JOSIU
[formë e shkurtuar e emrit Jehosi që do të thotë «Jehovai është shpëtim»].
1. Biri i Nunit; një efraimit që i shërbeu Moisiut dhe më vonë u emërua pasues i tij. (Da 33:11; Lp 34:9; Js 1:1, 2) Shkrimet e portretizojnë Josiun si një prijës guximtar e sypatrembur, si një njeri që ishte i bindur për sigurinë e premtimeve të Jehovait, i bindur ndaj drejtimit të Perëndisë dhe i vendosur për t’i shërbyer Jehovait me besnikëri. Emri i tij ishte Hoshea, por Moisiu e quajti Josi ose Jehosi. (Nu 13:8, 16) Megjithatë, tregimi biblik nuk e thotë se kur Hoshea filloi të thirrej Josi.
Drejton luftën kundër amalekitëve. Në vitin 1513 p.e.s., pak pasi shpëtuan me anë të një mrekullie nga duart e ushtrisë egjiptiane në Detin e Kuq, izraelitët që fushonin në Refidim, u sulmuan nga amalekitët pa asnjë lloj provokimi. Asokohe, Josiu u emërua nga Moisiu si komandant në luftën kundër amalekitëve. Nën drejtimin e aftë të Josiut dhe me ndihmën e Perëndisë, izraelitët i mundën armiqtë. Më pas, Jehovai dekretoi që amalekitët të shfaroseshin përfundimisht dhe e urdhëroi Moisiun që ta shkruante këtë dekret e t’ia përcillte Josiut.—Da 17:8-16.
Ndihmës i Moisiut. Më vonë, si ndihmës i Moisiut, ka të ngjarë që Josiu të ketë qenë mes 70 pleqve që patën privilegjin të shihnin lavdinë e Jehovait në një vegim madhështor në malin e Sinait. Më pas, Josiu e shoqëroi Moisiun një copë rrugë për t’u ngjitur në malin e Sinait, por me sa duket nuk hyri në mes të resë, pasi vetëm Moisiu ishte urdhëruar të hynte. (Da 24:9-18) Ai dhe Moisiu qëndruan atje 40 ditë e 40 net. Në fund të kësaj periudhe, kur po zbrisnin nga mali, Josiu dhe Moisiu dëgjuan një zhurmë, e cila Josiut iu duk si «një zhurmë beteje», por në fakt ishte kënga e adhurimit idhujtar të viçit. Pa dyshim, ai u indinjua njësoj si Moisiu kur pa viçin prej ari dhe ndoshta ndihmoi për ta shkatërruar.—Da 32:15-20.
Duke u përfshirë në adhurimin e viçit, izraelitët thyen besëlidhjen solemne që kishin bërë me Perëndinë Jehova. Kjo mund ta ketë shtyrë Moisiun që ta zhvendoste tendën e tij (‘tendën e takimit’) jashtë zonës ku fushonte populli, pasi Jehovai ende nuk e kishte falur për mëkatin dhe për këtë arsye nuk ishte më mes Izraelit. Sa herë që Moisiu kthehej në kamp, Josiu qëndronte te tenda e takimit, mbase që të mos i linte izraelitët, të cilët ishin të papastër, të futeshin atje.—Da 33:7-11; 34:9.
Kohë më vonë, kur për shkak të murmuritjeve të popullit, Moisiu u shpreh se pesha që kishte, ishte shumë e rëndë, Jehovai i tha të zgjidhte 70 pleq që ta ndihmonin. Pleqtë e zgjedhur duhej të shkonin te tenda e takimit. Mirëpo dy prej tyre, Eldadi dhe Medadi, qëndruan në kamp, pa dyshim për një arsye të vlefshme. Kur fryma e Perëndisë filloi të vepronte te 68 burrat e mbledhur në tendën e takimit, edhe Eldadi me Medadin filluan të vepronin si profetë në kamp. Këtë lajm ia çuan menjëherë Moisiut. Atëherë, Josiu, xheloz për zotërinë e tij, i kërkoi Moisiut t’i ndalonte. Përderisa Eldadi dhe Medadi, me sa duket e kishin marrë frymën pa ndërmjetësimin e Moisiut, Josiu mund të ketë menduar se kjo ia ulte autoritetin zotërisë së tij. Por Moisiu e qortoi Josiun me fjalët: «Unë do të doja që tërë populli i Jehovait të ishin profetë, pasi Jehovai do ta vinte frymën e tij mbi ta!»—Nu 11:10-29; krahaso Mr 9:38, 39.
