KAFTORI, KAFTORIMËT
Kaftorimi përmendet mes pasardhësve të Kamit nëpërmjet Mizraimit. (Zn 10:6, 13, 14; 1Kr 1:12) Në një periudhë të papërcaktuar para Daljes së izraelitëve nga Egjipti (1513 p.e.s.), kaftorimët kishin shtënë në dorë një territor në pjesën jugperëndimore të Kanaanit, pasi kishin shpronësuar popullin e avimëve. (Lp 2:23) Në vargje të tjera, emri Kaftor (ndryshe, Kretë, BR) përdoret për ‘ishullin’ ose ‘brigjet’ (Dio, AT, e të tjera) prej nga u shpërngulën filistinët që shkuan në Kanaan.—Jr 47:4; Am 9:7.
Vendndodhja e Kaftorit ka qenë çështje debatesh të shumta. Ndër vendet e sugjeruara janë zona e deltës në Egjipt, bregu juglindor i Azisë së Vogël (përfshirë Kilikinë), Kapadokia dhe Kreta. Shumica e studiuesve sot anojnë nga ideja se Kaftori ishte ishulli i Kretës, pranë bregut juglindor të Greqisë. Sipas disave, në të përfshiheshin edhe ishujt dhe vendet bregdetare fqinje. Mendohet se Kaftori paraqitet me emrin Kaptara në dokumentet asiro-babilonase dhe me emrin Kfty(v) në mbishkrimet egjiptiane. Dëshmitë tregojnë se egjiptianët (pasardhës të Mizraimit edhe ata) bënin tregti me kretasit qysh nga kohët e lashta, ndoshta që nga epoka e Abrahamit.
Mjaft studiues mendojnë se «kaftorimët» e përmendur te Ligji i përtërirë 2:23, në të vërtetë janë filistinët. Megjithatë, për filistinët shkruhet se dolën nga Kasluhimi (një degë tjetër e pasardhësve të Mizraimit), prandaj mund të quheshin kaftorimë vetëm në kuptimin gjeografik (jo nga ana gjenealogjike ose origjina), pra, në kuptimin që kishin jetuar në territorin e Kaftorit para se të shkonin në Kanaan. Në atë kuptim, ata mund të quheshin kaftorimë njësoj siç u quajt sirian (ose aramait) hebreu Jakob. (Lp 26:5) Përndryshe, te Ligji i përtërirë 2:23 nuk bëhet fjalë për filistinët dhe populli i Kaftorimit duhet të ketë pasur emigrantët e vet në Kanaan.