GALIONI
Prokonsulli i Akaisë; para fronit të tij të gjykimit judenjtë e akuzuan Pavlin se i nxiste njerëzit ta adhuronin Perëndinë në një mënyrë tjetër. Galioni i përzuri duke thënë se kjo gjë nuk përbënte dhunim të ligjit romak. Atëherë turma kapi Sostenin, të parin e sinagogës, dhe filloi ta rrihte, por Galioni nuk deshi t’ia dinte as për këtë.—Ve 18:12-17.
Disa burime historike thonë se Galioni kishte lindur në Kordovë të Spanjës aty nga fillimi i shekullit të 1-rë të e.s. Ishte i biri i Senekës, mjeshtrit të madh të fjalës, dhe vëllai më i madh i Senekës që ishte filozof. Fillimisht emri i tij ishte Luc Aneu Novati, por pasi e birësoi Luc Jun Galioni, edhe ky gojëtar i madh, mori emrin e babait birësues.
Një mbishkrim i zbuluar në Delfi ndihmon për të përcaktuar mandatin e Galionit si prokonsull i Akaisë. (Ve 18:12) Meqenëse mbishkrimi ishte i pjesshëm, është dashur që teksti të rindërtohej, megjithatë në të gjendet në mënyrë të padiskutueshme emri i «[Luc Ju]n Galionit, . . . prokonsull». Në përgjithësi historianët pajtohen me idenë se teksti ishte një letër e perandorit Klaud Cezar dhe se numri 26 që gjendet në të ka të bëjë me shpalljen njëzëri të Klaudit perandor për të 26-n herë. (Klaudi i dha Akaisë statusin e një province më vete me të drejta në senat, pra që drejtohej nga një prokonsull.) Ka mundësi që kjo letër të jetë shkruar në gjysmën e parë të vitit 52 të e.s., pasi mbishkrime të tjera tregojnë se Klaudi u shpall perandor për herë të 27-të para 1 gushtit të vitit 52 të e.s. Sipas një mbishkrimi karien dhe një mbishkrimi tjetër në atë që është quajtur Ujësjellësi Klaudia në Romë, shpallja e Klaudit perandor për herë të 26-të dhe të 27-të ndodhi në vitin e 12-të qeverisjes së tij si tribun. Ky vit përkon me periudhën nga 25 janari i vitit 52 të e.s. deri më 24 janar të vitit 53 të e.s. Pra, sundimi i Galionit si prokonsull i Akaisë (detyrë që zakonisht ushtrohej për një vit, duke nisur nga fillimi i verës) duket se zgjati nga vera e vitit 51 të e.s. deri në verë të vitit 52 të e.s., megjithëse disa studiues janë më shumë për periudhën 52-53 të e.s.
[Figura në botimin e shtypur]
Pjesë e një mbishkrimi ku shfaqet emri Galion (ΓΑΛΛΙΩΝ)