DEMA
[ndoshta formë e shkurtuar e emrit «Dhimitër» që do të thotë «i Demetrës»].
Për njëfarë kohe bashkëpunëtor i apostullit Pavël. Ai ishte në Romë me Pavlin gjatë burgimit të tij të parë. Përshëndetjet e tij u përfshinë në letrat që u çoi kolosianëve dhe Filemonit. (Kl 4:14; Fl 24) Kur Pavli i shkroi Timoteut gjatë burgimit të tij të dytë, Dema e kishte braktisur tashmë dhe ishte nisur për në Selanik, që mund të ketë qenë vendlindja e tij.—2Ti 4:10.
Nuk thuhet çfarë bëri saktësisht Dema; thuhet thjesht që ai e braktisi Pavlin «ngaqë donte këtë botë». Apostulli nuk thotë se Dema u bë apostat ose kundërshtar. Ndoshta dashuria e tij për gjëra materiale dhe për kënaqësitë e botës u bë më e fortë se dashuria për gjërat frymore. Frika se mos martirizohej me Pavlin mund ta ketë shtyrë të kërkonte një vend më të sigurt për të shpëtuar jetën në sistemin e atëhershëm. Sido të ketë qenë, kur gjërat u vështirësuan, Dema nuk përfitoi nga rasti i mrekullueshëm që iu dha për të forcuar Pavlin, vëllanë e tij.