Çfarë thonë të tjerët për Dëshmitarët e Jehovait?
Dëshmitarët e Jehovait e kuptojnë se jo çdo njeri është dakord me shpjegimin ose aplikimin që ata u bëjnë Shkrimeve. Meqenëse jetojmë në një shoqëri pluraliste, toleranca e ndryshimeve në stilet e jetë, prejardhjet etnike dhe bindjet fetare i kontribuojnë një jete të harmonishme. Shumë gazetarë, gjykatës dhe të tjerë kanë komentuar rreth frymës së shkëlqyer dhe kontributit pozitiv që u kanë dhënë Dëshmitarët e Jehovait njerëzve në lagjet ku banojnë. Më poshtë jepen thjesht disa shembuj.
Në vjeshtën e vitit 1997, Tefta Radi, gazetare dhe spikere në televizionin kombëtar shqiptar, tha: «Shpreh respekt dhe mirënjohje për Dëshmitarët e Jehovait. Me thjeshtësinë dhe dashurinë që i karakterizon, ata zhvillojnë vetëm virtyte njerëzore dhe vëllazërore që janë larg egoizmit, korrupsionit dhe degjenerimit të zakonshëm të kohës sonë. I respektoj për sensin paqësor që përçojnë te bashkëkombësit e mi, veçanërisht në këtë vit të trazuar të 97-s. I respektoj Dëshmitarët e Jehovait sepse janë të njerëzishëm.»
Më 6 tetor 1997, Vjollca Meçaj, notere dhe presidente e Shoqatës së Grave juriste, komentoi: «I kam njohur Dëshmitarët e Jehovait prej momentit që ata kërkonin miratimin ligjor në vitin 1992, pasi kryeja një detyrë të tillë, e cila më lejonte të njihesha me të gjitha shoqatat që po krijoheshin ligjërisht në Shqipëri në atë kohë. Përshtypja ime e parë ishte se ata ishin njerëz të mirë, të sjellshëm dhe veçanërisht shumë të pastër e të rregullt në paraqitjen e tyre.
Kam pasur diskutime me persona të ndryshëm në lidhje me Dëshmitarët e Jehovait. Në disa raste kam dëgjuar: ‘Ata janë shumë të rrezikshëm.’ Kur i kam pyetur ‘Po pse?’, çuditërisht asnjëri nuk më ka dhënë argumente. Kjo më ka bindur më tepër se komente të tilla ishin bërë nga paragjykimi dhe jo se i njihnin.
Kam bashkëpunuar me ta si avokate dhe kjo më bindi se Dëshmitarët e Jehovait janë të krishterë të mirë, të cilët bëjnë shumë përpjekje për të zbatuar në jetën e tyre urdhërimet e Perëndisë Jehova, siç e quajnë ata.»
Në nëntor të vitit 1997, Shpresa Kurti, presidente e Dhomës Kombëtare të Noterëve të Shqipërisë, shprehu mendimet e saj për Dëshmitarët e Jehovait në këtë mënyrë: «Jam e gëzuar dhe e lumtur që kam konstatuar se që nga momenti i parë i njohjes me përfaqësuesit e Dëshmitarëve të Jehovait, deviza e tyre për një botë të re, ku të gjithë njerëzit janë të barabartë dhe meritojnë të jetojnë, ka ngjallur tek unë shpresën se ne do ta arrijmë atë.» Ajo përfundoi duke shprehur vlerësimin e saj për Dëshmitarët, me shpresën që edhe të tjerët do të punojnë së bashku për një të ardhme ku do të ketë dashuri e lumturi.
Në tetor të vitit 1997, pasi njihej prej ca kohësh me Dëshmitarët e Jehovait, Profesor Dr. Stavri Çeço në Universitetin e Drejtësisë së Tiranës vërejti: «Kam bashkëpunuar për një kohë të gjatë me Dëshmitarët e Jehovait dhe nga ky bashkëpunim kam konstatuar se kjo shoqatë, duke u mbështetur në parimin e vullnetit të lirë të besimit, punon me përkushtim për pasurimin e botës shpirtërore të njeriut me parimet më humanitare të drejtësisë shoqërore me besim te Zoti.»
