BEER-SHEBA
[pusi i betimit; ose pusi i të shtatëve].
Vend në jug të Judës ku ndodhej një pus e më pas një qytet. Gjendej pak a shumë në gjysmë të rrugës mes bregut të Mesdheut dhe skajit jugor të Detit të Vdekur, rreth 45 km në jugperëndim të Hebronit, e thuajse po aq larg Gazës, në juglindje të saj.
Beer-Sheba përfaqësonte pikën më jugore të Tokës së Premtuar, siç duket nga shprehja proverbiale «nga Dani deri në Beer-Shebë» (Gjy 20:1) ose, anasjelltas, «nga Beer-Sheba deri në Dan». (1Kr 21:2; 2Kr 30:5) Pasi kombi u nda në dy mbretëri, Beer-Sheba prapë tregonte skajin jugor të mbretërisë së Judës me shprehjet «nga Geba deri në Beer-Shebë» (2Mb 23:8) dhe «nga Beer-Sheba deri në rajonin malor të Efraimit» (ku fillonte mbretëria veriore e Izraelit). (2Kr 19:4) Pas periudhës së mërgimit, kjo shprehje mori kuptim edhe më të kufizuar dhe përdorej për zonën ku banonin të riatdhesuarit e Judës, zonë që shtrihej nga Beer-Sheba «deri në luginën e Hinomit».—Ne 11:27, 30.
Në të vërtetë, në Tokën e Premtuar kishte qytete të tjera në jug të Beer-Shebës, siç kishte qytete izraelite në veri të Danit. Gjithsesi, Dani dhe Beer-Sheba ndodheshin pranë kufijve natyrorë të vendit. Beer-Sheba, për shembull, shtrihej poshtë maleve të Judës, buzë shkretërirës. Veç kësaj, ishte ndër qytetet kryesore të Judës (bashkë me Jerusalemin e Hebronin). Kjo jo vetëm falë rezervës së shkëlqyer ujore në krahasim me rajonin përqark, e cila i jepte dorë bujqësisë dhe krijonte kullota për dhentë e gjedhët, por edhe ngaqë atje kryqëzoheshin rrugë të rëndësishme që vinin nga disa drejtime. Nga Egjipti, një rrugë e lashtë që kalonte nëpër Kadesh-Barnea, ngjitej në «rrugën e puseve» deri në Beer-Shebë. Atje bashkohej me një rrugë tjetër ku udhëtonin karvanët e deveve që vinin nga «mbretëritë e erëzave» të Gadishullit Arabik dhe drejtoheshin për në Filisti ose Judë. Nga Ezion-Geberi, në skaj të gjirit të ʽAkabës, një tjetër rrugë përshkonte Arabahun e kthehej pastaj drejt perëndimit, duke u ngjitur nëpër të përpjetën e Akrabimit deri në Beer-Shebë. Në Gazë, në rrafshinën e Filistisë, nga rruga kryesore ndahej një rrugë që shkonte drejt juglindjes deri në Beer-Shebë. Gjithashtu, Beer-Shebën e lidhte me pjesën tjetër të Judës një rrugë që shkonte drejt verilindjes, duke u ngjitur në rrafshnaltë e në malet e Judës, deri në Jerusalem e më tej në veri.—Zn 22:19.
Për herë të parë, ky vend përmendet në lidhje me Agarën që u end me të birin, Ismaelin, «në shkretëtirën e Beer-Shebës» pasi e përzuri Abrahami. (Zn 21:14) Agara mendoi se Ismaeli do të vdiste nga etja dhe u largua prej tij. Mirëpo Perëndia e dëgjoi zërin e djalit dhe e drejtoi Agarën për te një pus. (Zn 21:19) Nga sa tregohet më pas, atë pus mund ta kishte hapur Abrahami kohë më parë, por kishte mbetur pa emër. Disa filistinë kishin shtënë në dorë me dhunë një pus të asaj zone, me sa duket pa e marrë vesh Abimeleku, mbreti i Gerarit. Ai dhe Fikoli, kreu i ushtrisë së tij, shkuan tek Abrahami për t’i propozuar një besëlidhje paqeje. Kur Abrahami e kritikoi ashpër Abimelekun ngaqë shërbëtorët e tij e kishin marrë me dhunë pusin, Abimeleku u betua se nuk dinte gjë, bëri një besëlidhje me Abrahamin dhe pranoi prej tij shtatë qengja femër, si dëshmi se pusi i përkiste Abrahamit. «Prandaj [Abrahami] e quajti atë vend Beer-Shebë, sepse atje ata të dy u betuan.» (Zn 21:31) Pas kësaj, mbolli atje një brukë dhe thirri «emrin e Jehovait, të Perëndisë së përjetësisë». (Zn 21:33) Kur udhëtoi për në Moriah që të flijonte Isakun, Abrahami u nis nga Beer-Sheba dhe u kthye të banonte atje.—Zn 22:19.
