JERIKOJA
[ndoshta: qytet i hënës].
Qyteti i parë kananit në perëndim të Jordanit që pushtuan izraelitët. (Nu 22:1; Js 6:1, 24, 25) Është hedhur ideja se ndodhej në Tell-es-Sulltan (Tel-Jeriho), afro 22 km në lindje-verilindje të Jerusalemit. Vendndodhja e Jerikosë të shekullit të parë mendohet se ishte Tulul-Abu-el-ʽAlajiku aty pranë. Qyteti i Jerikosë gjendet në luginën e Jordanit, rreth 250 m nën nivelin e detit dhe ka klimë subtropikale. Sot në ato anë rriten portokalle, banane e fiq dhe, si në lashtësi, harlisen palmat.
Pushtimi i parë i Izraelit. Pasi u endën 40 vjet nëpër shkretëtirë, izraelitët mbërritën në rrafshinat e Moabit. Atje, përballë Jerikosë, Moisiu u ngjit në malin e Nebos dhe soditi Tokën e Premtuar, ku ishte edhe Jerikoja, ‘qyteti i palmave’, bashkë me luginën e saj.—Nu 36:13; Lp 32:49; 34:1-3.
Pas vdekjes së Moisiut, Josiu dërgoi në Jeriko dy zbulues. Ata i fshehu Rahaba, e kështu nuk i diktuan. Paskëtaj, ikën nga qyteti duke zbritur me litar nga dritarja e shtëpisë së saj, që ishte mbi murin e Jerikosë. Dy burrat u fshehën tri ditë aty pranë në rajonin malor, pastaj kaluan vaun e Jordanit dhe u kthyen në kampin izraelit.—Js 2:1-23.
Mbretit të Jerikosë dhe banorëve të saj duhet t’u ketë hyrë frika në palcë kur dëgjuan ose kur panë me sytë e tyre se, me anë të një mrekullie, ujërat e rrëmbyeshme të Jordanit u ndalën dhe izraelitët kaluan në tokë të thatë. Pas kësaj, edhe pse meshkujt izraelitë u rrethprenë dhe duhej të merrnin veten që të ishin në gjendje të mbroheshin, asnjë nuk guxoi t’i sulmonte në Gilgal. Pa i trazuar kush, izraelitët madje kremtuan Pashkën në rrafshinën e shkretë të Jerikosë.—Js 5:1-10.
Më vonë, afër Jerikosë, Josiut iu shfaq një princ engjëllor dhe i tregoi çfarë taktike duhej të ndiqnin për të marrë qytetin, që ishte krejtësisht i mbyllur nga frika e izraelitëve. Të bindur, forcat ushtarake izraelite, të ndjekura nga shtatë priftërinj që u binin pareshtur brirëve, nga priftërinjtë që mbanin Arkën e në fund nga praparoja, marshuan rreth Jerikosë një herë në ditë, për gjashtë ditë rresht. Por ditën e shtatë marshuan rreth qytetit shtatë herë. Në marshimin e fundit përqark Jerikosë, me të dëgjuar tingullin e brirëve, populli lëshoi një britmë të fortë për luftë dhe muret e qytetit zunë të rrafshoheshin.—Js 5:13–6:20.
Atëherë, izraelitët u turrën drejt Jerikosë dhe shfarosën banorët e gjithë kafshët shtëpiake. Kurse Rahabën tok me të afërmit, që ishin të sigurt në shtëpinë e saj mbi atë pjesë të murit që s’ishte shembur, i lanë gjallë, ngaqë ajo ishte treguar dashamirëse duke fshehur zbuluesit. Krejt qytetin e dogjën, ndërsa arin dhe argjendin i dorëzuan në shenjtëroren e Jehovait. (Js 6:20-25) Mirëpo, një izraelit, Akani, vodhi një shufër ari, ca argjend e një veshje të bukur dhe i fshehu nën tendën e tij. Kjo i solli vdekjen atij vetë dhe tërë familjes së tij.—Js 7:20-26.
Të dhëna historike të mëvonshme. Më pas, qyteti i shkatërruar i Jerikosë u bë pjesë e territorit të Beniaminit, në kufi me Efraimin dhe Manaseun. (Js 16:1, 7; 18:12, 21) Jo shumë kohë më pas, atje u formua njëfarë vendbanimi që e pushtoi Egloni, mbreti i Moabit, dhe mbeti nën sundimin e tij 18 vjet. (Gjy 3:12-30) Në kohën e mbretit David, Jerikoja ishte ende vend i banuar. (2Sa 10:5; 1Kr 19:5) Por, në të vërtetë Jerikoja u rindërtua vetëm gjatë mbretërimit të Akabit nga betheliti Hiel. Atëherë u plotësua mallkimi profetik që tha Josiu mbi 500 vjet më parë: Hieli humbi të parëlindurin, Abiramin, kur hodhi themelet dhe djalin e vogël, Segubin, kur vuri dyert e qytetit.—Js 6:26; 1Mb 16:34.
Në po atë periudhë, në Jeriko jetonin disa ‘bij të profetëve’. (2Mb 2:4, 5) Pasi Jehovai mori profetin Elija me anë një stuhie, Eliseu ndenji ca kohë në Jeriko dhe e bëri të mirë ujin që furnizonte qytetin. (2Mb 2:11-15, 19-22) Ujin e ʽAin-es-Sulltanit (sipas traditës, burimi i ujit që Eliseu e bëri të mirë) e kanë quajtur të ëmbël e që të kënaq dhe sot ai vadit kopshtet e Jerikosë.
