LIMANET E MIRA
[porte të mira].
Port afër qytetit të Laseas, të cilin e lidhin me Kaloi-Limnionesin, gji në bregun jugor të Kretës që mban ende të njëjtin emër në greqishten e sotme. (Ve 27:7, 8) Ky gji ndodhet rreth 8 km në lindje të kepit të Matalës (Akra-Litinonit), pika më jugore e Kretës.
Rreth vitit 58 të e.s., apostulli Pavël po lundronte nga Mira (në bregun jugor të Azisë së Vogël) duke kaluar në Knid, si i burgosur për në Romë. Rruga më e drejtpërdrejtë nga Knidi në Romë do të kishte qenë në veri të Kretës. Por erërat e kundërta, ndoshta nga veriperëndimi, i detyruan marinarët të shkonin në jug, nga Knidi në Kretë, dhe më pas të lundronin të mbrojtur në bregun jugor të ishullit e të mbërrinin më në fund me vështirësi te Limanet e Mira.—Ve 27:5-8.
Kur menduan të iknin nga Limanet e Mira, «kishte kaluar mjaft kohë», ndoshta ngaqë kishin pritur të qetësohej era ose për shkak të udhëtimit të ngadaltë e të vështirë. Tashmë kishte kaluar agjërimi i Ditës së Shlyerjes (fund shtatori ose fillim tetori), prandaj ishte e rrezikshme të lundroje.—Ve 27:9.
Pavli, i cili kishte qenë shpesh në rreziqe në det dhe i ishte shkallmuar anija të paktën tri herë (2Ko 11:25, 26), rekomandoi me mençuri të dimëronin te Limanet e Mira. (Në tregim nuk thuhet nëse kjo këshillë ishte e frymëzuar apo jo.) Gjithsesi, centurioni, që siç duket ishte përgjegjësi, ia vuri veshin më shumë këshillës së timonierit dhe pronarit të anijes. Limanet e Mira ishte port «i papërshtatshëm» për të dimëruar. Prandaj, të gënjyer edhe nga juga që frynte lehtë, shumica këshilloi të iknin që këtu dhe marinarët nisën lundrimin për në Feniks, më tutje bregut. Shumë shpejt anijen e rrëmbeu një erë e stuhishme dhe në fund u shkallmua në bregun e Maltës, afro 900 km në perëndim.—Ve 27:9-15, 39-41; 28:1.
Për këtë ngjarje te libri i Veprave, Xhejms Smithi shkruan: «Është interesante të vëmë në dukje se çdo hollësi që mësojmë për vendin ku u zhvilluan ngjarjet e këtij tregimi, konfirmon autenticitetin dhe saktësinë e tij. Nga vëzhgimet e z. Braun dhe nga studimet e kohëve të fundit, duket se Limanet e Mira mbrohet kaq mirë nga ishujt, saqë duhet të jetë port goxha i përshtatshëm për të dimëruar, edhe pse jo sa Lutroja [mbase Feniksi]. Dhe duke marrë parasysh befasinë, shpeshtësinë dhe forcën me të cilën nisin stuhitë e erërave veriore dhe sigurinë që, në rast se niste një stuhi e tillë rrugës nga Limanet e Mira në Lutro, era do ta shtynte anijen në det të hapur, maturia e këshillës që dha timonieri dhe pronari i anijes ishte jashtëzakonisht e dyshimtë, kurse këshilla që dha shën Pavli ka shumë të ngjarë të ketë qenë e vlefshme edhe nga pikëpamja e lundrimit.»—The Voyage and Shipwreck of St. Paul, Londër, 1866, f. 85, shën.
[Figura në botimin e shtypur]
Limanet e Mira, Kretë, vendi ku ndaloi anija me të cilën po udhëtonte Pavli si i burgosur për në Romë