DHIMITRI
[i Demetrës (perëndeshës greke të bujqësisë)].
1. Argjendar nga qyteti i Efesit në Azinë e Vogël, i cili ndezi një revoltë kundër apostullit Pavël dhe shokëve të tij nga fundi i dy ose tre viteve të qëndrimit të Pavlit në Efes (rr. 53-55 të e.s.), gjatë udhëtimit të tretë misionar. Predikimi i Pavlit kishte pasur sukses, pasi shumë e kishin lënë magjinë dhe i kishin djegur librat. Dhimitri drejtonte një aktivitet mjaft fitimprurës—bënte faltore argjendi të perëndeshës Artemisë. I alarmuar se mos i binin fitimet ngaqë Pavli po bënte dishepuj të Krishtit, ai ngriti në këmbë artizanë e të tjerë. Ia doli ta bënte gjithë qytetin rrëmujë duke përdorur një argument të dyfishtë: rreziku i humbjes së klientëve dhe frika se mos i binte vlera tempullit të Artemisës.
Pas rreth 2 orësh, sekretari i qytetit arriti ta qetësonte gjendjen. Ai tha se, nëse Dhimitri dhe artizanët e tjerë kishin ndonjë akuzë kundër Pavlit dhe shokëve të tij, mund ta zgjidhnin çështjen ligjërisht në gjykatë dhe shtoi se kjo rrëmujë e ngarkonte qytetin me faj para autoriteteve romake për rebelim. Atëherë turma u qetësua, lëshoi bashkëpunëtorët e Pavlit dhe iku nga teatri ku ndodhi kjo trazirë e pahijshme. Pak kohë më vonë, Pavli u nis drejt Maqedonisë.—Ve 19:18, 19, 23-41; 20:1.
2. I krishterë për të cilin apostulli Gjon flet mirë në letrën që i nisi Gajit, rreth vitit 98 të e.s. Gajit mund t’ia ketë çuar letrën vetë Dhimitri. Mbase Gjoni donte ta nxiste Gajin ta mikpriste Dhimitrin në shtëpinë e tij, pasi duket se kongregacionet e kishin zakon të ndihmonin me ushqim e strehim vëllezërit besnikë që udhëtonin në mbështetje të lajmit të mirë.—3Gjo 1, 12.