BABELI
[ngatërrim].
Një nga qytetet e para që u ndërtuan pas Përmbytjes. Atje Perëndia «ngatërroi gjuhën e gjithë tokës». (Zn 11:9) Emri vjen nga folja balál që do të thotë «ngatërroj». Meqë e konsideronin qytetin e tyre si selinë e qeverisë së Perëndisë, banorët thoshin se emri i qytetit përbëhej nga fjalët bab (portë) dhe ilu (Perëndi), pra kishte kuptimin «porta e Perëndisë».
Mbretëria e Nimrodit të lig, ‘gjahtarit të fuqishëm kundër Jehovait’, zuri fill në Babel, «në vendin e Shinarit», në rrafshinën lymore të krijuar nga vërshimi i lumenjve Eufrat dhe Tigër. (Zn 10:9, 10) Ngaqë s’kishte gurë, ndërtuesit shfrytëzuan argjilën që ishte me shumicë. Ata thanë: «Të bëjmë tulla e t’i pjekim në zjarr.» As gëlqere nuk kishte, prandaj në vend të llaçit u përdor bitum.—Zn 11:3.
Në Babel, i cili ishte projektuar kundër vullnetit të Perëndisë, ndërtesa më e rëndësishme ishte një kullë fetare, ‘maja e së cilës arrinte deri në qiej’. Ajo nuk u ndërtua për të adhuruar ose lëvduar Jehovain, por i kushtohej fesë së rreme të krijuar nga njerëzit dhe u ngrit me synimin që ndërtuesit e saj ‘të bënin emër’.—Zn 11:4.
Koha e përafërt e ndërtimit mund të nxirret nga të dhënat e mëposhtme: Pelegu jetoi nga viti 2269 deri në vitin 2030 p.e.s. Emri i tij do të thotë «ndarje», sepse «në ditët e tij toka [pra, «popullsia e tokës»] u nda»; Jehovai «i shpërndau në gjithë faqen e tokës». (Zn 10:25; 11:9) Në një dokument të Sharkalisharit, mbret i Agades (Akadit) në epokën patriarkale, thuhet se ai restauroi një kullë-tempull në Babiloni. Kjo tregon se ndërtesa ekzistonte para mbretërimit të tij.