Shkon si zbulues në Tokën e Premtuar. Pak kohë më vonë, izraelitët e ngritën kampin në shkretëtirën e Paranit. Nga atje, Moisiu dërgoi 12 burra që të vëzhgonin Tokën e Premtuar, mes të cilëve edhe Josiun (Hoshenë ose Jehosiun). Dyzet ditë më vonë, Josiu dhe Kalebi ishin të vetmit që sollën lajme të mira. Dhjetë zbuluesit e tjerë e shkurajuan popullin duke thënë se s’kishte të ngjarë t’i mundte banorët e fuqishëm të Kanaanit. Për pasojë, në kamp shpërthyen murmuritjet në shenjë rebelimi. Josiu dhe Kalebi shqyen rrobat dhe, duke u përpjekur t’ia hiqnin frikën popullit, e këshilluan të mos rebelohej. Mirëpo fjalët e tyre të guximshme, që pasqyronin besim të plotë tek aftësia e Jehovait për të përmbushur fjalën e tij, nuk vlejtën për asgjë. Në fakt, «tërë asambleja foli për t’i vrarë me gurë».—Nu 13:2, 3, 8, 16, Nu 13:25–14:10.
Për këtë rebelim, Jehovai i dënoi izraelitët të endeshin 40 vjet në shkretëtirë, derisa të vdisnin të gjithë meshkujt e regjistruar nga 20 vjeç e lart (pa përfshirë levitët, që nuk llogariteshin me izraelitët e tjerë për shërbim ushtarak; Nu 1:2, 3, 47). Nga burrat e regjistruar, vetëm Josiu dhe Kalebi do të hynin në Tokën e Premtuar, kurse dhjetë zbuluesit jobesnikë do të vdisnin nga një plagë që do të dërgonte Jehovai.—Nu 14:27-38; krahaso Nu 26:65; 32:11, 12.
Emërohet pasues i Moisiut. Aty nga fundi i endjes së Izraelit nëpër shkretëtirë, edhe Moisiu me Aaronin e humbën privilegjin për të hyrë në Tokën e Premtuar, pasi nuk e shenjtëruan Jehovain kur nxori ujë në Kadesh me anë të një mrekullie. (Nu 20:1-13) Prandaj, Jehovai e urdhëroi Moisiun të emëronte Josiun si pasuesin e tij. Kështu Moisiu vuri duart mbi Josiun në prani të kryepriftit të sapoemëruar, Eleazarit, birit të Aaronit, dhe para asamblesë së Izraelit. Megjithëse u emërua pasues i Moisiut, Josiu nuk do të mund të fliste me Jehovain «sy për sy» si ai. Josiut nuk iu dha gjithë lavdia e Moisiut, por vetëm aq sa i nevojitej që të gëzonte respektin e kombit. Në vend që të komunikonte me Jehovain drejtpërdrejt ose si të thuash «sy për sy» si Moisiu, Josiu duhej të këshillohej me kryepriftin, të cilit i ishin besuar Urimi dhe Thumimi, nëpërmjet të cilëve do të sigurohej për vullnetin e Perëndisë.—Nu 27:18-23; Lp 1:37, 38; 31:3; 34:9, 10.
Në përputhje me atë që i urdhëroi Perëndia, Moisiu i dha Josiut disa udhëzime dhe inkurajim që ta kryente detyrën me besnikëri. (Lp 3:21, 22, 28; 31:7, 8) Në fund, kur po i afrohej koha e vdekjes, Moisiu duhej të zinte vend bashkë me Josiun në tendën e takimit. Atëherë, Jehovai ia ngarkoi detyrën Josiut, duke konfirmuar emërimin e mëparshëm të tij kur Moisiu vuri duart mbi të. (Lp 31:14, 15, 23) Më pas, Josiu kontribuoi në njëfarë mënyre për të hedhur me shkrim këngën për të cilën Perëndia frymëzoi Moisiun dhe për t’ua mësuar izraelitëve.—Lp 31:19; 32:44.
