DIBLAHU
Vend që përmendi Ezekieli (6:14) kur shkroi profecinë e Jehovait për shkretimin që do të vinte mbi Izraelin ngaqë merrej me idhujtari. Nuk njihet ndonjë vend i lashtë me këtë emër, prandaj shumica e studiuesve të sotëm mendojnë se emri «Diblah» erdhi nga gabimi i një skribi gjatë kopjimit të emrit «Riblah», meqë germa e parë hebraike për «R» (ר) ngatërrohet kollaj me germën hebraike për «D» (ד). Nëse është kështu, mund të jetë Riblahu i përmendur në Bibël (rrënojat e të cilit gjenden afër Riblehut të sotëm) pranë lumit Orontes, «në Hamath» (2Mb 23:33), dhe «shkretëtira që shtrihet deri në Diblah [Riblah]» mund të jetë rrafshina e paanë me zhavorr e shkretëtirës së Sirisë që shtrihet në jug dhe në juglindje të Riblahut. Megjithatë, disa i përkthejnë kështu fjalët e Ezekielit: «Nga shkretëtira deri në Riblah.» (RS) Sipas këtij përkthimi, vargu ndoshta tregon se gjykimi i Jehovait do të shtrihej nga «shkretëtira», tradicionalisht kufiri jugor i Tokës së Premtuar (Da 23:31), deri tutje në veri, në rajonin e «Hamathit» (që përfaqësohet nga Riblahu). (1Mb 8:65) Kështu, shprehja që përdor Ezekieli mund të jetë e barasvlershme me shprehjen më të njohur «nga Dani deri në Beer-Shebë».—Gjy 20:1; shih RIBLAHU nr. 2.