Organizata dhe vepra e tyre mbarëbotërore
KA DISA hallka që përdoren për të drejtuar veprën e dëshmisë në më shumë se 230 vendet ku kryhet ajo. Drejtimi kryesor vjen nga Trupi Udhëheqës, që ndodhet në selinë botërore në Bruklin, Nju-Jork. Trupi Udhëheqës dërgon çdo vit përfaqësues në zona të ndryshme të botës, për të diskutuar me përfaqësuesit e degës në ato zona. Në zyrat e degëve, ka Komitete të Degës, të përbëra nga tre deri shtatë anëtarë që mbikëqyrin veprën në ato vende që janë nën juridiksionin e tyre. Disa nga degët kanë ambiente për të shtypur, në disa prej të cilave përdoren makineri shtypi rotative me shpejtësi të lartë. Vendi ose zona, ku shërben çdo degë, është e ndarë në krahina, dhe krahinat, nga ana e tyre, janë të ndara në qarqe. Çdo qark ka rreth 20 kongregacione. Një mbikëqyrës krahinor viziton me radhë qarqet në krahinën e tij. Në çdo qark mbahen vit për vit dy asamble. Ka, gjithashtu, një mbikëqyrës qarkor, dhe ai viziton çdo kongregacion në qarkun e tij, zakonisht dy herë në vit, duke i ndihmuar Dëshmitarët për të organizuar dhe kryer veprën e predikimit në territorin që i është caktuar atij kongregacioni.
Kongregacioni lokal, bashkë me Sallën e tij të Mbretërisë, është qendra e përhapjes së lajmit të mirë në zonën tuaj. Zonat që janë nën kujdesin e çdo kongregacioni janë ndarë në territore të vogla. Këto u janë caktuar individëve Dëshmitarë, të cilët përpiqen të vizitojnë dhe të flasin me njerëzit në secilën shtëpi që ndodhet aty. Çdo kongregacion, që përbëhet nga një pakicë deri në rreth 200 Dëshmitarë, ka pleq që janë caktuar për t’u kujdesur për detyra të ndryshme. Çdo individ që shpall lajmin e mirë është pjesa thelbësore e organizatës së Dëshmitarëve të Jehovait. Çdonjëri nga Dëshmitarët, nëse shërben në selinë botërore, në zyrat e degëve ose në kongregacione, e kryen këtë vepër shërbimi duke u folur personalisht të tjerëve për Mbretërinë e Perëndisë.
Raportet e këtij aktiviteti përfundimisht mbërrijnë në selinë botërore, dhe aty përpilohet dhe botohet çdo vit një Libër vjetor. Gjithashtu, çdo vit, në numrin e 1 janarit, në revistën Kulla e Rojës, botohet një tabelë me këtë raport. Këto dy botime ofrojnë raporte të hollësishme për atë që kryhet çdo vit në dhënien e dëshmisë për Jehovain dhe Mbretërinë e tij nën sundimin e Jezu Krishtit. Vitet e fundit rreth 14.000.000 Dëshmitarë dhe njerëz të interesuar kanë marrë pjesë, vit për vit, në Përkujtimin e vdekjes së Jezuit. Çdo vit Dëshmitarët e Jehovait harxhojnë më se 1.000.000.000 orë duke shpallur lajmin e mirë, dhe pagëzohen më shumë se 300.000 persona të rinj. Shpërndarja e literaturës arrin në qindra milionë kopje.