KEDORLAOMERI
Mbret i Elamit të lashtë, i cili para se Abrahami të hynte në Tokën e Premtuar në vitin 1943 p.e.s., e kishte shtrirë sundimin e tij drejt perëndimit deri në kufi me Egjiptin. Pas 12 vjetësh skllavëri, pesë mbretërit afër skajit jugor të Detit të Vdekur u rebeluan kundër kryezotit të tyre në lindje. Në vitin 14-të, Kedorlaomeri dhe tre aleatët e tij, Amrafeli nga Shinari, Arioku nga Elasari dhe Tidali nga Gojimi, shkuan në perëndim që të shtypnin kryengritjen. Ata u nisën nga veriu dhe përparuan drejt jugut. Gjatë rrugës shtinë në dorë qytetet përgjatë rrugëve tregtare në lindje të Jordanit dhe në jug të Detit të Vdekur, në territorin që më vonë u pushtua nga amalekitët. Kështu nuk e patën të vështirë të dëbonin pesë mbretërit që ndezën revoltën.
Mes robërve të Kedorlaomerit ishte edhe nipi i Abrahamit, Loti, që jetonte aty afër. Me ta marrë vesh, Abrahami filloi t’i ndiqte këmba-këmbës bashkë me 318 shërbëtorë të tij të armatosur. Ata i zunë forcat armike shumë më të mëdha në numër në Dan, i ndoqën deri në Hobah, në veri të Damaskut, çliruan Lotin dhe morën zotërimet e tij.—Zn 14:1-17.
Emri Kedorlaomer nuk është gjendur në lista e sundimtarëve të lashtë të Elamit, por pranohet si emër elamit. Kudur, që mund të jetë një variant i Kedor, shfaqet në shumë emra të përbërë, ndërsa Lagamar, që ngjan disi me laomer, ishte emri i një perëndie armike.