JEHOJAKIMI
[ndoshta: Jehovai ngre].
Një nga mbretërit e fundit të Judës, bir i Josisë dhe i Zebidës; më parë quhej Eliakim. (2Mb 23:34, 36; 1Kr 3:15) Njëmbëdhjetë vitet e sundimit të Jehojakimit (628-618 p.e.s.) u karakterizuan nga padrejtësi, shtypje dhe vrasje. (2Kr 36:5; Jr 22:17; 52:2) Gjithashtu, gjatë mbretërimit të tij, Judën e sulmuan shpesh banda kusarësh nga Kaldea, Siria, Moabi dhe Amoni.—2Mb 24:2.
Pas vdekjes së mbretit Josia, populli i Judës nuk dihet për ç’arsye bëri mbret Jehoahazin, vëllanë e vogël të Eliakimit. Rreth tre muaj më vonë, faraoni Neko e mori rob Jehoahazin dhe bëri mbret në vend të tij Eliakimin 25-vjeçar, të cilit ia ndryshoi emrin në Jehojakim. Veç këtyre, Nekoja i vuri një haraç të rëndë mbretërisë së Judës. Arin dhe argjendin që duhej për të paguar haraçin, mbreti Jehojakim e mori nga nënshtetasit e tij nëpërmjet një takse. (2Mb 23:34-36; 2Kr 36:3-5) Përveç barrës financiare që tashmë rëndonte mbi popullin, Jehojakimi vendosi të ndërtonte një pallat të ri madhështor. Ndoshta për të përballuar shpenzimet, ai u mbajti padrejtësisht pagën punëtorëve. Prandaj, nëpërmjet Jeremisë, Jehovai shpalli mjerimin për këtë mbret të lig dhe tha se do të varrosej si një gomar.—Jr 22:13-19.
Në fillim të mbretërimit të Jehojakimit, Jeremia paralajmëroi se nëse populli nuk pendohej, Jerusalemi dhe tempulli i tij do të shkatërroheshin. Pas kësaj, profetin e kërcënuan me vdekje. Megjithatë, Ahikami, një burrë i shquar, i doli në mbrojtje Jeremisë dhe e shpëtoi. Kohë më parë, një profeci e ngjashme nga Urijahu e kishte zemëruar aq shumë Jehojakimin sa kishte vendosur ta vriste. I trembur, Urijahu ia kishte mbathur në Egjipt, megjithatë nuk i kish shpëtuar tërbimit të mbretit. Jehojakimi kishte dërguar njerëz që ta kapnin dhe pastaj e kishte vrarë me shpatë.—Jr 26:1-24.
Vitin e 4-t të mbretërimit të Jehojakimit (625 p.e.s.) Nabukodonosori mundi faraonin Neko në një betejë për të marrë Sirinë dhe Palestinën. Beteja u zhvillua në Karkemish afër Eufratit, më shumë se 600 km në veri të Jerusalemit. (Jr 46:1, 2) Po atë vit, Jeremia i diktoi Barukut, sekretarit të tij, fjalët e Jehovait kundër Izraelit, Judës dhe gjithë kombeve të tjera, mesazhe që kishin filluar të shpalleshin që vitin e 13-të të mbretërimit të Josisë (kur Jehojakimi ishte rreth gjashtë vjeç). Pothuaj një vit më vonë, në muajin e 9-të hënor (hislev, nëntor/dhjetor), rrotullën ku ishte shkruar mesazhi e lexuan para mbretit Jehojakim. Pasi Jehudi lexoi tri a katër kolona, atë pjesë mbreti e preu dhe e hodhi në zjarrin e mangallit në shtëpinë e tij dimërore, kështu gjithë rrotulla përfundoi pjesë-pjesë në zjarr. Jehojakimi nuk ua vuri veshin tre princave të tij që iu lutën të mos e digjte rrotullën. Ai ishte sidomos kundër fjalëve profetike që flisnin për shkretimin e Judës nga mbreti i Babilonisë. Kjo tregon se Nabukodonosori nuk e kishte sulmuar ende Jerusalemin dhe nuk e kishte bërë Jehojakimin vasal të tij.—Jr 36:1-4, 21-29.
