BAR-JEZUI
[bir i Jezuit].
Jude nga qyteti i Pafos në ishullin e Qipros, në shekullin e 1-rë të e.s. Ai ishte «magjistar e profet i rremë». (Ve 13:6) Mbante titullin «Elim» që do të thotë «magjistar».—Shih ELIMI nr. 1.
Përderisa ishte magjistar e këshilltar i Sergj Palit, prokonsullit romak në Pafo, duket se Bar-Jezui ishte njeri me pozitë. Duke qenë «prift» i një kulti që përqendrohej te falli, sigurisht që Bar-Jezui ishte kundër krishterimit dhe, për të mbrojtur pozitën e tij fitimprurëse, kundërshtonte me kryeneçësi predikimin e Pavlit dhe të Barnabës. Kështu, kur Sergj Pali «kërkoi me ngulm të dëgjonte fjalën e Perëndisë», Elimi «iu kundërvu atyre e orvatej ta mbante prokonsullin larg besimit».—Ve 13:7, 8.
Atëherë, Pavli e shikoi ngultas këtë magjistar satanik dhe, «i mbushur me frymë të shenjtë», i tha: «O njeri i mbushur me çdo lloj mashtrimi e poshtërsie, ti, bir i Djallit e armik i çdo gjëje të drejtë, a nuk do të heqësh dorë nga shtrembërimi i udhëve të drejta të Jehovait? E pra, tani, dora e Jehovait është mbi ty, dhe ti do të jesh i verbër e nuk do ta shohësh për njëfarë kohe dritën e diellit.» Në çast Bar-Jezui u verbua. Kur pa me sytë e vet këtë mrekulli të Pavlit (të dokumentuar si e para), prokonsulli «u mahnit nga mësimi i Jehovait», e pranoi menjëherë mesazhin dhe «u bë besimtar».—Ve 13:9-12.