Organizata
Përkufizimi: Bashkim ose grup njerëzish, përpjekjet e të cilëve bashkërendohen për një vepër a qëllim të caktuar. Pjesëtarët e një organizate janë të bashkuar nga rregulla administrative dhe nga disa norma ose kërkesa. Personat që janë dëshmitarë të Jehovait të kushtuar e të pagëzuar, nuk hyjnë në organizatën e Jehovait sepse kanë lindur në një familje të tillë ose me detyrim, por si rezultat i një zgjedhjeje personale. Ata janë tërhequr drejt organizatës së tij tokësore falë mësimeve dhe praktikave të saj dhe ngaqë duan të marrin pjesë në veprën që po kryen ajo.
A ka në të vërtetë Jehovai një organizatë këtu në tokë?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, shqyrtoni këto argumente:
A janë të organizuara krijesat qiellore të Perëndisë, pra engjëjt?
Dan. 7:9, 10: «Pashë deri kur u vunë frone dhe i Lashti i Ditëve u ul. Rrobat i kishte të bardha si bora dhe flokët e kokës si lesh i pastër. Froni i tij ishte si flakë zjarri dhe rrotat i kishte si një zjarr përvëlues. Një rrëke zjarri rridhte dhe dilte nga prania e tij. Një mijë mijëra i shërbenin dhe dhjetë mijë herë dhjetë mijë qëndronin pikërisht përpara tij. Trupi Gjykues zuri vend dhe u hapën librat.»
Psal. 103:20, 21: «Bekoni Jehovain, ju, o engjëjt e tij shumë të fuqishëm, që përmbushni fjalën e tij, dhe u bindeni fjalëve që thotë ai. Bekoni Jehovain, të gjitha ju ushtritë e tij dhe shërbëtorët e tij, që kryeni vullnetin e tij.» (‘Një ushtri’ është një grup i organizuar.)
Si u jepte udhëzime Perëndia shërbëtorëve të tij në tokë në kohët e kaluara?
Kur adhuruesit e Jehovait ishin të paktë në numër, ai udhëzonte krerët e familjeve, si Noenë, Abrahamin, etj, dhe ata vepronin për familjet e tyre si zëdhënës të Jehovait. (Zan. 7:1, 7; 12:1-5) Kur Jehovai i çliroi izraelitët nga Egjipti, u dha udhëzime nëpërmjet Moisiut. (Dal. 3:10) Në malin Sinai, Perëndia e organizoi popullin në një komb, duke u dhënë ligje dhe rregulla që drejtonin adhurimin e tyre dhe marrëdhëniet me njëri-tjetrin. (Dal. 24:12) Ai vendosi një priftëri që të merrte drejtimin në çështjet e adhurimit dhe t’i mësonte popullit kërkesat e Jehovait; disa herë nxori profetë për t’i dhënë popullit nxitje dhe paralajmërime. (Ligj. 33:8, 10; Jer. 7:24, 25) Pra, ndonëse Jehovai i dëgjonte lutjet e adhuruesve si individë, ai jepte udhëzime për ta nëpërmjet masave organizative.
Ndërsa po afrohej koha kur Jehovai do të fillonte të bashkonte rreth vetes adhuruesit e vërtetë nëpërmjet Jezu Krishtit, Ai e dërgoi në tokë Birin që të vepronte si zëdhënësi i Tij. (Hebr. 1:1, 2) Pastaj, me derdhjen e frymës së shenjtë në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., u formua kongregacioni i krishterë. Pasi u kthye në qiell Jezui, ky kongregacion u bë mjeti i Jehovait për t’u dhënë udhëzime individëve të krishterë dhe për të bashkërenduar përpjekjet e tyre. Në vende të ndryshme në kongregacione kishte mbikëqyrës që merrnin drejtimin, ndërsa një trup udhëheqës qendror merrte vendime të nevojshme dhe ndihmonte për të bashkërenduar veprimtaritë e kongregacioneve. Është e qartë pra, se Jehovai kishte formuar në tokë një organizatë të përbërë nga të krishterë të vërtetë.—Vep. 14:23; 16:4, 5; Gal. 2:7-10.
A tregojnë veprat e krijimit fizik të Jehovait se ai është një Perëndi i organizimit?
Isa. 40:26: «Ngrini sytë lart dhe shikoni. Kush i krijoi këto gjëra? Ai që e nxjerr ushtrinë e yjeve të llogaritur me numër dhe e thërret secilin me emër. Falë energjisë së tij dinamike dhe fuqisë së tij të madhe, nuk mungon asnjë prej tyre.» (Yjet janë të grupuara në galaktika dhe lëvizin sipas një raporti të përcaktuar me njëri-tjetrin, megjithëse karakteristikat e çdo ylli ndryshojnë nga njëri-tjetri. Planetët lëvizin sipas një kohëzgjatjeje të saktë, në orbita të përcaktuara. Edhe elektronet që gjenden në çdo atom të çdo elementi, kanë orbitat e tyre. Dhe struktura e të gjithë materies është sipas modeleve matematikore kaq koherente, saqë shkencëtarët mund të parashikojnë ekzistencën e disa elementeve përpara se t’i zbulojnë konkretisht. E gjithë kjo dëshmon për një organizim të jashtëzakonshëm.)
A tregon Bibla se të krishterët e vërtetë do të ishin një popull i organizuar?
Mat. 24:14; 28:19, 20: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.» ‘Prandaj, shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, duke i pagëzuar dhe mësojini ata.’ (Si do të mund të kryhej kjo vepër pa pasur një organizatë? Kur Jezui i stërviti dishepujt e tij të parë për këtë vepër, Ai nuk i tha secilit që të shkonte ku të donte dhe të fliste me të tjerët për besimin e tij si t’i pëlqente. Ai i stërviti, u dha udhëzime dhe i dërgoi në një mënyrë të organizuar. Shih Lukën 8:1; 9:1-6; 10:1-16.)
