JEDUTHUNI
[ndoshta nga rrënja e fjalës që do të thotë «përlëvdoj»].
1. Muzikant levit. Ka të ngjarë që Jeduthuni më parë të jetë quajtur Etan, pasi para se Arka të çohej në Jerusalem, emri i ‘Etanit’ shfaqet bashkë me atë të muzikantëve të tjerë, Hemanit dhe Asafit, ndërkohë që më vonë, me ta përmendet ‘Jeduthuni’. (1Kr 15:17, 19; 25:1) Paraardhësit e Jeduthunit nuk janë përmendur me emër, kurse ata të Etanit, po. (1Kr 6:44-47) Nga ana tjetër, pasardhësit e Etanit nuk përmenden, kurse të Jeduthunit, po. (1Kr 9:16) Ndryshimi i emrit nga Etan [që do të thotë «i qëndrueshëm; që vërshon përherë»] në Jeduthun [ndoshta nga rrënja e fjalës që do të thotë «përlëvdoj»] sigurisht që pajtohej me caktimin që iu dha.—1Kr 16:41; shih ETANI nr. 3.
Jeduthuni dhe familja e tij, të gjithë muzikantë, morën pjesë në disa kremtime ku ishte me vend ‘të falënderohej e të lëvdohej Jehovai’ (1Kr 25:3), si për shembull, kur arka e besëlidhjes u çua në Jerusalem. (1Kr 16:1, 41, 42) Nga 24 ndarjet në të cilat i riorganizoi Davidi muzikantët e shenjtërores, shorti i 2-të, i 4-t, i 8-të, i 10-të, i 12-të dhe i 14-të u ra gjashtë bijve të Jeduthunit, që punonin të gjithë nën drejtimin e të atit. (1Kr 25:1, 3, 6, 7, 9, 11, 15, 17, 19, 21) Ndarja e këtyre detyrave mes Jeduthunit, Asafit dhe Hemanit, do të thoshte se secila nga tri degët kryesore të levitëve (përkatësisht Merari, Gershomi dhe Kehathi) kishte përfaqësues mes muzikantëve të tempullit. (1Kr 6:31-47) Të gjitha këto grupe e lëvduan Jehovain me muzikë kur Solomoni përuroi tempullin. (2Kr 5:12, 13) Pasardhësit e Jeduthunit përmenden gjatë mbretërimit të Hezekisë, e madje edhe mes të mërguarve që u kthyen nga Babilonia.—2Kr 29:1, 12, 14, 15; Ne 11:17.
Fjala Jeduthun gjendet në tri nga mbishkrimet e psalmeve. Në dy prej tyre (Ps 39, 62) thuhet: «Dirigjuesit. Për Jeduthun», kurse tek i treti (Ps 7 7) thuhet: «Dirigjuesit. Sipas mënyrës së Jeduthunit.» Në të tria rastet, kompozimi i psalmit i atribuohet dikujt tjetër, dy të parët Davidit dhe i treti Asafit. Pra, asgjë nuk tregon se ato i kompozoi Jeduthuni, edhe pse gjetiu ai është quajtur ‘vegimtari i mbretit’ dhe gjithashtu është thënë se «profetizonte me harpë». (2Kr 35:15; 1Kr 25:1, 3) Kështu, mbishkrimet e tri psalmeve të sipërpërmendura duhet të jenë udhëzime për ekzekutimin e tyre, që ndoshta tregojnë një stil ose edhe një vegël muzikore që kishte të bënte në ndonjë mënyrë me Jeduthunin, ose që ai a bijtë e tij mund ta kishin shpikur, prezantuar, perfeksionuar ose përhapur.
2. Levit; biri ose pasardhësi i tij, Obed-Edomi, ishte derëtar në kohën kur Davidi e çoi Arkën në Jerusalem.—1Kr 16:1, 37, 38.