Pas vdekjes së Abrahamit, filistinët i mbyllën puset që kishte hapur ai. Por më vonë, Isaku u vendos me banim në atë zonë dhe nisi t’i hapte prapë e t’i quante me emrat që u kishte vënë i ati. (Zn 26:18) Ngaqë filistinët i kundërviheshin, u largua nga një vend në tjetrin, derisa gjeti në Rehobot një vend mjaft të madh, e më pas u ngjit në Beer-Shebë. (Zn 26:22, 23) Ndërsa shërbëtorët e Isakut po gërmonin një pus në Beer-Shebë, Abimeleku, ndoshta një tjetër mbret i Gerarit (me të njëjtin emër a titull si mbreti që bëri besëlidhjen me Abrahamin, ose ndoshta po ai mbret), shkoi bashkë me Fikolin, kreun e ushtrisë, tek Isaku që t’i propozonte një besëlidhje paqeje. Si u shtruan në gosti dhe hëngrën e pinë, të nesërmen në mëngjes u ngritën herët e iu betuan njëri-tjetrit. Po atë ditë, nga pusi doli ujë, dhe Isaku e quajti Shibah, që do të thotë «betim; ose shtatë» dhe i referohet një betimi të bërë për shtatë gjëra. (Zn 26:31-33; shih SHIBAHU.) Me emrin «Shibah» (një formë tjetër e emrit Shebë), Isaku siç duket po ruante emrin Beer-Shebë që i kishte vënë Abrahami atij vendi. Zanafilla 26:18, e përmendur më sipër, tregon se ekziston mundësia që ky pus i rihapur nga njerëzit e Isakut të ishte i njëjti pus që kishte hapur dikur Abrahami. Gjatë viteve që jetoi në Beer-Shebë, Isaku bekoi Jakobin në vend të Esaut dhe e dërgoi në Haran që të merrte grua nga bijat e Labanit, vëllait të nënës së tij. (Zn 28:1, 2, 10) Më vonë, Jakobi, i quajtur në atë kohë Izrael, i bëri flijime Perëndisë së Isakut në Beer-Shebë, ndërsa udhëtonte për tek i biri, Jozefi, në Egjipt.—Zn 46:1-5.
Kaluan më shumë se 250 vjet para se Kanaani të ndahej mes 12 fiseve të Izraelit. Ndërkohë, në Beer-Shebë ishte ngritur një qytet (Js 15:21, 28) i cili iu dha fisit të Simeonit si qytet-enklavë brenda territorit të Judës. (Js 19:1, 2) Atje shërbyen si gjykatës bijtë e Samuelit. (1Sa 8:1, 2) Kur Elija iku për t’i shpëtuar zemërimit të mbretëreshës Jezebelë, e la shërbëtorin e tij në Beer-Shebë, ndërsa vetë mori udhën drejt jugut, kaloi Negebin e shkoi deri në Horeb. (1Mb 19:3) Zibia, e ëma e Jehoasit, mbretit të Judës, ishte nga ky qytet. (2Mb 12:1) Beer-Sheba u përmend si skaji i fundit në regjistrimin e mbarë popullit të Izraelit të urdhëruar nga Davidi (2Sa 24:2, 7) dhe si pikënisja e reformave të adhurimit që bëri Jehozafati. (2Kr 19:4) Nga ato që thotë Amosi për Beer-Shebën e kohës së tij, del në pah se ajo ishte shndërruar në një vend ku kryheshin veprimtari fetare të papastra (Am 5:5; 8:14), që mund të kishin ndonjë lidhje me mbretërinë veriore idhujtare. Atje, si në shumë pjesë të tjera të Izraelit, janë zbuluar statujëza të perëndeshës Astartë. Që nga ajo kohë, përveç një rasti ku përmendet kalimthi ripopullimi i qytetit dhe i fshatrave të tij pas mërgimit në Babiloni (Ne 11:27), emri i Beer-Shebës nuk shfaqet më në Bibël.
Mendohet se qyteti i epokës së mbretërve është Tell-es-Sabaʽ (Tel-Beʼer-Shevaʽ), 4 km në lindje të Beʼer-Shevëʽs së sotme. Shkrimtarët jobiblikë të shekullit të 4-t të e.s. e përshkruajnë Beer-Shebën e atëhershme si një fshat të madh ose qytezë me një garnizon romak. Sot qyteti ndodhet akoma në një udhëkryq dhe është treg i rëndësishëm. Edhe pse rajoni i Beer-Shebës është stepë, ku bien mesatarisht vetëm 15-20 cm reshje në vit, toka është pjellore dhe në atë zonë ka ferma të begata. Atje gjenden disa puse, më i madhi ndër të cilët e ka diametrin afro 4 m dhe është hapur duke gërmuar rreth 5 m thellë në shkëmb të fortë.