JAIRI
1. Pasardhës i Judës nga Hezroni, nipi i tij. Hezroni u martua me një grua nga fisi i Manaseut. (1Kr 2:21, 22) Jairi konsiderohet si pasardhës i Manaseut dhe jo i Judës, ndoshta për shkak të pushtimeve të tij në territorin e Manaseut, ku mori disa qytete ose fshatra me tenda të cilëve u vuri emrin e vet, emër që e mbajtën për shumë breza.—Nu 32:41; Lp 3:14; Js 13:30; 1Mb 4:13; shih HAVOT-JAIRI.
2. Gjykatësi i shtatë i Izraelit. Meqë ishte galadit i një sëre të lartë dhe meqë secili nga 30 bijtë e tij lidhet me një nga qytetet me tenda të Jairit (që përmenden më sipër), ka mundësi që ai të ketë qenë pasardhës i Jairit nr. 1. Jairi qe gjykatës i Izraelit për 22 vjet. Më pas, vdiq dhe e varrosën në Kamon.—Gjy 10:3-5.
3. I ati i Mordekait; nga fisi i Beniaminit.—Es 2:5.
4. I ati i Elhananit që vrau Lahmin, vëllanë e Goliadit. (1Kr 20:5) Me sa duket, në vargun paralel të 2 Samuelit 21:19 duhet të ketë një gabim kopjimi.—Shih LAHMI.
5. I pari i sinagogës (ka të ngjarë të Kapernaumit), të cilit Jezui i ringjalli të bijën.—Mt 9:18; Mr 5:22; Lu 8:41, 42.
Nga fundi i vitit 31 ose fillimi i vitit 32 të e.s., vajza 12-vjeçare e Jairit u sëmur aq rëndë sa s’kishin shpresë se do të rronte. Jairi doli të kërkonte Jezuin, i ra ndër këmbë dhe iu përgjërua të shkonte e ta shëronte para se të ishte tepër vonë. Tek çonte Jezuin në shtëpi, Jairi me siguri është inkurajuar shumë kur ka parë që Jezui shëroi një grua që vuante prej 12 vjetësh nga hemorragjia. Megjithatë, sa e lëshoi zemra kur i thanë se vogëlushja e tij kishte vdekur! Jezui i tha të mos kishte frikë, por të tregonte besim. Ata mbërritën në shtëpi dhe panë njerëzit që po vajtonin me të madhe të cilët, kur Jezui tha se vajza thjesht po flinte, nisën ta tallnin tërë qesëndi. Atëherë Jairi, gruaja e tij dhe tre apostuj hynë bashkë me Jezuin atje ku ishte vajza dhe ai e ringjalli. Siç mund të pritej, Jairi dhe e shoqja «mbetën gojëhapur, të pushtuar nga një gëzim i madh».—Mr 5:21-43; Mt 9:18-26; Lu 8:41-56.