JEZEBELA
[nga gjuha fenikase që ndoshta do të thotë «ku është i larti [d.m.th. princi]?»].
1. Gruaja e Akabit, një mbreti të Izraelit në gjysmën e dytë të shekullit të 10-të p.e.s. Ajo ishte mbretëreshë tirane dhe përkrahëse e flaktë e baalizmit që shpërfilli krejtësisht adhurimin e Jehovait. Në këtë gjë ajo i ngjante të atit, Etbaalit, mbretit të Sidonit. Sipas Jozefit (Kundër Apionit, I, 116, 123 [18]), Menanderi, një historian i lashtë, thotë se ai ishte prift i Astartës (Ashtorethit) dhe e mori fronin duke vrarë mbretin e vet.—1Mb 16:30, 31.
Ka shumë të ngjarë që Akabi të jetë martuar me këtë princeshë pagane për arsye politike, pa marrë parasysh pasojat shkatërrimtare që do të sillte në planin fetar. Pas kësaj aleance ishte më se e arsyeshme të bënte hapin tjetër për t’i pëlqyer gruas së tij, një adhurueseje të devotshme të Baalit: të ndërtonte një tempull dhe një altar për Baalin, të ngrinte një ‘shtyllë të shenjtë’ në formë falike dhe të bashkohej me të në këtë adhurim idhujsh. Duke vepruar kështu, Akabi e fyeu Jehovain më shumë se të gjithë mbretërit e Izraelit para tij.—1Mb 16:32, 33.
E pakënaqur vetëm me miratimin zyrtar nga froni për kultin e Baalit, Jezebela bëri çmos ta shfaroste adhurimin e Jehovait nga vendi. Për këtë urdhëroi që të vriteshin të gjithë profetët e Jehovait, por Perëndia e lajmëroi Elijan që t’ia mbathte matanë Jordanit, dhe Abdia, kujdestari i pallatit, fshehu njëqind të tjerë nëpër shpella. (1Mb 17:1-3; 18:4, 13) Kohë më pas, Elija përsëri ia mbathi për të shpëtuar kokën kur Jezebela, me anë të lajmëtarit të vet, u betua se do ta vriste.—1Mb 19:1-4, 14.
Në vend kishte 450 profetë të Baalit dhe 400 profetë të shtyllës së shenjtë. Për të gjithë kujdesej Jezebela dhe i ushqente në tryezën e mbretit në kurriz të shtetit. (1Mb 18:19) Por me gjithë përpjekjet e saj këmbëngulëse për të zhdukur adhurimin e Jehovait, në fund Jehovai tregoi se ‘ata që nuk ishin përkulur në gjunjë para Baalit dhe nuk e kishin puthur atë’ ishin 7.000 veta.—1Mb 19:18.
Ajo që i bëri Jezebela Nabotit na tregon edhe më shumë për karakterin e lig të kësaj gruaje jashtëzakonisht egoiste, të paskrupull, arrogante e mizore. Kur Akabi filloi të ngrysej e të varte buzët ngaqë Naboti nuk ia shiti vreshtin që ishte trashëgimi e tij, kjo grua e ulët pa pikë turpi nuk respektoi kryesinë e të shoqit, por tha me arrogancë: «Vreshtin e Nabotit, jezrelitit, do të ta jap unë.» (1Mb 21:1-7) Fill pas kësaj nisi të shkruante letra, të nënshkruara e të vulosura në emër të Akabit. Me anë të tyre i urdhëronte pleqtë dhe fisnikët e qytetit të Nabotit të gjenin ca njerëz të pavlerë që ta akuzonin Nabotin në mënyrë të rreme se kishte mallkuar Perëndinë dhe mbretin, e pastaj ta nxirrnin jashtë për ta vrarë me gurë. Kështu, nga shtrembërimi i drejtësisë Naboti vdiq dhe Akabi mori vreshtin e tij e filloi ta kthente në kopsht perimesh.—1Mb 21:8-16.
Për këtë shpërfillje të hapur të drejtësisë, Jehovai dekretoi shfarosjen e Akabit dhe të pasardhësve të tij, duke thënë: «As edhe një nuk është treguar si Akabi, të cilin e ndërseu Jezebela, e shoqja. Ai e shiti veten për të bërë atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait.» Gjykimi i Jehovait kundër Jezebelës ishte: «Jezebelën do ta hanë qentë.»—1Mb 21:17-26.
Kaloi ca kohë dhe Akabi vdiq. Në fron e pasoi fillimisht Ahaziahu, djali që pati me Jezebelën, i cili mbretëroi dy vjet, e pastaj një djalë tjetër i saj, Jehorami, që mbretëroi për 12 vjet derisa dinastia e Akabit mori fund plotësisht. (1Mb 22:40, 51-53; 2Mb 1:17; 3:1) Gjatë mbretërimit të bijve të saj, Jezebela, tashmë në rolin e nënës mbretëreshë, vazhdoi ta ndotte vendin me kurvëritë dhe shtrigëritë e saj. (2Mb 9:22) Ndikimi i saj u ndie edhe në Judë, në jug, ku e bija, Atalia e ligë, e martuar me mbretin e Judës, vazhdoi me frymën e Jezebelës edhe gjashtë vite të tjera pas vdekjes të së ëmës.—2Mb 8:16-18, 25-27; 2Kr 22:2, 3; 24:7.
Kur mori vesh se Jehu kishte vrarë mbretin Jehoram, të birin, dhe ishte nisur për në Jezreel, Jezebela u pispillos dhe doli në një dritare nga ku shihej oborri i pallatit. Që atje e përshëndeti me sarkazëm fitimtarin për hyrjen e tij ngadhënjimtare: «A i shkoi gjithçka mirë Zimrit, vrasësit të zotërisë së tij?» Ka të ngjarë që këto fjalë të ishin një kërcënim i kamufluar, pasi Zimri, pas vrasjes së mbretit të tij dhe marrjes së fronit, duke e parë veten në rrezik, u vetëvra shtatë ditë më vonë.—2Mb 9:30, 31; 1Mb 16:10, 15, 18.
Pas kësaj pritjeje armiqësore, Jehu tha: «Kush është me mua? Kush?» Sapo dy a tre zyrtarë oborri shikuan nga ai, Jehu urdhëroi: «Hidheni poshtë!» Ngaqë ra me forcë, gjaku i saj spërkati murin e kuajt, dhe trupin ia shkelën, ka shumë të ngjarë kuajt. Pak më pas, kur disa burra vajtën ta varrosnin këtë «bijë mbreti», panë se qentë e rrugëve tashmë e kishin përlarë, ashtu si kishte parathënë «Jehovai me anë të shërbëtorit të tij Elija»; i kishin lënë vetëm kafkën, këmbët dhe pëllëmbët e duarve, si dëshmi se të gjitha ato që thotë Jehovai ndodhin.—2Mb 9:32-37.
2. ‘Gruaja’ nga kongregacioni i Tiatirës që e quante veten profeteshë. Pa dyshim, atë duhet ta kenë quajtur Jezebelë, për shkak se kishte një sjellje të ligë njësoj si gruaja e Akabit. Përveçse mësonte fenë e rreme dhe mashtronte shumë të krishterë që të kryenin kurvëri dhe të praktikonin idhujtarinë, kjo ‘grua’ me kryeneçësi nuk donte të pendohej. Për këtë arsye «Biri i Perëndisë» tha se do ta hidhte në një shtrat lëngatash, kurse fëmijët e saj do t’i vriste, për të treguar se secili merr atë që meriton.—Zb 2:18-23.