KIOSI
Një nga ishujt më të mëdhenj të Egjeut që ndahet nga bregu perëndimor i Azisë së Vogël me anë të një ngushtice 8 km të gjerë a më shumë. Ishulli është afro 50 km i gjatë (nga veriu në jug) dhe 13 deri në 29 km i gjerë (nga lindja në perëndim).
Kiosi përmendet te tregimi i Veprave 20 që flet për kthimin e Pavlit në Jerusalem, aty nga fundi i udhëtimit të tretë misionar, rreth vitit 56 të e.s. Anija me të cilën po udhëtonte Pavli u nis nga Mitilena (Ve 20:14), afro 100 km në verilindje të Kiosit, ka të ngjarë në mëngjes, dhe ‘mbërriti përballë [tij]’ (Ve 20:15) mbase në të perënduar. Pastaj, ditën tjetër vazhduan udhëtimin për në Samo, afro 100 km më në jug.
Në kohën e udhëtimit të Pavlit, Kiosi konsiderohej qytet-shtet i pavarur i provincës romake të Azisë, status që e mbajti deri në sundimin e perandorit Vespasian (69-79 të e.s.). Si ishullin edhe qytetin e tij kryesor, grekët e quajnë Khios dhe italianët Chio.