SHKRETËTIRA E JUDËS
Shpati lindor djerrë i maleve të Judës, që në përgjithësi është i pabanuar. (Gjy 1:16) Ky rajon i shkretë, me gjerësi rreth 16 deri në 24 km, nis pak më në lindje të Malit të Ullinjve dhe shtrihet afro 80 km përgjatë bregut perëndimor të Detit të Vdekur. Përbëhet kryesisht nga kodra të shkreta e të valëzuara prej guri gëlqeror të butë, të cilat përshkohen nga lugina përrenjsh e gryka. (FIGURA, vëll. 1, f. 335 në botimin anglisht) Duke zbritur përgjatë Detit të Vdekur, kodrat e valëzuara ia lënë vendin kanioneve shkëmbore dhe kundrejt detit ngrihet një mur shkëmbinjsh thepa-thepa. Kjo shkretëtirë, që për 24 km zbret rreth 1.200 m, është e mbrojtur nga erërat perëndimore të cilat sjellin shi, prandaj reshjet janë të pakta. Njëherazi ajo është në mëshirë të erërave të thata që fryjnë nga lindja. Gjithsesi, kur bie shi, uji rrjedh rrëmbyeshëm nëpër luginat e thata të përrenjve dhe për pak javë gjatë stinës së shirave, në shkretëtirë mbin një bimësi e paktë.
Davidi, i cili iku në shkretëtirën e Judës për t’i shpëtuar Saulit, e përshkroi atë vend si «një tokë të thatë e të zhuritur, ku nuk ka ujë». (Ps 63:Mbishk., 1) Në zemër të këtij rajoni të shkretë nuk buron asnjë lumë a përrua dhe nuk kalon asnjë rrjedhë uji. Në kontrast me këtë, përroi që dilte nga tempulli i vegimit të Ezekielit, rridhte përmes kësaj shkretëtire dhe u jepte jetë pemëve të shumta në brigjet e tij.—Ezk 47:1-10.
Pa dyshim që në Ditën vjetore të Shlyerjes, ‘cjapi si azazel’ dërgohej nga tempulli i Jerusalemit në shkretëtirën e pabanuar të Judës. (Le 16:21, 22) Në shekullin e parë të e.s., Gjon Pagëzori e nisi shërbimin në një pjesë të këtij rajoni në veri të Detit të Vdekur. (Mt 3:1-6) Me sa duket, Djalli e tundoi Krishtin Jezu diku në këtë shkretëtirë.—Mt 4:1.