Çfarë drejtimi po merr jeta jote?
• Shumë njerëz janë kaq të zënë me punët e përditshme, saqë nuk e mendojnë shumë se ç’drejtim po merr jeta e tyre.
• Bibla flet për ngjarje të mrekullueshme që do të ndodhin në të ardhmen. Na paralajmëron edhe për një ndryshim rrënjësor që do të ndodhë në mbarë institucionet njerëzore. Që të nxjerrim dobi e të shmangim katastrofën, është urgjente që të ndërmarrim hapa vendimtarë.
• Ka disa njerëz që e dinë se çfarë thotë Bibla dhe përpiqen ta zbatojnë, por, nga ana tjetër, lejojnë që ankthet e jetës t’i çojnë në drejtimin e gabuar.
• A je i kënaqur me drejtimin që po merr jeta jote? A merr parasysh se si mund të ndikojnë gjërat që planifikon të bësh, në synimet afatgjata që ke në jetë?
[Kutia dhe figurat në faqen 9]
Çfarë është më e rëndësishme për ty?
Si do t’i renditje gjërat e mëposhtme? Vëru nga një numër, 1-10, sipas rëndësisë që kanë për ty.
Shumë nga këto gjëra kanë vendin e tyre në jetë, por, nëse të duhet të zgjedhësh, cilën do të vësh në vend të parë? Po në vend të dytë, e kështu me radhë?
․․․ Zbavitja ose çlodhja
․․․ Puna ose karriera
․․․ Shëndeti
․․․ Lumturia ime
․․․ Bashkëshorti ose bashkëshortja
․․․ Prindërit
․․․ Fëmijët
․․․ Shtëpi të mirë, rroba të bukura
․․․ Të jem më i miri në çdo gjë që bëj
․․․ Adhurimi i Perëndisë
[Kutia në faqet 10, 11]
Ajo që zgjedh a po të çon në drejtimin që dëshiron vërtet të ndjekësh?
SHQYRTO KËTO PYETJE
ZBAVITJA OSE ÇLODHJA: A më çlodhin zbavitjet që zgjedh? A ngjallin emocione të forta që do të më vënë në rrezik shëndetin ose që do të më lënë të gjymtuar për gjithë jetën? A janë forma «kënaqësie» që më kënaqin ndoshta për disa orë, por pastaj më lënë të trishtuar për shumë kohë? Edhe sikur zbavitjet që zgjedh të jenë të mira, a kaloj kaq shumë kohë duke u zbavitur, saqë s’kam kohë për gjërat më të rëndësishme?
PUNA OSE KARRIERA: A më duhet për të siguruar gjërat e nevojshme apo në të vërtetë jam skllav i saj? A kërkohet kaq shumë nga unë, sa po më shkatërron shëndetin? A do të më pëlqente më shumë të kaloja kohë në punë apo të kaloja kohë me bashkëshortin dhe fëmijët? Në qoftë se punëdhënësi më kërkon të bëj diçka që më trazon ndërgjegjen ose që shpesh nuk lë vend për interesat frymore, a pranoj, sepse dua të mbaj vendin e punës?
SHËNDETI: A e lë pas dore shëndetin apo kujdesem vazhdimisht për të? A është në qendër të bisedave të mia? A tregoj me mënyrën si kujdesem për shëndetin se interesohem për familjen time?
LUMTURIA IME: A është kjo gjëja e parë që mendoj? A e vë lumturinë time para lumturisë së bashkëshortit ose të familjes? A përputhet mënyra si e kërkoj lumturinë me faktin që jam adhurues i Perëndisë së vërtetë?
BASHKËSHORTI OSE BASHKËSHORTJA: A e shoh bashkëshortin si shokun tim vetëm kur kjo më vjen për mbarë? A e trajtoj me respekt, si një njeri që ka dinjitetin e tij? A ndikon besimi te Perëndia në mënyrën si e trajtoj bashkëshortin ose bashkëshorten?
PRINDËRIT: Po qe se jam ende i mitur, a u bindem prindërve, duke u përgjigjur me respekt, duke bërë punët që më caktojnë, duke ardhur në shtëpi kur më thonë ata, duke shmangur shoqëritë dhe veprimtaritë që ata më thonë të shmang? Nëse jam i rritur, a i dëgjoj me respekt prindërit, duke u dhënë ndihmë sipas nevojave të tyre? A ndikohet mënyra si i trajtoj nga ajo që më vjen për mbarë mua apo nga këshillat e Fjalës së Perëndisë?
