KULLA E ANTONIAS
Ndërtesë e fortifikuar në Jerusalem që shërbente si kazermë. Sipas historianit Jozef, kishte dhoma, banja, kapanone dhe oborre.—FIGURA, vëll. 2, f. 535 në botimin anglisht.
Kulla e Antonias ndodhej në qoshen veriperëndimore të oborrit të tempullit, me sa duket atje ku më parë Nehemia kish ndërtuar Fortesën e përmendur te Nehemia 2:8. Herodi i Madh i bëri meremetime të mëdha e të kushtueshme dhe ia shtoi fortifikatat. Ai ia ndryshoi emrin nga Baris, si njihej më parë, në Antonia, për nder të Mark Antonit. Ashtu siç kishte bërë para tij kryeprifti dhe sundimtari jude Gjon Hirkan, Herodi mbante atje rrobat priftërore, me sa duket që të kishte disi nën kontroll kryepriftin.
Sipas historianit Jozef, fortesa qe ndërtuar në një vend shkëmbor me lartësi 50 kute (rr. 22 m). Përmbi shkëmb ngriheshin muret e gurta me lartësi 40 kute (rr. 18 m) dhe nëpër qoshe kishte katër kulla. Tri prej tyre ishin 50 kute (rr. 22 m) të larta, kurse kulla e cepit juglindor, që mbikëqyrte krejt zonën e tempullit, e kishte lartësinë 70 kute (rr. 31 m). (Lufta judaike, V, 238-247 [v, 8]) Para kohës së Herodit, fortesa shërbente kryesisht si vijë mbrojtjeje kundër mësymjeve nga veriu, por paskëtaj shërbente sidomos për të kontrolluar judenjtë dhe për të vëzhguar veprimtaritë në zonën e tempullit, ku mund të hyje direkt nga fortesa.
Meqë kishte planimetri katrore, fortesa mund të ketë pasur një oborr në mes. Sipas disave, ky oborr qendror brenda Kullës së Antonias ishte vendi ku Jezui doli para Pilatit për t’u gjykuar. (Gjo 19:13) Këta hedhin idenë se një vend me kalldrëm i zbuluar brenda kësaj zone, ishte vendi i quajtur «Gábatha». Megjithatë, të tjerë mendojnë se Pilati e gjykoi Jezuin para pallatit të Herodit.—Shih KALLDRËMI.
Një referim më të qartë për Kullën e Antonias e gjejmë në tregimin e Veprave 21:30-40 dhe 22:24. Me sa duket, nga shkallët e fortesës, Pavli foli në mbrojtje të vetes dhe i dëshmoi një turme fetare, e pas kësaj e çuan në kazermë që ta merrnin në pyetje. Ndoshta Pavlin e çuan prapë atje pas seancës së stuhishme të Sinedrit, dhe në këtë vend nipi i tij shkoi ta paralajmëronte se ishte kurdisur një komplot për ta vrarë.—Ve 23:10, 16.
Kulla e Antonias u shkatërrua njëherë e mirë kur gjenerali romak, Titi, rrafshoi tempullin dhe qytetin në vitin 70 të e.s.