Aktiviteti i tij si pasues i Moisiut. Pas vdekjes së Moisiut, Josiu u përgatit të hynte në Tokën e Premtuar. Ai dërgoi të parët e popullit që t’i udhëzonin izraelitët se si të përgatiteshin për të kaluar Jordanin pas tri ditësh; u kujtoi gaditëve, rubenitëve dhe gjysmës së fisit të Manaseut detyrimin që kishin për të bërë pjesën e tyre në pushtimin e gjithë vendit; dhe dërgoi dy zbulues në Jeriko e në rrethinat e saj.—Js 1:1–2:1.
Pasi u kthyen dy zbuluesit, izraelitët ikën nga Shitimi dhe e ngritën kampin afër lumit Jordan. Të nesërmen Jehovai ndali me anë të një mrekullie rrjedhën e Jordanit që Izraeli të kalonte në tokë të thatë. Në kujtim të kësaj ngjarjeje, Josiu vuri 12 gurë në mes të shtratit të lumit dhe 12 të tjerë në Gilgal, që ishte vendi i parë ku fushoi Izraeli pasi kaloi në anën perëndimore të Jordanit. Gjithashtu, ai bëri thika stralli për të rrethprerë të gjithë meshkujt izraelitë që kishin lindur në shkretëtirë. Kështu, rreth katër ditë më vonë, ata ishin në gjendje për të kremtuar Pashkën.—Js 2:23–5:11.
Më vonë, kur ishte afër Jerikosë, Josiu takoi një princ engjëllor, i cili i dha udhëzime për taktikën që duhej të ndiqnin për të shtënë në dorë qytetin. Ai ndoqi udhëzimet e tij dhe pasi e shkatërroi Jerikonë e gjithçka që ishte në të, tha një mallkim profetik kundër atij që do ta rindërtonte në të ardhmen, mallkim që u përmbush më shumë se 500 vjet më vonë. (Js 5:13–6:26; 1Mb 16:34) Më pas, ai u sul kundër qytetit të Ait. Në fillim, ushtria izraelite e përbërë nga rreth 3.000 burra pësoi disfatë, sepse nuk kishte ndihmën e Jehovait për shkak të mosbindjes së Akanit, i cili kishte marrë për vete plaçkë nga Jerikoja. Pasi Izraeli vrau me gurë Akanin dhe shtëpinë e tij për këtë mëkat, Josiu ngriti një pritë kundër Ait dhe e ktheu qytetin në një pirg gërmadhash.—Js 7:1–8:29.
Pikërisht në këtë kohë, gjithë kongregacioni i Izraelit, me gra, fëmijë dhe të ardhur, iu afrua malit të Ebalit. Rrëzë malit Josiu ndërtoi një altar sipas udhëzimeve të hollësishme të përcaktuara në Ligj. Ndërsa gjysma e kongregacionit qëndronte në këmbë të malit të Gerizimit dhe gjysma tjetër në këmbë të malit të Ebalit, Josiu lexoi «fjalët e ligjit, bekimet dhe mallkimet». «Nga të gjitha ato që urdhëroi Moisiu, Josiu nuk la pa lexuar me zë as edhe një fjalë.»—Js 8:30-35.
Pasi u kthyen në kampin e tyre në Gilgal, Josiu dhe prijësit e Izraelit patën një vizitë nga disa lajmëtarë nga Gibeoni. Meqë e kishin kuptuar se Jehovai ishte në anën e izraelitëve, gibeonitët arritën me dredhi të bënin një besëlidhje paqeje me Josiun. Mirëpo, kur e vërteta doli në shesh, Josiu i ktheu në skllevër. Lajmi për atë që kishin bërë gibeonitët i shkoi Adon-Zedekut, mbretit të Jerusalemit. Kështu, me katër mbretër të tjerë kananitë, ai u sul kundër tyre për t’i ndëshkuar. Josiu iu përgjigj thirrjes së gibeonitëve për ndihmë dhe u nis nga Gilgali duke marshuar gjithë natën. Jehovai luftoi për Izraelin që u kishte dalë në mbrojtje gibeonitëve, duke treguar kështu që nuk ishte kundër besëlidhjes që kishin bërë me ta. Me anë të një mrekullie Jehovai dërgoi një stuhi breshri që vrau më shumë armiq sesa vetë beteja. Madje, Jehovai e dëgjoi zërin e Josiut, i cili i kërkoi të zgjaste ditën për të përfunduar betejën.—Js 9:3–10:14.