Hebr. 10:24, 25: «Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera, pa braktisur mbledhjet tona, siç e kanë zakon disa, por duke inkurajuar njëri-tjetrin e aq më tepër tani, që e shihni se dita po afrohet.» (Mirëpo, ku do t’i drejtonte një person të interesuarit që ata t’i bindeshin këtij urdhri, nëse nuk do të kishte një organizatë që mbante mbledhje rregullisht ku ata të mund të shkonin?)
1 Kor. 14:33, 40: «Perëndia nuk është një Perëndi i çrregullimit, por i paqes. . . . Çdo gjë le të ndodhë si ka hije dhe me rregull.» (Apostulli Pavël po flet këtu për procedurën e rregullt që duhet ndjekur në mbledhjet e kongregacionit. Zbatimi i kësaj këshille të frymëzuar kërkon që të pranojmë nevojën për organizim.)
1 Pjet. 2:9, 17: «Kurse ju jeni ‘racë e zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë, popull për zotërim të veçantë, që të shpallni kudo virtytet’ e atij që ju thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme. . . . Kini dashuri për gjithë vëllazërinë.» (Një bashkësi me njerëz që përpiqen të kryejnë një vepër të caktuar, është një organizatë.)
A janë shërbëtorët besnikë të Perëndisë thjesht individë të shpërndarë në fetë e ndryshme të të ashtuquajturit krishterim?
2 Kor. 6:15-18: «Ç’pjesë ka një besimtar me një jobesimtar? . . . ‘Prandaj, dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni,—thotë Jehovai,—dhe mjaft e prekët gjënë e papastër’, ‘dhe unë do t’ju pranoj’. ‘Unë do të jem për ju një atë dhe ju do të jeni për mua bij e bija,—thotë Jehovai, i Plotfuqishmi.’» (A është vërtet dikush një shërbëtor besnik i Perëndisë, në rast se vazhdon të marrë pjesë në adhurim me ata persona, mënyra e jetesës e të cilëve tregon se janë jobesimtarë? Shih temën «Babilonia e Madhe».)
1 Kor. 1:10: «Tani ju nxit, vëllezër, nëpërmjet emrit të Zotërisë tonë Jezu Krisht, të flitni të gjithë në harmoni e mes jush të mos ketë përçarje, por të jeni të bashkuar si duhet në të njëjtën mendje dhe në të njëjtën vijë mendimi.» (Një unitet i tillë nuk ekziston në fetë e ndryshme të të ashtuquajturit krishterim.)
Gjoni 10:16: «Kam edhe dele të tjera, që nuk janë të kësaj vathe. Edhe ato do t’i sjell, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim e do të bëhen një kope e vetme me një bari të vetëm.» (Meqë Jezui do t’i sillte këta shërbëtorë në ‘një kope të vetme’, a nuk është e qartë se ata s’mund të jenë të shpërndarë në fetë e të ashtuquajturit krishterim?)
Si mund të identifikohet organizata e dukshme e Jehovait në ditët e sotme?
(1) Ajo e lartëson vërtet Jehovain si i vetmi Perëndi i vërtetë, duke madhëruar emrin e tij.—Mat. 4:10; Gjoni 17:3.
(2) Pranon plotësisht rolin jetësor të Jezu Krishtit në qëllimin e Jehovait si shfajësuesi i sovranitetit të Jehovait, Kryepërfaqësuesi i jetës, kreu i kongregacionit të krishterë, Mbreti Mesianik në fuqi.—Zbul. 19:11-13; 12:10; Vep. 5:31; Efes. 1:22, 23.
(3) I përmbahet ngushtësisht Fjalës së frymëzuar të Perëndisë, duke i bazuar tërë mësimet dhe normat e sjelljes tek ajo.—2 Tim. 3:16, 17.
(4) Qëndron e ndarë nga bota.—Jak. 1:27; 4:4.
(5) Mban një nivel të lartë pastërtie morale midis pjesëtarëve të saj, sepse vetë Jehovai është i shenjtë.—1 Pjet. 1:15, 16; 1 Kor. 5:9-13.
(6) I përkushtohet kryesisht bërjes së veprës që paratha Bibla për ditët e sotme, pra, predikimit të lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë në gjithë botën.—Mat. 24:14.
(7) Pavarësisht nga papërsosmëria njerëzore, pjesëtarët e saj kultivojnë dhe shfaqin frytin e frymës së Perëndisë, pra: dashurinë, gëzimin, paqen, shpirtgjerësinë, mirëdashjen, mirësinë, besimin, butësinë, vetëkontrollin, dhe e bëjnë këtë në një masë të tillë që i dallon nga bota në përgjithësi.—Gal. 5:22, 23; Gjoni 13:35.
Si mund të tregojmë respekt për organizatën e Jehovait
1 Kor. 10:31: «Gjithçka bëjeni për lavdi të Perëndisë.»
Hebr. 13:17: «Jini të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin mes jush, dhe jini të nënshtruar, sepse rrinë zgjuar për shpirtrat tuaj si ata që do të japin llogari.»
Jak. 1:22: «Bëhuni zbatues të fjalës dhe jo vetëm dëgjues.»
Titit 2:11, 12: «Dashamirësia e pamerituar e Perëndisë, që i sjell shpëtim çdo lloj njeriu, është shfaqur e na ka mësuar të hedhim poshtë paperëndishmërinë dhe dëshirat e botës e të jetojmë me mendje të shëndoshë, drejtësi dhe përkushtim hyjnor.»
1 Pjet. 2:17: «Kini dashuri për gjithë vëllazërinë.»