DIBONI
1. Qytet në lindje të Detit të Vdekur, që amoriti Sihon ua rrëmbeu moabitëve, por që më vonë ia morën izraelitët kur u futën në vend nën drejtimin e Moisiut.—Nu 21:25-30.
Sot mendohet se vendndodhja e Dibonit të lashtë është Dibani, 5 km në veri të Arnonit dhe 21 km në lindje të Detit të Vdekur. Kohët e fundit, atje janë bërë kërkime arkeologjike intensive dhe është vend i njohur, pasi në vitin 1868, në Diban u zbulua i famshmi Gur i Moabit. Sipas disave, deklaratat e bëra në këtë stelë të ngritur nga Mesha, mbreti i Moabit, tregojnë se Diboni ishte dikur kryeqyteti i tij (që përfshinte Karhahun) dhe «qyteti kryesor i Moabit».
Pak pas pushtimit të parë të asaj zone nga Izraeli, atje banoi fisi i Gadit. Gaditët «ndërtuan [ose rindërtuan] Dibonin» dhe, me sa duket, i vunë emrin e gjatë Dibon-Gad, që përmendet ndër vendet ku fushoi kombi. (Nu 32:34; 33:45, 46) Gjithsesi, Diboni konsiderohej pjesë e trashëgimisë së Rubenit. (Nu 32:2, 3; Js 13:8, 9, 15-17) Ka të ngjarë që, gjatë mbretërimit të Eglonit, Diboni vuajti prapë nën zgjedhën e fuqisë moabite, derisa u çlirua falë fitores së gjykatësit Ehud. (Gjy 3:12-30) Shumë shekuj më pas, «me të vdekur Akabi», Mesha, mbreti i Moabit, ngriti krye kundër sundimit izraelit, siç thuhet në tregimin biblik të 2 Mbretërve 3:4, 5. Bibla nuk e tregon sa zgjati saktësisht ajo revoltë dhe ka mundësi që atëherë Mesha t’ia ketë aneksuar «Karhahut» disa qytete izraelite, siç mburret në Gurin e Moabit. Sidoqoftë, ndryshe nga mbishkrimi propagandistik i Meshës, Shkrimet e bëjnë të qartë se Moabi u thye keqas kur forcat e tij luftuan kundër ushtrive aleate të Izraelit, Judës dhe Edomit.—2Mb 3:4-27.
Më pak se 200 vjet më pas, Diboni njihej prapë si qytet moabit, dhe Isaia (15:2) shpalli një dënim kundër tij. Kështu, për banorët e atyre viseve u profetizua se do të ngjiteshin «në Shtëpi dhe në Dibon, në vendet e larta», që të vajtonin për shkretimin e Moabit.
Disa studiues kanë shtruar hipotezën se Isaia e kishte fjalën për kërcënimin asirian, si pasojë e të cilit njerëzit ‘qanin’ në «vendet e larta» afër Dibonit; gjithsesi, nuk ka asnjë dëshmi për ndonjë shkatërrim të asaj zone nga asirianët. Kur Jeremia, shërbëtor i Jehovait, profetizoi rreth njëqind vjet më vonë se Diboni ‘do të zbriste nga vendi i tij i lavdishëm dhe do të ulej i etur’ (Jr 48:18), profecia e mëparshme e Isaisë me sa duket nuk ishte plotësuar ende. Pra, ky profet i mëvonshëm shpalli sërish një mesazh të ngjashëm, e kështu profecia e dënimit të Moabit u bë dyfish e sigurt. Njëfarë kohe pas rënies së Jerusalemit në vitin 607 p.e.s., kur Nabukodonosori e shkretoi fund e krye Moabin, ka të ngjarë që banorët e Dibonit mbetën jo vetëm ‘të etur’ për lukset e lavdisë së mëparshme, por edhe të braktisur si robër të përulur, të etur në kuptimin e mirëfilltë për ujë e gjëra të tjera të nevojshme.—Jr 25:9, 17-21.
Në Dibon janë zbuluar depo plot me drithë të ruajtur jashtëzakonisht mirë, që mendohet se daton në gjysmën e dytë të mijëvjeçarit të parë p.e.s. Siç duket, kjo vërteton pikëpamjen e disave se rajoni i Dibonit, që edhe sot e kësaj dite jep prodhime të mbara bujqësore, mund të ketë qenë dikur hambar drithi i Palestinës.
Sipas disa komentuesve, Diboni është Dimoni i përmendur tek Isaia 15:9.—Shih DIMONI.
2. Vend në Judë (Ne 11:25) që, sipas disave, ishte Dimonahu.—Js 15:22; shih DIMONAHU.