KAUDA
Ishull pranë bregut jugperëndimor të Kretës ku kaloi apostulli Pavël dhe Luka gjatë udhëtimit për në Romë rreth vitit 58 të e.s. Pasi ngriti spirancën nga Limanet e Mira, anija lundroi përgjatë bregut jugor të Kretës, ka të ngjarë pasi i kishte rënë përqark kepit të Matalës, kur e rrëmbeu dhe e tërhoqi një erë e stuhishme që mund ta kishte shtyrë drejt rërës thithëse, pranë brigjeve të Afrikës Veriore. Gjithsesi arritën në një vend që i mbronte nga era, në ‘një ishull të vogël, të quajtur Kauda’ dhe duket se, falë pozicionit të ishullit, era nuk ishte aq e fortë, kështu që anija mundi të lundronte në ujëra më të qeta, ndoshta përgjatë bregut jugperëndimor të ishullit. Prandaj, ekuipazhi pati kohë mjaftueshëm të ngrinte varkën në bord, të ngjeshte anijen nga poshtë dhe të ulte pajisjet e lundrimit.—Ve 27:13-17.
Kauda që përmendet në tregimin e Lukës, sot quhet Gavdos, ishull 11 km i gjatë dhe 5 km i gjerë që ndodhet afro 65 km në perëndim-jugperëndim të Limaneve të Mira.