BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • it
  • Gaza

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Gaza
  • Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Material i ngjashëm
  • Gazitët
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Filistia, filistinët
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Pyetje nga lexuesit
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Samsoni
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
Shih më tepër
Gjykim i thellë nga Shkrimet
it

GAZA

1. Qytet i lashtë që përfshihet në përshkrimin më të hershëm të kufijve të Kanaanit. (Zn 10:19) Gaza përmendet jo vetëm në rreth 20 shkrime biblike, por edhe në dokumentet e lashta egjiptiane dhe në mbishkrimet e Ramsesit II, Tutmesit III dhe Setit I. Duket se ishte qyteti më jugperëndimor që iu caktua fisit të Judës. (Js 15:20, 47; Gjy 6:3, 4) Banorët e saj quheshin gazitë.​—Js 13:3; Gjy 16:2.

Sipas disave, Gaza është Tell-el-ʽAjuli (Tel-Bet-ʽEglajimi), por gërmimet arkeologjike të bëra atje nuk e mbështetin këtë mendim. Përgjithësisht, qytetin e lashtë e lidhin me Gazën e sotme (Gazeh; ʽAza) që ndodhet rreth 80 km në perëndim-jugperëndim të Jerusalemit. Ndonëse nga deti Mesdhe e ndajnë gati 5 km duna rëre, Gaza shtrihet në një rajon të ujitur mirë e të njohur për ullishtet, pemët frutore, fiqtë e Egjiptit, hardhitë dhe drithërat. Ka mundësi që agrikultura të ketë kontribuar në begatinë e Gazës së lashtë. Por, para së gjithash, ajo ishte e rëndësishme ngaqë ndodhej në rrugën kryesore që lidhte Egjiptin me Palestinën. Kjo e bëri Gazën një portë nga kalonin karvanët dhe ushtritë.

Banohet nga filistinët. Ca kohë para daljes së Izraelit nga Egjipti, në vitin 1513 p.e.s., kaftorimët kamitikë (Zn 10:6, 13, 14) shpronësuan «avimët që banonin nëpër vendbanime deri në Gazë». (Lp 2:23) Kur izraelitët hynë në Tokën e Premtuar, Gaza ishte qytet filistin e mes banorëve të saj kishte edhe anakimë. Edhe pse Izraeli, nën udhëheqjen e Josiut, i shtriu veprimet luftarake deri në Gazë, qyteti nuk u pushtua. Mbeti qytet filistin e vazhdoi të banohej edhe nga anakimë. (Js 10:41; 11:22; 13:2, 3) Gaza i ishte caktuar si trashëgimi fisit të Judës, që e mori më vonë, por nuk arriti ta mbante. (Js 15:20, 47; Gjy 1:18) Në kohën e Samsonit ishte përsëri qytet i fortifikuar filistin, me një «shtëpi» për adhurimin e Dagonit, në tarracën e së cilës mund të qëndronin rreth 3.000 veta, në mos më shumë.

Njëherë Samsoni ishte në Gazë dhe në mesnatë «u ngrit, mbërtheu dyert e portës së qytetit dhe dy mbajtëset anësore e i shkuli bashkë me shulin. Pastaj i ngarkoi mbi supe dhe i çoi në majë të malit që gjendet përballë Hebronit». (Gjy 16:​1-3) Hebroni ishte rreth 60 km larg Gazës. Nuk dihet tamam për cilin mal përballë Hebronit bëhet fjalë. Fakti që Samsoni i mbajti portën dhe mbajtëset anësore për njëfarë largësie, madje i ngjiti deri sipër në mal, ishte një mrekulli që tregoi qartë se fuqia e tij vinte nga fryma.

Më vonë, Samsoni rrëzoi shtëpinë ku adhurohej Dagoni, duke i sjellë vdekjen vetes dhe filistinëve të mbledhur aty.​—Gjy 16:21-30.

Siç duket, Gaza mbeti qytet filistin për gjithë periudhën e gjykatësve (1Sa 6:17) dhe gjatë sundimit të mbretërve të Izraelit. Mbreti Solomon e shtriu sundimin në jugperëndim deri në Gazë, por duket se atje vazhduan të banonin filistinët.​—1Mb 4:21, 24.

Nën sundimin asirian dhe babilonas. Aty nga fundi i shekullit të 9-të p.e.s., me anë të profetit Amos, Jehovai deklaroi se do të dërgonte «një zjarr» në muret e Gazës si ndëshkim për robërit që ajo u dorëzoi edomitëve. (Am 1:6, 7) Ndonëse nuk përcaktohet që ‘robërit’ ishin hebrenj, ka të ngjarë të bëhet fjalë për ata robër që filistinët i kapnin kur mësynin Judën.​—Krahaso 2Kr 21:16, 17; Jo 3:4-6.

