KUTI, KUTAHU
Emrat «Kut» dhe «Kutah» i referohen që të dy atdheut të një populli që mbreti i Asirisë e transferoi në qytetet e Samarisë, pasi Izraeli u çua në mërgim në vitin 740 p.e.s. (2Mb 17:23, 24, 30) Mirëpo të shpërngulurit nga Kutahu dhe nga vende të tjera i sulmonin vazhdimisht luanët dhe, pasi i kërkuan ndihmë mbretit të Asirisë, iu dërgua një prift me origjinë nga mbretëria veriore e Izraelit. Meqë adhurimi i praktikuar në Izrael e kishte humbur prej kohësh miratimin e Perëndisë (1Mb 13:33, 34; 16:31-33), shërbimet e atij prifti nuk i bënë njerëzit adhurues të vërtetë të Jehovait. Në fakt, kolonët «adhuronin perënditë e veta»; ata nga Kutahu vazhduan t’i shërbenin perëndisë së tyre, Nergalit. Pasardhësit që lindën nga krushqitë e ‘njerëzve nga Kutahu’ dhe nga kombet e tjera me izraelitët që kishin mbetur në vend, në përgjithësi u quajtën «samaritanë». Sipas historianit Jozef, «në gjuhën hebraike ata quheshin kutej (kutimë), kurse grekët i quanin samareitai (samaritanë)». (Antikitete judaike, IX, 290 [xiv, 3]) Me sa duket, termi «kutim» përdorej ngaqë mes të shpërngulurve të parë mbizotëronin ata që vinin nga Kutahu.—2Mb 17:24-41.
Kur në Tell-Ibrahim (Imam-Ibrahim), rreth 50 km në verilindje të Babilonisë, u zbuluan disa pllaka që shërbenin si kontrata, në të cilat gjendet emri Kutu (fjala në gjuhën akadiane për Kut), shumica e gjeografëve arritën në përfundimin se Tell-Ibrahimi është Kutahu i Biblës. Duket se dikur Kutahu ishte ndër qytetet më të rëndësishme në Perandorinë Babilonase dhe ka të ngjarë të kishte një sipërfaqe goxha të madhe, pasi pirgu që ngrihet sot në atë vend është rreth 18 m i lartë dhe e ka perimetrin 3 km. Mes atyre rrënojave ka një vend që mendohet se ishte një tempull i lashtë kushtuar Nergalit, dhe kjo përputhet me pohimin e Biblës se «burrat e Kutit» ishin adhurues të asaj perëndie.—2Mb 17:29, 30.