Gjatë mbretërimit të Akazit të lig në Judë, Jehovai lejoi që Juda jobesnike të pësonte një disfatë poshtëruese para ushtrisë izraelite me në krye mbretin Pekah. U vranë 120.000 veta dhe 200.000 u zunë rob. Megjithatë, Obedi, profeti i Jehovait, u doli para fitimtarëve dhe i paralajmëroi të mos i kthenin robërit në skllevër. Kështu, pasi i veshën e u dhanë për të ngrënë, robërit i çuan në Jeriko dhe i lanë të lirë.—2Kr 28:6-15.
Më 607 p.e.s., pas rënies së Jerusalemit, mbreti Zedekia ia mbathi drejt Jerikosë, por babilonasit e arritën në rrafshinat e shkreta të Jerikosë dhe e zunë rob. (2Mb 25:5; Jr 39:5; 52:8) Pas mërgimit në Babiloni, mes atyre që u kthyen me Zorobabelin në vitin 537 p.e.s. ishin 345 ‘bij të Jerikosë’, që me sa duket u vendosën në qytetin e tyre. (Ezd 2:1, 2, 34; Ne 7:36) Më vonë, disa burra të Jerikosë ndihmuan në rindërtimin e murit të Jerusalemit.—Ne 3:2.
Nga fundi i vitit 32 dhe fillimi i vitit 33 të e.s., Jerikoja ishte ndër vendet ku kreu shërbimin Jezui. Afër këtij qyteti, Jezu Krishti i ktheu shikimin Bartimeut të verbër dhe shokut të tij. (Mr 10:46; Mt 20:29; Lu 18:35; shih BARTIMEU.) Po në Jeriko, Jezui takoi Zakeun dhe vajti mysafir në shtëpinë e tij. (Lu 19:1-7) Kohë më parë, në Jude, kur bëri ilustrimin për samaritanin e mirë, Jezui përmendi rrugën nga Jerusalemi për në Jeriko. (Lu 10:30) Dëshmitë e lashta historike tregojnë se në atë rrugë dilnin shpesh kusarë.
A kanë gjetur arkeologët dëshmi të shkatërrimit të Jerikosë në ditët e Josiut?
Profesor Xhon Garsteni, drejtues i një ekspedite angleze në Tell-es-Sulltan në vitet 1929-1936, pa se një nga qytetet që mendonte se ishte ndërtuar në atë vend, ishte djegur nga zjarre të mëdha dhe se muret kishin rënë. Sipas tij, ai qytet ishte Jerikoja e kohës së Josiut dhe shkatërrimi i saj datonte rreth vitit 1400 p.e.s. Edhe pse sot disa studiues i përkrahin ende përfundimet e Garstenit, të tjerë i interpretojnë ndryshe dëshmitë. Ja çfarë shkruan arkeologu G. Ernest Rajt: «Dy muret përqark pjesës së sipërme të qytetit të vjetër, që Garsteni . . . mendonte se u shkatërruan nga një tërmet dhe nga një zjarr në kohën e Josiut, u zbulua se datonin në mijëvjeçarin e 3-të dhe ishin vetëm dy nga rreth katërmbëdhjetë muret ose pjesët e mureve të ndërtuara njëra pas tjetrës në atë epokë.» (Biblical Archaeology, 1962, f. 79, 80) Shumë veta janë të mendimit se ka mbetur fare pak, në mos asgjë, nga Jerikoja e kohës së Josiut, pasi gërmimet më të hershme në atë vend kanë hequr ç’mund të kishte mbetur nga koha e shkatërrimit të saj. Profesor Xhek Finegani vëren: «Kështu, sot në atë vend nuk ka thuajse asnjë dëshmi që të na ndihmojë të përcaktojmë datën kur mund ta ketë pushtuar Josiu Jerikonë.»—Light From the Ancient Past, 1959, f. 159.
Për këtë arsye, studiues të shumtë e datojnë rënien e Jerikosë në bazë të dëshmive të tërthorta, dhe datat e sugjeruara kapin një periudhë prej afro 200 vjetësh. Para gjithë kësaj paqartësie, profesor Meril F. Angëri me të drejtë thotë: «Studiuesit duhet të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm që të mos i japin rëndësi të tepruar datimit dhe interpretimit të të dhënave nga arkeologët. Përcaktimi i datave dhe përfundimet e nxjerra nga gjetjet arkeologjike shpesh varen nga faktorë subjektivë, e për këtë japin prova të bollshme mospajtimet e mëdha mes ekspertëve të kësaj fushe.»—Archaeology and the Old Testament, 1964, f. 164.
Prandaj, nuk ka arsye për t’u shqetësuar nëse interpretimet e arkeologëve nuk pajtohen me kronologjinë biblike se viti 1473 p.e.s. ishte data e shkatërrimit të Jerikosë. Kontradiktat mes pikëpamjes së Garstenit dhe të arkeologëve të tjerë në lidhje me Jerikonë, tregojnë se duhet të bëjmë kujdes kur pranojmë dëshmitë arkeologjike, pavarësisht nëse ato duket se e mbështetin Biblën dhe kronologjinë e saj apo bien ndesh me të.
[Figura në botimin e shtypur]
Muret e Jerikosë së lashtë të zbuluara nga gërmimet