KALNEHU
1. Qytet i themeluar nga Nimrodi në vendin e Shinarit. (Zn 10:10) Pra, me sa duket, gjendej në jug të Mesopotamisë, por vendndodhja nuk dihet me siguri. Duke u bazuar në traditën talmudike dhe në faktorë të tjerë, prej shumë kohësh është hedhur ideja se ndodhej aty ku është Nipuri, një qytet i lashtë babilonas, rreth 85 km në juglindje të Babilonisë. Por disa studiues parapëlqejnë idenë se Kalnehu ishte Kulunu, emri i hershëm i një qyteti me njëfarë rëndësie në afërsi të Babilonisë. Një mundësi e tretë është Hursagkalama, një qytet binjak i Kishit, pjesa e fundit e emrit të të cilit (kaláma) mendohet se përfaqëson Kalnehun. Në disa versione të Biblës, Kalnehu nuk përkthehet si emër vendi, por me shprehjen «të gjithë ata». Kështu shkrimi del: «Babelin, Erekun, Akadin dhe të gjithë ata, në vendin e Shinarit.» Mirëpo kjo do të kërkonte një ndryshim në shenjat zanore të tekstit masoretik.
2. Një vend i përmendur nga profeti Amos, tok me qytetet e Hamathit dhe të Gathit, kur paralajmëroi popullin e Izraelit dhe të Judës për gjëmën që u kanosej. (Am 6:2) Sipas disa komentuesve, është i njëjti me nr. 1 sipër; por shumica e studiuesve mendojnë se fakti që përmendet bashkë me Hamathin dhe Gathin tregon se Kalnehu gjendej në zonën në lindje të detit Mesdhe, e jo në Mesopotami. Ata hedhin idenë se ishte Kullani i mbishkrimeve asiriane të gjetura në veri të Sirisë (që, me sa duket, përkon me Kullan-Koin e sotëm, rreth 16 km në juglindje të Arpadit), të cilin Tiglath-Pileseri III e përmend ndër vendet që u vunë nën zgjedhë gjatë një fushate të Asirisë në perëndim. Në rast se është kështu, atëherë ky Kalneh mund të jetë Kalnoja i përmendur tek Isaia 10:9.