me të cilën janë mësuar shumë njerëz sot. Kur hanin, ata shpesh e ndanin ose e thyenin në copa bukën.
Jezui nuk tha në mënyrë specifike se sa shpesh duhej mbajtur Përkujtimi i vdekjes së tij. Megjithatë, e themeloi atë ditën e Pashkës hebraike, e cila u zëvendësua nga dishepujt e tij me Përkujtimin e vdekjes së Krishtit. Pashka ishte një kremtim i përvitshëm, që mbahej më 14 nisan. Po kështu, edhe festa hebraike e kuleçve të ndormë, festa e javëve (festa e Ditës së Pesëdhjetë), festa e kasolleve ose e mbledhjes dhe dita e shlyerjes, mbaheshin të gjitha një herë në vit.
A u sjell lehtësim shpirtrave në purgator mbajtja e meshës?
Një botim katolik thotë: «Fjala ‘purgator’ nuk gjendet në Bibël dhe aty nuk mësohet hapur doktrina e purgatorit. . . . Në veprat e Etërve ka shumë referime jo vetëm për ekzistencën e purgatorit, por edhe se besimtarët e ndjerë mund të ndihmohen me anë të lutjeve të të gjallëve, sidomos me anë të Flijimit të Meshës.»—The Teaching of Christ—A Catholic Catechism for Adults, f. 347, 348.
Në lidhje me gjendjen e të vdekurve Shkrimet e Shenjta thonë: «Të gjallët e dinë se do të vdesin, kurse të vdekurit s’dinë më asgjë.» (Kishtari [Eklisiastiu] 9:5, DSF) «Shpirti [«shpirti», BR; «njeriu», DSF] që mëkaton ka për të vdekur.» (Ezek. 18:4, Dio) (Shih edhe faqet 427-429, te tema «Vdekja».)