QIPROJA
Ishull në skajin verilindor të detit Mesdhe, afro 70 km nga bregdeti i Kilikisë, Azi e Vogël, dhe rreth 100 km nga bregdeti i Sirisë. Qiproja është ishulli i tretë në Mesdhe për nga madhësia, pas Sicilisë dhe Sardenjës. Pjesa kryesore e Qipros është gati 160 km e gjatë, ndërsa rripi i ngushtë i tokës që zgjatet në verilindje është edhe nja 72 km të tjerë. Në pikën më të gjerë është 97 km. Viset jugperëndimore janë malore ku maja më e lartë është mali i Olimpit ose i Trodosit, 1.951 m. Përgjatë bregdetit verior shtrihet edhe një vargmal tjetër e midis këtyre ndodhet rrafshina qendrore. Majat e maleve vishen me dëborë në dimër, kurse në rrafshina vera është e nxehtë dhe e thatë. Që në lashtësi ishulli ishte i famshëm për rezervat e pasura të bakrit dhe emri i tij u bë sinonim i këtij metali.
Dëshmitë historike tregojnë kryesisht se Qiproja është ‘Kitimi’ i Shkrimeve Hebraike. (Is 23:1, 12; Dn 11:30) Ishulli nuk ishte i njohur vetëm për bakrin, por edhe për lëndën drusore të cilësisë së lartë, sidomos për drurin e qiparisit, që me sa duket eksportohej në Tir, në bregdetin fenikas, ku shfrytëzohej për ndërtimin e anijeve.—Ezk 27:2, 6.
Meqë thuhet se Qiproja është Kitimi biblik, është e logjikshme të mendojmë që banorët e parë të Qipros të kishin ndonjë lloj lidhjeje me Greqinë. (Shih Zn 10:4; Javani është paraardhësi i jonëve ose i grekëve të lashtë.) Dhe, siç tregohet në artikullin KITIMI, kjo lidhje ekzistonte.
Pas fitores së Aleksandrit të Madh në betejën e Isusit më 333 p.e.s., mbretërit e qytet-shteteve të Qipros ranë nën sundimin grek. Me vdekjen e Aleksandrit, Qipron e shtiu në dorë dinastia e Ptolemenjve të Egjiptit dhe ishulli mbeti kryesisht nën sundimin egjiptian deri më 58 p.e.s., kur e aneksoi Roma. Ndonëse judenjtë e Qipros nuk përmenden, ka të ngjarë të kenë qenë në Jerusalem për festën e Ditës së Pesëdhjetë më 33 të e.s. Në Qipro kishte lindur leviti Jozef, që njihej më shumë si Barnaba.—Ve 4:36.
Krishterimi. Për shkak të përndjekjes që filloi pas martirizimit të Stefanit, dishepujt u shpërndanë e ca prej tyre shkuan në Qipro dhe u dëshmuan judenjve që banonin këtu. Disa të krishterë qipriotë shkuan në Antioki, në bregdetin sirian, përballë Qipros, dhe predikuan me shumë sukses mes atyre që, po ashtu, flitnin greqisht. (Ve 11:19, 20) Nga Antiokia, Pavli dhe Barnaba bashkë me Gjon Markun nisën udhëtimin e parë misionar (rr. 47-48 të e.s.), dhe predikimin e filluan në Qipro, vendlindjen e Barnabës. Kur mbërritën në qytetin e rëndësishëm tregtar të Salaminës, në bregun lindor të Qipros, gjetën më shumë se një sinagogë, e kjo tregon se kishte komunitet judenjsh goxha të madh. Pasi shpallën Fjalën e Perëndisë këtu, udhëtuan përmes gjithë ishullit deri në Pafo, në bregun perëndimor, asokohe kryeqyteti i provincës romake të Qipros. Në këtë vend takuan prokonsullin Sergj Pal që shfaqi interes për lajmin e mirë dhe Elimin (Bar-Jezuin) që iu kundërvu predikimit të tyre.—Ve 13:1-12.
Historiani Lukë është i saktë kur përmend një prokonsull në Qipro. Ishulli kishte kaluar nën autoritetin e Senatit të Romës në vitin 22 p.e.s., prandaj guvernatori i tij që nga ajo kohë nuk mbante më titullin emisar por prokonsull, pra përfaqësonte Senatin.
Nga porti i Pafos, Pavli dhe shokët e tij lundruan drejt Pamfilisë, në bregdetin e Azisë së Vogël. (Ve 13:13) Rreth dy vjet më vonë, Barnaba u kthye në vendlindje me Gjon Markun për të vazhduar veprën e bërjes së dishepujve, ndërsa Pavli nisi udhëtimin e dytë misionar nëpër Azinë e Vogël (rr. 49 të e.s.). (Ve 15:36-41) Në përfundim të udhëtimit të tretë (rr. 56 të e.s.), kur Pavli lundroi nga Patara në bregun jugperëndimor të Azisë së Vogël për në Feniki, kaloi shumë afër Qipros por ‘e la pas në të majtë’, siç duket kaloi skajin jugperëndimor të ishullit dhe vazhdoi lundrimin drejt Tirit. (Ve 21:1-3) Jo shumë kohë më pas, Pavli mbërriti në Jerusalem dhe ndenji si mysafir në shtëpinë e Mnasonit, me origjinë nga Qiproja, siç ishte Barnaba. (Ve 21:15, 16) Gjatë udhëtimit për në Romë, anija lundroi ‘e mbrojtur nga Qiproja, sepse erërat i kishte kundër’. Meqë erërat në atë periudhë të vitit zakonisht fryjnë nga perëndimi dhe veriperëndimi, do të ishte e vështirë të lundroje në det të hapur. Ndoshta për këtë arsye anija lundroi anash skajit lindor të Qipros e më pas përgjatë bregut të Azisë së Vogël, ku falë puhisë së tokës do ta kishte më të lehtë të vazhdonte udhëtimin drejt perëndimit.—Ve 27:4, 5, 9, 12.
[Harta]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin e shtypur)
KILIKI
QIPRO
Pafo
Salaminë
Deti i Madh
SIRI
Antioki