DEDANI
1. Kushit, pasardhës i Raamahut. (Zn 10:7; 1Kr 1:9) Brezat që rrodhën prej tij me sa duket u vendosën me banim në disa vise të Arabisë.
2. Pasardhës i Abrahamit nëpërmjet Jokshanit. (Zn 25:3; 1Kr 1:32) Dedanitët me origjinë nga Jokshani u vendosën me sa duket në jug dhe juglindje të Tokës së Premtuar, pak a shumë në atë zonë ku Abrahami dërgoi gjithë bijtë që i lindi Ketura.—Zn 25:6.
Meqë të dyja familjet e dedanitëve (ata të Raamahut dhe ata të Jokshanit) duket se u vendosën me banim në Arabi, ka njëfarë paqartësie se për cilin Dedan bëhet fjalë, kur ky emër shfaqet në shkrime të mëvonshme biblike. Gjithsesi, fakti që nganjëherë përmendet në lidhje me popuj të tjerë semitë, si ata të Edomit, Temës dhe të Buzit, të bën të mendosh për Dedanin me prejardhje nga Jokshani. Për shembull, thuhet se Dedani ndodhej në njërin skaj të Edomit, të cilin e priste shkretimi. (Ezk 25:13) Gjithashtu, Dedanit në ‘rrafshinën e shkretë’ iu tha që t’ia mbathte para ushtrive sulmuese. Karvanët me banorë nga Dedani duhej të kërkonin strehë në pyje, kurse Temës, përmes territorit të së cilës duket se ia mbathën, iu bë thirrje t’i mbante ikanakët me bukë e ujë. (Is 21:11-15; Jr 49:8) Sikurse Edomi, edhe Dedani së fundi do të detyrohej të pinte kupën me verën e tërbimit të Jehovait.—Jr 25:15, 21, 23.
Studiuesit e lidhin Dedanin me oazën El Ula, afro 120 km në jugperëndim të Taimës.
Në rastet e tjera që përmendet Dedani, nuk kuptohet nëse bëhet fjalë për një popull me prejardhje kamitike apo semitike. Për shembull, Ezekieli 27:15, 20 tregon se Dedani bënte tregti me Tirin. Veç kësaj, Dedani do të shohë me lakmi plaçkitjen e popullit të Perëndisë, të planifikuar nga Gogu i Magogut.—Ezk 38:13.