KENKREA
Te Veprat 18:18 thuhet se në Kenkre Pavli i qethi flokët ngaqë kishte marrë një zotim dhe, më pas, me sa duket lundroi nga Kenkrea në Efes bashkë me Prishilën dhe Akuilën (rr. 52 të e.s.). Kur u shkroi romakëve, gati katër vjet më vonë, apostulli foli për «kongregacionin e Kenkresë» dhe letrën mund t’ua ketë çuar nëpërmjet Febës, e cila ishte nga ky qytet.—Ro 16:1, 2.
Kenkrea ndodhej në një istëm të ngushtë, në anën e Gjirit Saronik afro 11 km në lindje të Korintit, me të cilin e lidhte një varg fortifikatash. Kenkrea shërbente si port i Korintit për vendet në lindje të Greqisë, ndërsa Lekeumi, në anën tjetër të istmit, shërbente si port i Korintit për Italinë dhe vendet në perëndim. Në rrënojat e kësaj zone përfshihen ndërtesa dhe dallgëpritëse që ndodhen pranë fshatit të sotëm të Kekriaisit.