SHTERPËSIA
Ideja e paaftësisë për të lindur fëmijë përcillet nga fjalët hebraike ʽakár (Zn 11:30) dhe galmúdh (Is 49:21) që përkthehen «shterpë». Gjithashtu, te Proverbat 30:16 shterpësia përshkruhet fjalë për fjalë si «mbyllje e barkut». (shën., NW) Fjala greke që përkthehet «shterpë» është stéiros. (Lu 1:7, 36) Shterpësia është quajtur edhe ‘bark i vdekur’.—Ro 4:19.
Pjesë e urdhrit të parë që Jehovai i dha Adamit dhe Evës, e që më vonë iu përsërit edhe bijve të Noesë, ishte edhe kjo: «Jini të frytshëm, shumohuni.» (Zn 1:28; 9:7) Për këtë arsye, në kohët e lashta, kur një grua nuk arrinte të kishte fëmijë, konsiderohej si një poshtërim, mundim a dënim, një nga mynxyrat më të mëdha. Rakela iu përgjërua të shoqit, Jakobit: «Më bëj me fëmijë, se përndryshe jam një grua e vdekur.»—Zn 30:1.
Jehovai është i aftë ta bëjë pjellore një grua shterpë, dhe kjo duket nga fjalët që Jakobi i tha Rakelës: «Mos jam unë Perëndia, që ta ka mohuar frytin e barkut?!» Dhe së fundi, lexojmë: «Perëndia u kujtua edhe për Rakelën, dhe Perëndia e dëgjoi dhe iu përgjigj asaj duke i çelur barkun. Ajo mbeti shtatzënë dhe lindi një djalë.» (Zn 30:2, 22, 23) Ja disa shembuj të tjerë që tregojnë fuqinë e Jehovait për t’u dhënë fëmijë grave që, për një kohë të gjatë, vuajtën nga shterpësia e natyrshme: Sara (Zn 11:30; 17:19; 21:1, 2); Rebeka (Zn 25:21); nëna e Samsonit (Gjy 13:2, 3); Hana (1Sa 1:10, 11; 2:5); një grua shunamite (2Mb 4:14-17); Elizabeta (Lu 1:7, 36). Me bekimin e Jehovait, izraelitët u bënë kaq pjellorë gjatë kohës kur ishin në Egjipt, saqë egjiptianët u alarmuan duke menduar se shpejt do të ishin më të paktë në numër. (Da 1:7-12, 18-21) Jehovai pati meritën që i dha mundësi Ruthës, paraardhëses së Davidit, të mbetej shtatzënë.—Ru 4:13.
Kur Jehovai e hiqte bekimin e tij, edhe toka mbetej shterpë e bëhej një vend i shkretë. Kurse me bekimin e Perëndisë, toka jepte fryte të bollshme. (Le 26:3-5) Po ashtu, ishte bërë premtimi se me bekimin e pasur të Jehovait ‘në vend nuk do të kishte asnjë grua që të dështonte dhe asnjë grua shterpë’. (Da 23:26; Lp 7:13, 14; 28:4, 11; Ps 127:3-5; 128:3) Përkundrazi, në një rast, Jehovai ‘mbylli krejt çdo bark’ në shtëpinë e Abimelekut, kur ky deshi të merrte për grua Sarën.—Zn 20:17, 18.
Për shkak të vuajtjeve të tmerrshme që do të binin mbi Jerusalemin e shekullit të parë, Jezui tha se «shterpat» do të ishin të lumtura, të lehtësuara, pa ankthin e atyre që do të shihnin fëmijët e vet tek vuanin.—Lu 23:29.
Isaia dhe psalmisti profetizuan për një grua shterpë, poshtërimi dhe turpi i së cilës do të harroheshin, sepse do të lindte shumë bij që do të mësoheshin nga Jehovai. (Ps 113:9; Is 54:1-15) Apostulli Pjetër i zbatoi këto fjalë të Isaisë për ‘gruan e lirë’, domethënë, për ‘Jerusalemin lart’.—Ga 4:26-31.