Përveç këtyre komenteve nga Shqipëria, Dëshmitarët e Jehovait kanë fituar një reputacion të shkëqyer në mbarë botën. Ju lutemi vëreni sa vijon.
Më 5 nëntor 1996, Profesor Dr. h.c. Karel Dobbelaere, anëtar i Akademisë Mbretërore Belge, shkroi se Dëshmitarët e Jehovait janë një fe me themele të forta në mbarë botën. Dokumenti i tij u noterizua më 12 nëntor 1996, me Anëshkrim të Ministrit belg të Punëve të Jashtme. Aty thuhet:
«E kam vëzhguar Kongregacionin e Krishterë të Dëshmitarëve të Jehovait për rreth 20 vjet. Më 1976, . . . drejtova një studim me profesor Bryan R. Wilson nga All Souls College Oxford, për të studiuar aspektet sociale të këtij minoriteti fetar në Belgjikë . . . Mund të them se Dëshmitarët e Jehovait janë njerëz që vijnë nga çdo shtresë sociale. Fëmijët e tyre shkojnë në shkolla publike dhe universitete. Nuk janë sektarë. Feja e tyre ka themele të forta në mbarë botën.»
Gazetari grek Zeta Karagiannis, në revistën javore ENA të 23 qershorit 1992 vërejti: «Dëshmitarët e Jehovait nuk pinë duhan dhe janë të organizuar në 338 kisha në të gjithë Greqinë, të cilat, siç pohojnë ata, funksionojnë sipas modelit të Kishës së Krishtere të hershme.» Një vit më vonë, e njëjta revistë vërejti në lidhje me një asamble të Dëshmitarëve: «Ndërsa shihnim që luteshin, na bëri përshtypje qëndrimi i tyre paqësor. Kishte vetëm pak policë. E kuptoni, nuk ishte e nevojshme. . . . Këta janë njerëz me lidhje të forta familjare. Ata janë mësuar të kenë dashuri dhe të jetojnë sipas ndërgjegjes së tyre, me qëllim që të mos dëmtojnë të tjerët. . . . Mes tyre mund të gjesh persona të arsimuar dhe njerëz të artit.»—ENA, 22 korrik 1993, faqe 114-116.
Një deputet i parlamentit lokal të qytetit të Luksemburgut, Pierre Frieden, në një letër të 7 dhjetorit 1990 komentoi:
«[Dëshmitarët e Jehovait] janë njerëzit tipikë të ditëve tona që plotësojnë kërkesat e shoqërisë sonë moderne. Ndoshta më shumë se të tjerët, ata demonstrojnë bashkimin e moralit të lartë me besnikërinë e sinqertë ndaj institucioneve tona demokratike.
Me sa di unë, përfaqësuesit e Shoqatës Watch Tower i përmbahen gjithmonë vendosmërisë së tyre për të mos kryer asnjë veprim që nuk do të ishte plotësisht dhe besnikërisht në përputhje me kërkesat e ligjit dhe rregullat e Qytetit të Luksemburgut.»
Karoly Martinko shkroi rreth Dëshmitarëve të Jehovait në Hungari, në revistën Ring të datës 4 nëntor të 1992: «Kam arritur në përfundimin se, nëse në tokë do të jetonin vetëm Dëshmitarët e Jehovait, luftërat nuk do të ekzistonin më dhe detyrat e vetme të policëve do të ishin të kontrollonin trafikun dhe të lëshonin pasaporta.»