Jo shumë kohë pas kësaj, aty nga mesi i shekullit të 8-të p.e.s., Gaza filloi të përfshihej nga ‘zjarri’ i luftës. Sipas analeve asiriane, Tiglath-Pileseri III pushtoi Gazën, por mbreti i saj, Hanoja, ia mbathi në Egjipt. (Ancient Near Eastern Texts, nga Xh. Priçardi, 1974, f. 283) Me sa duket, Hanoja arriti të kthehej përsëri, sepse Sargoni II pretendon se e mundi atë dhe ushtrinë egjiptiane nën komandën e Sibʼeit, që ishte bashkuar me të. Sargoni II thotë se e kapi vetë Hanonë dhe e mori me vargonj.​—Ancient Near Eastern Texts, f. 285.

Që këtej e tutje, në përgjithësi Gaza u tregua besnike ndaj Asirisë. Prandaj, mbase mbreti Hezekia i goditi filistinët deri në Gazë gjatë periudhës kur kishte ngritur krye kundër Asirisë. (2Mb 18:1, 7, 8) Pas kësaj kryengritjeje, mbreti Senakerib filloi fushatën kundër Judës dhe, sipas analeve të tij, qytetet judeje që mori, ua dha Mitintit, mbretit të Ashdodit, Padit, mbretit të Ekronit (që kishte qenë i burgosur në Jerusalem), dhe Silibelit, mbretit të Gazës.​—Ancient Near Eastern Texts, f. 287, 288.

Në kohën e Jeremisë, ushtria egjiptiane goditi Gazën. (Jr 47:1) Para kësaj ngjarjeje, fjala që kishte thënë Jehovai kundër filistinëve tregonte se nga veriu do t’u vinte gjëma: «Gaza do të bëhet e shogët.» (Jr 47:2-5; shih edhe Jr 25:17, 20.) Siç tregojnë edhe vargje të tjera të Jeremisë (1:14; 46:20), ‘ujërat’ nga ‘veriu’ të përmendura te Jeremia 47:2 paraqesin ushtrinë babilonase. Faktikisht, mbreti Nabukodonosor i Babilonisë e pushtoi këtë zonë (2Mb 24:1, 7) dhe në disa mbishkrime babilonase përmendet mbreti i Gazës. (Ancient Near Eastern Texts, f. 308) Prandaj, shprehja «përpara se faraoni të godiste Gazën» (Jr 47:1) duket se tregon thjesht kohën kur Jehovai i drejtoi Jeremisë fjalën për filistinët. Nuk lidhet domosdoshmërisht me gjykimin që do të vinte «nga veriu», për të cilin flitet më poshtë.

Shkatërrohet. Profeti Sofonia, bashkëkohës i Jeremisë, shpalli për Gazën një gjykim të ngjashëm nga Jehovai: «Gaza do të kthehet në një qytet të braktisur.» (So 2:4) Edhe profecia e Zakarisë, e shkruar pas rënies së Babilonisë, tregonte gjëmat që do të vinin: «Gaza do të ndiejë dhembje të forta.» (Za 9:5) Historia vërteton përmbushjen e këtyre gjëmave të parathëna. Në gjysmën e dytë të shekullit të 4-t p.e.s., Aleksandri i Madh pushtoi Gazën pas një rrethimi pesëmujor (dy muaj, sipas Antikitete judaike, XI, 325 [viii, 4]). Shumë banorë të saj u vranë dhe të mbijetuarit u shitën si skllevër. Mbi 200 vjet më vonë, judeu Aleksandër Janeu e shkretoi krejtësisht qytetin pas një vit rrethimi.​—Antikitete judaike, XIII, 364 (xiii, 3).

Gabini, guvernatori romak i Sirisë, urdhëroi rindërtimin e Gazës, por ka të ngjarë në një zonë tjetër. (Antikitete judaike, XIV, 87, 88 [v, 3]) Disa studiues mendojnë se te Veprat 8:26, fjala greke éremos ([vend] i shkretuar) tregon Gazën e vjetër të braktisur (Diodati i Ri, për shembull, thotë: «Ajo është e shkretë.»). Sipas disa të tjerëve, éremos i referohet rrugës që të çon në qytet, prandaj dhe e përkthejnë «ajo është një rrugë e shkretë».​—BR; krahaso JB, NE, RS.

2. Qytet me fshatrat e tij në territorin e Efraimit. (1Kr 7:28) Nuk dihet vendndodhja e saktë. Ka mundësi të ndodhej në afërsi të Ait të lashtë ose ndoshta ishte vetë ky qytet. Në mjaft përkthime të Biblës thuhet «Ajah» dhe këtë e mbështetin shumë dorëshkrime hebraike. Megjithatë, në dorëshkrime të tjera hebraike dhe në Targume ka prova që mbështetin termin «Gaza».

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo