KOSI
Kryeqyteti i ishullit me të njëjtin emër, në skajin verilindor të këtij ishulli. Ndodhet pranë bregut jugperëndimor të Azisë së Vogël. Pozita e tij e favorshme kontribuoi qysh herët në rëndësinë e madhe tregtare dhe detare.
Me sa duket, apostulli Pavël lundroi pranë këtij qyteti kur po shkonte nga Efesi në Cezare, aty nga fundi i udhëtimit të dytë misionar, rreth vitit 52 të e.s. (Ve 18:21, 22) Por, ishulli Kos përmendet te libri i Veprave vetëm nga fundi i udhëtimit të tretë misionar, rreth katër vjet më vonë. Pavli ‘mezi u nda’ nga mbikëqyrësit efesianë me të cilët foli në Milet (Ve 20:17, 36-38) e pastaj, bashkë me Lukën, hipi në një anije që falë erërave të mbara lundroi drejt—domethënë e shtyrë nga era dhe pa devijuar—për afro 75 km përgjatë bregdetit, derisa ‘arriti në Kos’. Disa komentues kanë përllogaritur se me erërat e Egjeut, që zakonisht fryjnë nga veriperëndimi, kjo distancë mund të përshkohej për afro gjashtë orë, e kështu, siç tregon Luka, anija ku po udhëtonte Pavli mund të mbërrinte në Kos në të njëjtën ditë që nisi lundrimin nga Mileti. Ka shumë të ngjarë që anija të ketë qëndruar një natë e ankoruar afër bregut lindor të Kosit dhe të ketë mbërritur në Rodos «të nesërmen», pasi kishte nisur në mëngjes udhëtimin prej rreth 120 km.—Ve 21:1, DSF.
Ishulli i Kosit ishte i famshëm për një kohë të gjatë si qendër e komunitetit të judenjve në Egje. Ishte shtet i pavarur romak në provincën e Azisë dhe, sipas Tacitit, Klaudi e përjashtoi nga taksat më 53 të e.s.