BURRI
Termi hebraik për një burrë të martuar është ʼish (burrë) dhe termi grek është anér (mashkull). (Ho 2:16; Ro 7:2) Terma të tjerë hebraikë të përdorur herë pas here për një burrë të martuar janë ʼadhóhn (zotëri), báʽal (pronar; zotëri) dhe réaʽ (shok; mik). (Zn 18:12; 20:3; Jr 3:20) Në Izrael, edhe një i fejuar konsiderohej si «burrë» dhe vajza si «grua».—Lp 22:23, 24; Mt 1:18-20.
Një burrë fejohej ose lidhte marrëveshje për një martesë të ardhshme, duke i paguar çmimin e nuses ose paratë për blerjen të atit të vajzës ose atyre që shërbenin në këmbë të tij. (Da 22:16, 17) Atëherë, ajo bëhej pronë e tij. (Da 20:17) Për burrin përdorej fjala báʽal, që do të thotë «pronar; zotëri», kurse gruaja quhej beʽuláh, «e marrë në zotërim si grua». (Zn 20:3, shën.; Lp 22:22, shën.; Is 62:4, shën.; shih BEULAH.) Jehovai i tha kombit të lashtë të Izraelit: «Unë jam bërë pronari juaj bashkëshortor [një formë e báʽal].»—Jr 3:14, shën.; Is 62:4, 5; shih TRASHËGIMIA (Periudha e Ligjit).
Në periudhën patriarkale, burri shërbente në familje si prift e gjykatës dhe, siç thonë Shkrimet nga fillimi në fund, burri dhe babai respektohej thellësisht pothuajse gjithnjë.—Zn 31:31, 32; Jb 1:5; 1Pj 3:5, 6; krahaso Lp 21:18-21; Es 1:10-21.
Kryesia. Kur martohet, burri e vë gruan nën një ligj të ri, nën ‘ligjin e burrit’, sipas të cilit ai mund të përcaktojë norma e rregulla për familjen. (Ro 7:2, 3) Ai bëhet kreu i gruas dhe ajo duhet të jetë e nënshtruar ndaj tij. (Ef 5:21-24, 33) Gjithsesi, autoriteti i tij si krye është relativ, duke mbajtur parasysh autoritetin më të lartë të Perëndisë e të Krishtit.—1Ko 11:3.
Ndonëse është kreu i shtëpisë, nga burri pritet të plotësojë detyrimin ndaj gruas së vet, marrëdhëniet seksuale, sepse «burri nuk ka autoritet mbi trupin e tij, por gruaja». (1Ko 7:3-5) Gjithashtu, ai ka përgjegjësinë për mirëqenien frymore dhe materiale të familjes së vet.—Ef 6:4; 1Ti 5:8.
Kryesia sjell përgjegjësi serioze për burrin. Edhe pse është pronari i gruas, ai duhet të pranojë që ajo është e çmuar në sytë e Perëndisë, sidomos nëse është e krishterë. Ai duhet ta dojë gruan si veten, pasi ajo është «një mish i vetëm» me të.—Zn 2:24; Mt 19:4-6; Ef 5:28, 33.
Burrat duhet të tregojnë për gratë e tyre po atë kujdes të dashur që tregon Krishti për kongregacionin. (Ef 5:25, 28-30, 33) S’duhet të harrojnë që gruaja është ‘një enë më e dobët’ dhe duhet nderuar, duke mbajtur parasysh ndërtimin dhe ndryshimet e saj fizike e emocionale. Kjo është e rëndësishme sidomos kur çifti është i krishterë, pasi janë bashkëtrashëgimtarë «të hirit të pamerituar të jetës», në mënyrë që lutjet e burrit të mos pengohen. (1Pj 3:7) Edhe nëse gruaja nuk është besimtare, kjo nuk e justifikon aspak burrin të divorcohet apo të ndahet. Përkundrazi, nëse ajo është dakord, ai duhet të jetojë me të e të kuptojë se mund ta ndihmojë të bëhet besimtare; po ashtu, duhet të punojë edhe për shpëtimin e fëmijëve.—1Ko 7:12, 14, 16; shih ATI, BABAI; FAMILJA; MARTESA.
Divorci. Sipas Ligjit të Moisiut, burri mund të divorcohej nga gruaja, por jo anasjelltas. Nga ai kërkohej që t’i jepte asaj një dëshmi divorci të shkruar. (Lp 24:1-4) Jezu Krishti shpjegoi se në Izrael ky ishte një lëshim për shkak të zemërgurësisë së tyre. (Mt 19:8) Mirëpo, nëse një burrë joshte dhe kryente marrëdhënie seksuale me një virgjëreshë të pafejuar, ajo do të bëhej gruaja e tij (veç rastit kur babai i vajzës nuk pranonte t’ia jepte) dhe burrit nuk i lejohej të divorcohej nga ajo sa të ishte gjallë.—Lp 22:28, 29.
Shkrimet Hebraike dhe Shkrimet e Krishtere Greke nënvizojnë me forcë se burri duhet të ketë marrëdhënie seksuale vetëm me bashkëshorten e tij (Pr 5:15-20) dhe se martesa duhet të nderohet, sepse Perëndia do të gjykojë kurvarët dhe kurorëshkelësit. (He 13:4) Gjatë periudhës patriarkale dhe asaj të Ligjit, Jehovai kishte lejuar poligaminë dhe mbajtjen e konkubinave, mirëpo në kongregacionin e krishterë burri mund të mbajë veçse një grua. (Zn 25:5, 6; 29:18-28; Lp 21:15-17; Mt 19:5; Ro 7:2, 3; 1Ti 3:2) E vetmja arsye kur një i krishterë mund të divorcohet e të martohet sërish, është «kurvëria».—Mt 19:9; shih KURVËRIA.
Përdorimi i figurshëm. Përderisa kombi i lashtë i Izraelit ishte lidhur me Jehovain nëpërmjet besëlidhjes së Ligjit, Perëndia ishte ‘pronari i tyre bashkëshortor’. (Jr 3:14, shën.) Apostulli Pavël e quan Jehovain Atin e të krishterëve të mirosur, bijve të tij frymorë, kurse ‘Jerusalemin lart’ e quan nënën e tyre, duke treguar se Jehovai e konsideron veten si burrin e këtij Jerusalemi.—Ga 4:6, 7, 26; krahaso Is 54:5.
Jezu Krishti shihet si Burri i kongregacionit të krishterë. (Ef 5:22, 23; Zb 19:7; 21:2) Kjo përqasje thekson kryesinë dhe përkujdesin e tij për kongregacionin. Ai dha jetën për nusen e tij dhe vazhdon ta ushqejë e të përkujdeset për të.