BURIMI I GJARPRIT TË MADH
Kjo shprehje hebraike mbart idenë e një burimi, kroi ose pusi të një përbindëshi toke a deti dhe është përkthyer në mënyra të ndryshme, si: «burimit të Dragoit» (Dio) ose «Burimit të Dragoit» (DSF); «Pusit të Gjarprit» (AT ); «Burimit të Kuçedrës» (ECM); «Burimit të Gjarprit të Madh» (BR ). Kurse Septuaginta greke thotë «Burimi i Pemëve të Fiqve».
Burimi ndodhej pranë rrugës që përshkoi Nehemia kur vëzhgoi për herë të parë muret e shembura të Jerusalemit. (Ne 2:12, 13) Meqë ky emër nuk shfaqet më në Shkrime, burimi a pusi duhet të jetë quajtur me emër tjetër në rast se përmendet gjetkë. Në përgjithësi mendohet se emri tjetër është En-Rogel. Ka shumë të ngjarë të jetë kështu sepse, ndonëse En-Rogeli ndodhet goxha poshtë luginës së Kidronit, tregimi thotë thjesht që Nehemia kaloi «përpara Burimit». Kjo mund të ketë kuptimin pranë qoshes së murit përballë En-Rogelit; edhe pse burimi ishte disi larg, shihej prej atje.—Shih EN-ROGELI.