Libri i Dytë i Mbretërve 24:1 tregon se Nabukodonosori i bëri presion mbretit të Judës «dhe kështu Jehojakimi u bë shërbëtori i tij [ose vasal] për tre vjet. Megjithatë, këtij [Jehojakimit] iu kthye mendja dhe ngriti krye kundër tij [Nabukodonosorit]». Me sa duket, Danieli 1:1 i referohet pikërisht këtij viti (vitit të 3-të) të mbretërimit të Jehojakimit si mbret vasal i Babilonisë. Nuk ka se si të jetë i treti nga 11 vitet e mbretërimit të tij në Judë, sepse asokohe Jehojakimi nuk ishte vasal i mbretit të Babilonisë, por i Nekos, faraonit të Egjiptit. Me fitoren e tij në Karkemish (625 p.e.s. [me sa duket pas nisanit]), vitin e katërt të mbretërimit të Jehojakimit në Judë, Nabukodonosori i dha fund zgjedhës egjiptiane mbi Sirinë dhe Palestinën. (Jr 46:2) Meqë revolta e Jehojakimit kundër Babilonisë çoi në rrëzimin e tij nga froni pas 11 vjetësh, mbretërimi i tij 3-vjeçar si vasal i Babilonisë duhet të ketë filluar aty nga fundi i vitit të 8-të të mbretërimit të tij ose nga fillimi i vitit 620 p.e.s.
Tregimi i Danielit (1:1, 2) thotë se Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, shkoi në Jerusalem dhe e rrethoi e se Jehovai i dha në dorë Jehojakimin bashkë me një pjesë të pajisjeve të tempullit. Megjithatë, tregimi i 2 Mbretërve 24:10-15 përshkruan rrethimin e Jerusalemit nga babilonasit dhe thotë se biri i Jehojakimit, Jehojakini, që qëndroi në fron vetëm për tre muaj e dhjetë ditë, në fund kapitulloi dhe u dorëzua te babilonasit. Pra, duket se Jehojakimi vdiq gjatë rrethimit të qytetit, mbase që në fillim. Fjalët që tha Jehovai nëpërmjet Jeremisë (22:18, 19; 36:30) tregonin se Jehojakimi nuk do të kishte një varrim të denjë; trupi i tij do të braktisej jashtë portave të Jerusalemit, ditën në nxehtësinë e diellit e natën në ngricë. Nuk tregohet se si Jehojakimi ‘iu dha në dorë Nabukodonosorit’. (Dn 1:2) Ndoshta duhet marrë në kuptimin që ai vdiq gjatë rrethimit dhe të birit iu desh të shkonte rob, e kështu pasardhësit e Jehojakimit humbën mbretërinë nga dora e Nabukodonosorit. Nuk ka asnjë mënyrë për të vërtetuar traditën hebraike (të dokumentuar nga Jozefi) se Nabukodonosori e vrau Jehojakimin dhe urdhëroi që trupi i tij të hidhej jashtë mureve të Jerusalemit. (Antikitete judaike, X, 97 [vi, 3]) Sido që të ketë vdekur Jehojakimi, duket se vargonjtë prej bakri që kishte sjellë me vete Nabukodonosori për ta lidhur, nuk u përdorën siç ishte planifikuar.—2Kr 36:6.
Pas rrethimit të Jerusalemit gjatë ‘vitit të tretë’ të mbretërimit të Jehojakimit (si mbret vasal), Danielin dhe judenj të tjerë, ndër ta edhe fisnikë e pjesëtarë të familjes mbretërore, i morën në mërgim në Babiloni. Përderisa nuk përmendet ndonjë mërgim tjetër i mëparshëm në Babiloni, kjo duhet të ketë ndodhur gjatë periudhës së shkurtër kur mbretëroi Jehojakini, pasuesi i Jehojakimit.—2Mb 24:12-16; Jr 52:28.
Pas dorëzimit të Jehojakinit, birit të Jehojakimit, Nabukodonosori bëri mbret të Judës Zedekinë, xhaxhanë e Jehojakinit. (2Kr 36:9, 10) Kështu u përmbush profecia e Jeremisë që thoshte se Jehojakimi nuk do të kishte askënd që të ulej në fronin e Davidit. (Jr 36:30) Biri i Jehojakimit, Jehojakini, mbretëroi vetëm tre muaj e dhjetë ditë.