JOKEBEDA
[ndoshta: Jehovai është lavdi].
Vajza e Levit që u martua me Amramin nga i njëjti fis dhe u bë nëna e Miriamit, Aaronit dhe Moisiut. (Da 6:20; Nu 26:59) Jokebeda ishte një grua me besim; ajo besonte te Jehovai, Perëndia i saj. Nuk iu bind dekretit të faraonit dhe nuk lejoi të vritej foshnja e saj, që më vonë u quajt Moisi. Pas tre muajsh, meqenëse nuk e mbante dot më të fshehur në shtëpi, e futi në një arkë papirusi dhe e vuri mes kallamave buzë lumit Nil. Foshnjën e gjeti e bija e faraonit, e cila donte ta mbante vetë, por, siç vajtën gjërat, Moisiun e mëndi nëna e tij e vërtetë. Ndërkohë që Moisiu rritej, Jokebeda dhe i shoqi u mësuan me zell fëmijëve parimet e adhurimit të pastër, siç e pasqyron edhe jeta e tyre më vonë.—Da 2:1-10.
Sipas tekstit masoretik, Jokebeda ishte motra e Kehathit, babait të Amramit; domethënë, Amrami u martua me hallën e tij, gjë që asokohe nuk ishte e paligjshme. (Da 6:18, 20) Megjithatë, duke u bazuar në atë që thotë Septuaginta greke, disa studiues mendojnë se Jokebeda ishte kushërira e Amramit dhe jo halla; këtë e mbështet edhe Peshita siriake dhe traditat judaike. Për shembull, te Dalja 6:20 thuhet pjesërisht: «Jokabeda, vajza e vëllait të babait të tij.» (LXX, Bagster) «Amrami mori vajzën e xhaxhait të tij, Jokhaberen.» (La) «Kur u martua, Amrami mori kushërirën e tij, Jokabadën.» (Fn) «Amrami u martua me një të afërmen e tij që quhej Jokabeda.» (Kx) Në versionin e Rotherhamit, një shënim te shprehja «motra e babait të tij» thotë: «Ka të ngjarë thjesht një femër nga familja e të atit.» Në një vepër të tij, Tomas Skoti shkruan: «Sipas Septuagintës dhe traditave judaike Jokebeda ishte kushërira, jo halla e Amramit.» (Explanatory Notes, 1832) «Kritikët më me emër mendojnë se Jokebeda ishte kushërirë e parë e Amramit dhe jo halla e tij.» (Commentary, nga Klarku) Kur Numrat 26:59 thotë se Jokebeda ishte «e bija e Levit», mund ta ketë fjalën për «mbesë», njësoj si në shumë vargje të tjera në Shkrime ku «bir» përdoret për të treguar «nip». F. Fentoni komenton në përkthimin e tij se shprehja «i lindi Levit» në të njëjtin varg, «në të folurit hebraik, nuk nënkupton Levit personalisht, por thjesht një pasardhësi të fisit të tij. Duke u nisur nga hendeku kohor është e pamundur që ajo të ketë qenë e bija e Levit».
Nga ana tjetër, nëse Dalja 6:20 në tekstin masoretik është e saktë, Jokebeda ishte halla e Amramit dhe jo kushërira e tij. Nëse e marrim për të mirëqenë se i ati i Jokebedës ishte Levi, atëherë nëna e saj duhet të ketë qenë më e re se nëna e Kehathit. Në këtë rast, Jokebeda, megjithëse motër e Kehathit nga babai, do të kishte qenë halla e Amramit.