BERNIKA
[nga rrënja e fjalës që do të thotë «mposht»].
E bija e Herod Agripës I dhe e Kiprozës, gruas së tij. Lindi rreth vitit 28 të e.s.; ishte motra e Mariamnës III, e Drusilës dhe e Herod Agripës II. (Shih HERODI nr. 4.) Në vitin 58 të e.s., Bernika dhe vëllai i saj, Agripa, i bënë një vizitë guvernatorit Fest në Cezare, ku të dy me ftesë të Festit, ‘me shumë salltanet hynë në sallën e audiencës bashkë me komandantët ushtarakë dhe me burrat e shquar të qytetit’. Pastaj sollën aty edhe të burgosurin Pavël dhe e lejuan të paraqiste një mbrojtje të fuqishme e bindëse para gjithë këtyre dinjitarëve.—Ve 25:13, 23; 26:1-30.
Në moshë shumë të re, ajo u martua me Markun, birin e Aleksandër Lisimakut. Pas vdekjes së tij, u martua me xhaxhanë e saj, Herodin, mbretin e Kalkisit, me të cilin pati dy djem para se ai të vdiste në vitin 48 të e.s. Më pas, jetoi me të vëllanë dhe, kur u hapën fjalë se ishin përfshirë në incest, u martua me Polemon, mbretin e Kilikisë, pasi ai pranoi të përqafonte judaizmin. Megjithatë, s’kaloi shumë dhe ajo e braktisi për t’u bashkuar sërish me të vëllanë. Pikërisht në këtë kohë, ajo dhe Agripa shkuan për vizitë në Cezare.
Në vitin 65 të e.s., Bernika rrezikoi jetën për të mbrojtur judenjtë nga Flori, që kishte nxitur gjakderdhje e përleshje në Jerusalem. Më vonë, ajo dhe i vëllai, si shumë të tjerë, iu betuan për besnikëri perandorit romak, Vespasianit. Biri i perandorit, Titi, e mori Bernikën në Romë që të bëhej gruaja e tij, megjithëse ajo ishte dhjetë vjet më e madhe. Megjithatë, protesta e romakëve që i trembeshin idesë së një mbretëreshe judeje, e detyroi ta ndërpriste lidhjen.