Fryma e botës
Përkufizimi: Forca nxitëse që vepron te shoqëria njerëzore, e përbërë nga ata që nuk i shërbejnë Perëndisë Jehova, dhe i bën të flasin e të veprojnë sipas një modeli karakteristik. Ndonëse njerëzit kanë shije personale, ata që shfaqin frymën e botës, tregojnë se në thelb ndjekin një mënyrë të vepruari dhe kanë qëndrime e synime mjaft të përhapura në botën e sotme, sundimtari dhe perëndia i së cilës është Satanai.
Pse është gjë serioze të ndotesh nga fryma e botës?
1 Gjon. 5:19: «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.» (Satanai ka ushqyer një frymë që mbizotëron në mendimet dhe në aktivitetet e asaj pjese të njerëzimit që s’janë shërbëtorë të miratuar të Jehovait. Është një frymë egoizmi dhe krenarie, aq e përhapur, sa edhe ajri që thithim. Na duhet të tregojmë shumë kujdes, që të mos e lejojmë këtë frymë t’i japë formë jetës sonë e t’i nënshtrohemi kështu fuqisë së Satanait.)
Zbul. 12:9: «U hodh poshtë dragoi i madh, gjarpri i hershëm, që quhet Djall dhe Satana, i cili mashtron gjithë tokën e banuar. U hodh poshtë në tokë ai bashkë me engjëjt e tij.» (Qëkurse ndodhi kjo, pas lindjes së Mbretërisë më 1914, ndikimi i Satanait dhe i demonëve të tij te njerëzimi është shtuar mjaft. Fryma e tij i ka nxitur njerëzit të veprojnë me gjithnjë e më shumë egoizëm dhe dhunë. Sidomos ata që përpiqen t’i shërbejnë Jehovait, janë nën presion të madh për të qenë pjesë e botës, për të bërë si bëjnë të tjerët dhe për ta braktisur adhurimin e vërtetë.)
Cilat janë disa karakteristika të frymës së botës, nga të cilat duhet të ruhemi?
1 Kor. 2:12: «E pra, ne nuk morëm frymën e botës, por frymën që është nga Perëndia, që të njohim gjërat që Perëndia na i ka dhënë me dashamirësi.» (Nëse në mendimet dhe dëshirat e një njeriu zë rrënjë fryma e botës, kjo do të duket shpejt nga disa veprime që pasqyrojnë atë frymë. Pra, për t’u çliruar nga fryma e botës, nuk mjafton të shmangen veprimtaritë jo të krishtere ose teprimet. Duhet shkuar në rrënjë të problemit, duke kultivuar qëndrime që pasqyrojnë frymën e Perëndisë dhe dashuri me gjithë zemër për udhët e tij. Ta mbajmë këtë gjë në mend, ndërsa shqyrtojmë mënyrat e mëposhtme se si shfaqet fryma e botës.)
Kur dikush bën ç’të dojë, pa marrë parasysh vullnetin e Perëndisë
Satanai e nxiti Evën që të vendoste vetë se çfarë ishte e mirë dhe çfarë e keqe. (Zan. 3:3-5; krahasoje me Proverbat 3:5, 6.) Shumë veta që veprojnë ashtu si Eva, nuk e dinë cili është vullneti i Perëndisë për njerëzimin, e as u intereson ta marrin vesh. Zakonisht ata shprehen se ‘bëjnë si u do qejfi’. Kush i njeh kërkesat e Perëndisë dhe përpiqet të veprojë sipas tyre, duhet të tregojë kujdes se mos fryma e botës e bën të shpërfillë me dashje këshillat e Fjalës së Perëndisë në disa gjëra që mund t’i duken «gjëra të vogla».—Luka 16:10; shih edhe temën «Pavarësia».
Kur reagimet ndaj situatave të ndryshme i kanë rrënjët te krenaria
I pari që lejoi t’ia korruptonte zemrën vlerësimi i tepruar për veten, ishte Satanai. (Krahaso Ezekielin 28:17; Proverbat 16:5.) Në këtë botë ku sundon ai, krenaria sjell përçarje, pasi i bën njerëzit ta shohin veten si më të mirë sesa njerëzit e racave, kombeve, gjuhëve a shtresave të tjera shoqërore. Edhe atyre që i shërbejnë Perëndisë, mund t’u duhet të shkulin nga zemra mbeturinat e ndjenjave të tilla. U duhet edhe të jenë vigjilentë, se mos krenaria i bën të zmadhojnë gjërat e vogla apo se mos i pengon të pranojnë të metat e tyre dhe këshillat. Kjo do t’i pengonte të nxirrnin dobi nga ndihma e dashur që jep me bollëk Jehovai nëpërmjet organizatës së tij.—Rom. 12:3; 1 Pjet. 5:5.