FËMIJËT: A ndiej përgjegjësinë për t’u mësuar fëmijëve të mi normat e duhura morale apo pres që këtë ta bëjë shkolla? A kaloj kohë me fëmijët apo u vë përpara lodrat, televizorin ose kompjuterin, që të kenë me se të merren? A i disiplinoj fëmijët sa herë që shpërfillin urdhrat e Perëndisë apo i disiplinoj vetëm kur jam vetë i acaruar?
SHTËPI TË MIRË, RROBA TË BUKURA: Çfarë e përcakton vëmendjen që i kushtoj pamjes së jashtme dhe gjërave që zotëroj: dëshira për t’u bërë përshtypje fqinjëve; mirëqenia e familjes apo fakti që jam adhurues i Perëndisë?
TË JEM MË I MIRI NË ÇDO GJË QË BËJ: A mendoj se është e rëndësishme që t’i bëj mirë gjërat? A kërkoj të jem më i miri? A bezdisem kur dikush e bën një gjë më mirë se unë?
ADHURIMI I PERËNDISË: A është për mua më e rëndësishme të kem miratimin e Perëndisë, sesa të kem miratimin e bashkëshortit, të fëmijëve, të prindërve ose të punëdhënësit? A do të isha gati ta vija në vend të dytë shërbimin ndaj Perëndisë për të bërë një jetë të rehatshme?
SHQYRTO ME KUJDES KËSHILLAT E BIBLËS
Ç’vend zë në jetën tënde Perëndia?
Predikuesi 12:13: «Ki frikë nga Perëndia dhe respekto urdhërimet e tij, sepse kjo është tërësia e njeriut.»
PYET VETEN: A e tregoj me jetën time se edhe unë mendoj kështu? A është bindja ndaj urdhërave të Perëndisë ajo që përcakton mënyrën si përmbush përgjegjësitë e mia në shtëpi, në punë ose në shkollë? Apo janë interesat e tjera ose presionet e jetës që përcaktojnë nëse kam kohë për Perëndinë?
Ç’lloj marrëdhënieje ke me Perëndinë?
Fjalët e urta 3:5, 6: «Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.»
Mateu 4:10: «Jehovain, Perëndinë tënd, duhet të adhurosh dhe vetëm atij duhet t’i bësh shërbim të shenjtë.»
PYET VETEN: A ndihem kështu për Perëndinë? A e tregoj këtë besim e përkushtim me veprimtaritë e mia të përditshme dhe me mënyrën se si i zgjidh vështirësitë?
Sa të rëndësishme janë për ty leximi dhe studimi i Biblës?
Gjoni 17:3: «Kjo do të thotë jetë e përhershme: të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që ti dërgove, Jezu Krishtin.»
PYET VETEN: A tregon se e besoj vërtet këtë vëmendja që i kushtoj leximit të Fjalës së Perëndisë dhe meditimit rreth saj?
Sa e rëndësishme është për ty ndjekja e mbledhjeve të kongregacionit të krishterë?
Hebrenjve 10:24, 25: «Le të interesohemi për njeri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera, pa braktisur mbledhjen tonë së bashku, . . . aq më tepër tani, ndërsa e shikoni që dita po afrohet.»
Psalmi 122:1: «U gëzova kur më thanë: ‘Shkojmë në shtëpinë e Zotit.’»
PYET VETEN: A tregon mënyra si jetoj çmueshmëri për këtë drejtim që jepet në Fjalën e Perëndisë? A humba ndonjë mbledhje të krishterë gjatë muajit të kaluar, sepse lashë që diçka tjetër të hynte në mes?
A u flet të tjerëve me zell për Perëndinë dhe për qëllimin e tij?
Mateu 24:14: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi . . . , dhe atëherë do të vijë fundi.»
Mateu 28:19, 20: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve, . . . duke u mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.»
Psalmi 96:2: «Këndojini Zotit, bekoni emrin e tij: lajmëroni çdo ditë shpëtimin e tij.»
PYET VETEN: A zë kjo vepër në jetën time vendin që i takon? A tregon pjesëmarrja ime në të se jam i bindur që kohët në të cilat jetojmë janë urgjente?