BEERI
Emra hebraikë me shqiptim dhe kuptim të ndryshëm që transliterohen në të njëjtën mënyrë në shqip.
[1, 2: i Beerit ose i Beerotit.]
1. Hitit, i ati i Juditës, gruas së Esaut.—Zn 26:34.
2. I ati i profetit Hozea.—Ho 1:1.
[3, 4: pus.]
Fjala hebraike beʼér zakonisht tregon një pus, në dallim nga një burim natyror (heb., ʽájin). Në përgjithësi, del në emra të përbërë vendesh.—Krahaso BEER-ELIMI; BEER-SHEBA.
3. Pasi kaluan Arnonin rrugës për në Tokën e Premtuar, izraelitët arritën në Beer. (Nu 21:13-16) Atje u hap një pus—me sa duket nga princat e fiseve që përdorën shkopinjtë e tyre—dhe gufoi uji. Kjo ngjarje u përjetësua në këngën poetike që lexojmë në vargjet 17, 18 të këtij kapitulli.
Për shkak të rolit që luajtën princat në hapjen e pusit, disa hedhin idenë se Beeri është Beer-Elimi (që do të thotë «pus i pemëve të mëdha»). (Is 15:8) Vendndodhja nuk dihet me saktësi, por ka të ngjarë të jetë në një luginë përroi që quhet Vadi-Tamad, në veri të Arnonit dhe rreth 56 km në lindje të Detit të Vdekur. Shpeshherë atje del ujë pa gërmuar shumë thellë.
4. Vend ku ia mbathi Jotami, bir i Gideonit (Jerubaalit), pasi demaskoi tradhtinë e Abimelekut. (Gjy 9:3-5, 21) Disa mendojnë se ndodhej në Al Bira, afro 12 km në veri të Beth-Shanit dhe në juglindje të malit Tabor; të tjerë e lidhin me Beerotin. (Shih BEEROTI.) Megjithatë, vendndodhja nuk dihet me siguri, ngaqë nuk ka ndonjë të dhënë se në ç’drejtim ia mbathi Jotami kur iku nga mali Gerizim.