Kur shfaq qëndrim rebel ndaj autoritetit
Rebelimi zuri fill me Satanain, emri i të cilit do të thotë «Kundërshtar». Nimrodi, emri i të cilit mund të ketë kuptimin «Le të rebelohemi», u ngrit kundër Jehovait e kështu tregoi se ishte pjellë e Satanait. Shmangia e kësaj fryme i ndihmon ata njerëz që i frikësohen Perëndisë të mos u kundërvihen autoriteteve botërore (Rom. 13:1); i ndihmon të vegjlit t’i nënshtrohen autoritetit që u ka dhënë Perëndia prindërve të tyre (Kolos. 3:20); dhe është një mbrojtje për të mos marrë anën e apostatëve, të cilët nuk respektojnë ata burra që Jehovai u ka besuar përgjegjësi në organizatën e tij të dukshme.—Jud. 11; Hebr. 13:17.
Kur lihen pa fre dëshirat e mishit
Ndikimi i këtij tipari të frymës së botës mund të shihet e të dëgjohet gjithandej. Duhet të ruhemi vazhdimisht prej tij. (1 Gjon. 2:16; Efes. 4:17, 19; Gal. 5:19-21) Mendime dhe dëshira të tilla—që ka të ngjarë të çojnë në gjëra më të rënda—mund të dallohen nga bisedat që bën një njeri, nga shakatë që tregon, nga tekstet e këngëve që dëgjon, nga kërcimet që i pëlqejnë ose nëse sheh programe imorale. Ky tipar i frymës së botës shfaqet në formën e abuzimit me drogën, dehjes, kurorëshkeljes, kurvërisë dhe homoseksualizmit. Bëhet i dukshëm, gjithashtu, kur dikush divorcon bashkëshortin a bashkëshorten—edhe pse mbase ligjërisht, por pa bazë biblike—dhe martohet me një tjetër.—Mal. 2:16.
Kur në jetë vendin kryesor e zë dëshira për të pasur gjithë sa sheh
Tamam këtë dëshirë i ushqeu Evës Satanai, dhe kështu e tundoi të bënte diçka që shkatërroi marrëdhënien e saj me Perëndinë. (Zan. 3:6; 1 Gjon. 2:16) Kur iu vu përpara një tundim i tillë, Jezui e hodhi poshtë me vendosmëri. (Mat. 4:8-10) Ata që duan t’i pëlqejnë Jehovait, duhet të jenë vigjilentë dhe të mos lejojnë që bota e tregtisë t’u ngjallë një frymë të tillë. Kush ka rënë në këtë lak, është rrënuar frymësisht e ka përjetuar shumë dhembje.—Mat. 13:22; 1 Tim. 6:7-10.
Kur kapardisesh me të mirat materiale e me të ashtuquajturat arritje personale
Edhe ky zakon «vjen nga bota», dhe ata që bëhen shërbëtorë të Perëndisë s’duhet të veprojnë më kështu. (1 Gjon. 2:16) Kjo gjë i ka rrënjët te krenaria e nuk i ndërton të tjerët frymësisht, por u tund para syve joshje materiale dhe perspektivat e suksesit në botë.—Rom. 15:2.
Kur shfrehen ndjenjat me fjalë të rënda a me veprime të dhunshme
Këto janë ‘vepra të mishit’, me të cilat shumë veta duhet të bëjnë një luftë të fortë. Me besim të sinqertë dhe me ndihmën e frymës së Perëndisë, ata mund ta mposhtin botën e të mos lejojnë që fryma e saj t’i vërë poshtë.—Gal. 5:19, 20, 22, 23; Efes. 4:31; 1 Kor. 13:4-8; 1 Gjon. 5:4.
Kur shpresa ose frika e dikujt bazohet tek ajo që mund të bëjnë njerëzit
Njeriu fizik, pra ai që drejtohet nga dëshirat e veta, mendon se ato që kanë vërtet rëndësi, janë gjërat që mund t’i shohë a t’i prekë. Si shpresat, edhe frika e tij, kanë në thelb premtimet e kërcënimet e njerëzve. Ai i mban shpresat te qeveritarët dhe zhgënjehet kur ata dështojnë. (Psal. 146:3, 4; Isa. 8:12, 13) Për të, kjo jetë është gjithçka. Bëhet lehtë rob i kërcënimeve me vdekje. (Krahaso Mateun 10:28; Hebrenjve 2:14, 15.) Kurse ata që njohin Jehovain, që e mbushin mendjen e zemrën me premtimet e tij dhe që mësojnë t’i drejtohen atij për ndihmë sa herë kanë nevojë, rinohen në forcën që vë në veprim mendjen e tyre.—Efes. 4:23, 24; Psal. 46:1; 68:19.
Kur adhurimi që i takon Perëndisë u jepet njerëzve ose gjërave
Satana Djalli, «perëndia i kësaj bote», nxit gjithfarëlloj praktikash që ta keqdrejtojë prirjen e njerëzve për të adhuruar, prirje me të cilën i ka krijuar Perëndia. (2 Kor. 4:4) Disa sundimtarë janë trajtuar si perëndi. (Vep. 12:21-23) Miliona veta përkulen para idhujve. Miliona të tjerë shohin si idhuj artistët dhe sportistët me famë. Shpesh bëhen festa që u japin nderim të pavend njerëzve. Kaq e përhapur është kjo frymë, sa ata që e duan vërtet Jehovain e që duan t’i përkushtohen vetëm atij, duhet të jenë syçelë ditë për ditë ndaj ndikimit të kësaj fryme.