BARNABA
[bir i ngushëllimit].
Këtë figurë të mirënjohur të krishterimit të shekullit të 1-rë na e prezanton në Shkrime Luka te Veprat 4:34-36. Në këto vargje mësojmë se ky burrë i devotshëm ishte një levit i lindur në ishullin e Qipros që asokohe jetonte në Jerusalem. Ai përmendet me emër mes shumë besimtarëve që pak pas festës së Ditës së Pesëdhjetë shitën ara e shtëpi dhe ua ofruan shumën e fituar apostujve për të çuar përpara veprën e krishterë. Emri i tij ishte Jozef, por apostujt e quajtën Barnaba që do të thotë «bir i ngushëllimit». Në atë kohë ishte e zakonshme që dikujt t’i vihej një emër që përkonte me veçantitë e tij.
Ai ishte shumë i dashur e bujar, nuk kursente asgjë madje as veten për të çuar përpara interesat e Mbretërisë. ‘U vajti në ndihmë’ vëllezërve me gjithë zemër (Ve 9:27), dhe në prani të të interesuarve të rinj «gëzoi dhe filloi t’u jepte zemër të gjithëve, që t’i qëndronin besnikë Zotërisë». Barnaba «ishte njeri i mirë dhe plot frymë të shenjtë e besim» (Ve 11:23, 24), profet dhe mësues në Antioki. (Ve 13:1) Apostujt thanë se Barnaba ishte një nga «të dashurit» që ‘kishin vënë jetën në rrezik për emrin e Zotërisë Jezu Krisht’. (Ve 15:25, 26) Edhe pse nuk ishte një nga 12 apostujt, me të drejtë e quanin apostull (Ve 14:14, NW), sepse ishte vërtet një nga ‘të dërguarit e frymës së shenjtë’.—Ve 13:4, 43.
Shoqëria e ngushtë e Barnabës me Pavlin, që zgjati për vite të tëra, nisi rreth 3 vjet pas kthimit të Pavlit në besim, kur ky donte të lidhej me kongregacionin e Jerusalemit. Nuk dihet si ishte njohur fillimisht Barnaba me Pavlin, megjithatë, dimë se Barnaba pati privilegjin ta prezantonte Pavlin me Pjetrin dhe dishepullin Jakov.—Ve 9:26, 27; Ga 1:18, 19.
Ndërkohë, në Antioki të Sirisë, disa judenj greqishtfolës nga Qiproja dhe Kirena kishin shfaqur interes të madh për krishterimin. Kështu trupi udhëheqës në Jerusalem dërgoi në Antioki Barnabën që t’u jepte zemër e forcë këtyre besimtarëve të rinj. Kjo ishte një zgjedhje e shkëlqyer, pasi Barnaba ishte qipriot që fliste greqisht. Në Antioki «një turmë mjaft e madhe iu shtua Zotërisë», ndaj Barnaba nxitoi të shkonte në Tars që t’ia mbushte mendjen Pavlit të shkonte e ta ndihmonte në shërbim. Rreth asaj kohe Perëndia paralajmëroi se do të vinte një zi buke, kështu vëllezërit në Antioki mblodhën shumë ndihma që, në kohën e duhur, ia dërguan kongregacionit të Jerusalemit nëpërmjet Barnabës dhe Pavlit.—Ve 11:22-24, 27-30; 12:25.
Pasi përfunduan këtë vepër, rreth vitit 47 të e.s., të dy u kthyen në Antioki dhe që atje u nisën për një udhëtim misionar nën drejtimin e frymës së shenjtë. Ajo i çoi fillimisht në Qipro ku ndihmuan prokonsullin Sergj Pal të njihte të vërtetën për Perëndinë. Pastaj vazhduan udhëtimin në brendësi të Azisë së Vogël. Me raste u përballën me përndjekjen e ashpër të turmave. Në një rast, kur shëruan një të çalë në Listër, sa arritën t’i frenonin «turmat që të mos u bënin flijime» (ngaqë mendonin se Barnaba ishte Perëndia Zeus, kurse Pavli që «merrte drejtimin për të folur» ishte Hermesi ose Mërkuri), judenjtë ua «mbushën mendjen turmave të qëllonin Pavlin me gurë. Pastaj e nxorën zvarrë jashtë qytetit».—Ve 13:1-12; 14:1-20.
Rreth vitit 49 të e.s., Barnaba dhe Pavli ngritën para trupit udhëheqës në Jerusalem çështjen e mprehtë të rrethprerjes së jojudenjve dhe njëherë që u zgjidh, ata u kthyen menjëherë në Antioki që të përgatiteshin për udhëtimin tjetër misionar. (Ve 15:2-36) Megjithatë, meqë nuk ranë dakord për të marrë me vete Gjon Markun, u nisën secili në drejtime të ndryshme. Barnaba mori kushëririn e tij, Markun, në Qipro, kurse Pavli shkoi me Silën nëpër Siri e Kiliki. (Ve 15:37-41) Këtu përfundon tregimi për Barnabën në Shkrime, përveç ndonjë rasti kur përmendet shkurtimisht në ndonjë letër të Pavlit.—1Ko 9:6; Ga 2:1, 9, 13; Kl 4:10.