Në Gjermani, më 6 nëntor 1996, u dha premiera e videos dokumentar Dëshmitarët e Jehovait qëndrojnë të patundur përballë sulmit nazist. Në lidhje me të, Kryeministri i Shtetit Federal të Brandenburgut shkroi: «Faleminderit për ftesën tuaj miqësore në premierën e një video-dokumentimi rreth viktimave të nacional-socializimit, të cilën do ta jepni më 6 nëntor në Përkujtimoren e Ravensbrukut. Edhe pse nuk mund të marrë pjesë personalisht për shkak të takimeve të tjera, do të doja t’ju siguroj që i respektoj shumë Dëshmitarët e Jehovait, sepse i kanë rezistuar nacional-socializmit me kurajë dhe se i kanë ndihmuar me bujari të burgosurit e tjerë. Qeveria e Shtetit Federal të Brandenburgut është e interesuar ta ketë historinë e Dëshmitarëve të Jehovait në kampet e përqendrimit të dokumentuar plotësisht dhe hollësisht. Nëse keni ndonjë propozim ose sugjerim në lidhje me këtë, mund t’i dërgoni ato drejtpërdrejt Fondacionit Përkujtimor të Brandenburgut. Prezantimi i videos tuaj është një hap i rëndësishëm për të informuar publikun në lidhje me rolin e grupit tuaj fetar nën regjimin nacional-socialist. Me siguri që do të jetë shumë e përshtatshme që videoja të përfshihet në programin mësimor të vendeve përkujtimore në Ravensbruk e Saksenhauzen dhe ta kemi gjithmonë në dispozicion për vizitorët. Përgëzimet e mia për prezantimin e filmit dhe për ceremoninë që do të bëni në lidhje me të. Uroj që të ketë një reagim të mirë nga publiku.»
Sergei Ivanenko, teolog, gazetar dhe këshilltar për Rusinë në Parlamentin e Lartë të federatës Sovjetike, pasi vizitoi zyrën e Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi, shkroi një artikull për botim, të titulluar: «A duhet të kemi frikë nga Dëshmitarët e Jehovait?» Disa prej komenteve të tij qenë:
«Vizitova fshatin e Solnechnoye, në krahinën e Kururtnoye, Sh. Pjetërburg, ku është vendosur Qendra Administrative e Dëshmitarëve të Jehovait rusë. . . .
Për Dëshmitarët e Jehovait, Bibla është kushtetuta, kodi civil dhe shprehja më e lartë e së vërtetës.
Për këtë arsye, Dëshmitarët e Jehovait njihen në të gjithë botën si njerëz që i binden deri në një ligjit dhe veçanërisht për qëndrimin e tyre të skrupullt në pagimin e taksave. . . .
Tashmë disa shtete kanë shprehur shqetësimin, nëse mësimet e Dëshmitarëve të Jehovait përbëjnë apo jo një kërcënim për shoqërinë. Gjykata e Lartë e shtetit të Konetikut, Shtetet e Bashkuara (1979) dhe Uellsi Jugor i Ri, Australi (1972), Gjykata Provinciale e Kolumbisë Britanike, Kanada (1986) dhe gjykata të tjera, kanë deklaruar që nuk ka asnjë dëshmi se Dëshmitarët e Jehovait përbëjnë një kërcënim shoqëror ose një kërcënim për shëndetin apo gjendjen emocionale të njerëzve. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (1993) mbrojti të drejtat e Dëshmitarëve të Jehovait për lirinë e fesë, e cila ishte e kufizuar në Greqi dhe Austri. . . .
Dëshmitarët e Jehovait mund të konsiderohen si një shembull për qytetarët e tjerë, për devocionin e tyre ndaj së vërtetës biblike dhe për gatishmërinë që të qëndrojnë të patundur në bindjet e tyre në mënyrë shumë vetëmohuese.»
[Figura në faqen 12]
«Kam arritur në përfundimin se, nëse në tokë do të jetonin vetëm Dëshmitarët e Jehovait, luftërat nuk do të ekzistonin më dhe detyrat e vetme të policëve do të ishin të kontrollonin trafikun dhe të lëshonin pasaporta.»—Karoly Martinko
[Figura në faqen 13]
Dëshmitarët mblidhen në Tiranë