Pas kësaj fitoreje të dhënë nga Perëndia, Josiu shtiu në dorë edhe Makedahun, Libnahun, Lakishin, Eglonin, Hebronin dhe Debirin, duke thyer fuqinë kananite në jug të vendit. Më pas, mbretërit kananitë në veri, me në krye Jabinin, mbretin e Hazorit, mobilizuan forcat e tyre ushtarake për të luftuar kundër Izraelit pranë ujërave të Meromit. Megjithëse i duhej të përballej me kuaj e karroca, Perëndia e nxiti Josiun të mos mpakej nga frika. Jehovai u dha përsëri fitore izraelitëve. Josiu u preu dejet kuajve dhe dogji karrocat e armiqve siç kishte marrë urdhër. Hazorit i vuri zjarrin. (Js 10:16–11:23) Kështu, brenda rreth gjashtë vjetëve, (krahaso Nu 10:11; 13:2, 6; 14:34-38; Js 14:6-10), Josiu mundi 31 mbretër dhe shtiu në dorë një pjesë të mirë të Tokës së Premtuar.—Js 12:7-24; HARTA, vëll. 1, f. 737 në botimin anglisht.
Tani, pas gjithë këtyre, kishte ardhur koha që të ndahej vendi mes fiseve. Fillimisht kjo u bë nga Gilgali nën mbikëqyrjen e Josiut, kryepriftit Eleazar dhe dhjetë përfaqësuesve të tjerë të emëruar nga Perëndia. (Js 13:7; 14:1, 2, 6; Nu 34:17-29) Pasi tabernakulli u zhvendos në Shiloh, ndarja e tokës me short vazhdoi që atje. (Js 18:1, 8-10) Vetë Josiu mori qytetin e Timnat-Serahut në rajonin malor të Efraimit.—Js 19:49, 50.
Porositë e fundit për izraelitët dhe vdekja. Aty nga fundi i jetës së tij, Josiu mblodhi pleqtë e Izraelit, krerët, gjykatësit dhe të parët e popullit për t’i porositur që t’i shërbenin Jehovait me besnikëri dhe për t’i paralajmëruar për pasojat e mosbindjes. (Js 23:1-16) Gjithashtu, mblodhi gjithë kongregacionin e Izraelit dhe përshkroi me pak fjalë çfarë kishte bërë Jehovai në të shkuarën me paraardhësit e tyre e me kombin dhe i bëri thirrje t’i shërbente Jehovait me fjalët: «E në qoftë gjë e keqe në sytë tuaj t’i shërbeni Jehovait, zgjidhni sot kujt do t’i shërbeni: o perëndive, të cilave u shërbyen paraardhësit tuaj matanë Lumit, o perëndive të amoritëve, në vendin e të cilëve po banoni. Por sa për mua dhe për shtëpinë time, ne do t’i shërbejmë Jehovait.» (Js 24:1-15) Pas kësaj, izraelitët përtërinë besëlidhjen që kishin bërë me Jehovain për t’iu bindur.—Js 24:16-28.
Josiu vdiq në moshën 110-vjeçare dhe e varrosën në Timnat-Serah. Ndikimi i mirë që pati besnikëria e tij e patundur duket nga fakti që «Izraeli i shërbeu Jehovait gjatë gjithë kohës që ishte gjallë Josiu dhe pleqtë që jetuan pas Josiut».—Js 24:29-31; Gjy 2:7-9.
2. Pronari i një are në Beth-Shemesh, ku u ndal fillimisht Arka e shenjtë dhe u nxor para të gjithëve pasi e kthyen filistinët.—1Sa 6:14, 18.
3. Kreu i qytetit të Jerusalemit në kohën e mbretit Josia. Duket se vendet e larta që përdoreshin për adhurimin e rremë gjendeshin afër banesës së Josiut, por Josia i rrafshoi.—2Mb 23:8.
4. Biri i Jehozadakut; kryeprifti i parë që u shërbeu izraelitëve të kthyer në atdhe pas mërgimit në Babiloni. (Hg 1:1, 12, 14; 2:2-4; Za 3:1-9; 6:11) Në librat biblikë të Ezdrës dhe të Nehemisë, ai quhet Jeshua.—Shih JESHUAI nr. 4.