VESHKAT
Çift organesh në fund të shpinës që filtrojnë papastërtitë e gjakut. Në lidhje me fjalën hebraike ĥelajóhth (veshkat), Xh. N. Osvaldi shkroi: «Kur përdoret në kuptimin e figurshëm, ky term u referohet aspekteve më të thella të personalitetit.» (Theological Wordbook of the Old Testament, nga R. Laird Harisi, 1980, vëll. 1, f. 440; krahaso Ps 7:9, shën., NW.) Kjo vlen edhe për fjalën greke nefroí (veshkat).—Zb 2:23, shën., NW.
Si të gjitha organet e tjera të trupit, edhe veshkat i projektoi Krijuesi, Perëndia Jehova. (Ps 139:13) Te kafshët e veçuara për flijim, dhjami që vishte veshkat konsiderohej si pjesë e zgjedhur dhe ishte saktësuar se, në flijimet në bashkësi (Le 3:10, 11; 9:19, 20), në blatimet për mëkatin (Le 4:8, 9; 8:14, 16; 9:10) dhe në blatimet për fajin (Le 7:1, 4), ai duhej djegur në altar bashkë me veshkat. Kur u bë emërimi priftëror, veshkat e dashit të emërimit në fillim u tundën e më pas u dogjën mbi altar. (Da 29:22, 24, 25; Le 8:25, 27, 28) Duke iu referuar këtij kuptimi të pjesës së zgjedhur, Moisiu tha se Jehovai e ushqente popullin e tij, Izraelin, me «majën e grurit që është si dhjami i veshkave».—Lp 32:14.
Meqenëse ndodhen thellë në brendësi të trupit, veshkat janë ndër organet që arrihen më me vështirësi. Ja pse Bibla e përdor këtë term për të paraqitur mendimet dhe ndjenjat më të thella të njeriut. Si në kuptimin e mirëfilltë, ashtu edhe në atë të figurshëm, një plagë në veshka do të ishte shumë e thellë. (Jb 16:13; Ps 73:21; Va 3:13) Në disa raste, veshkat lidhen ngushtë me zemrën, e cila paraqet në mënyrë të figurshme gjithë personin e brendshëm.—Jr 11:20; 17:10; 20:12; shih ZEMRA.
Krijuesi ynë e njeh natyrën e njeriut në mënyrën më të plotë e më të thellë. Prandaj thuhet se Jehovai heton «zemrën dhe veshkat», e po ashtu Biri i tij shqyrton «veshkat dhe zemrat». (Ps 7:9; Zb 2:23) Ashtu siç rafinohet argjendi, Jehovai mund ‘të rafinojë’ veshkat dhe zemrën e një personi, që ai të bëhet i drejtë para Jehovait dhe më i ndjeshëm ndaj udhëve të tij.—Ps 26:2; 66:10.
Te Psalmi 16:7, Davidi shkroi: «Unë do të bekoj Jehovain, që më këshilloi. Edhe natën veshkat e mia më ndreqën.» Si adhurues i Perëndisë së vërtetë, këshillat e Jehovait kishin depërtuar deri në skutat më të thella të personalitetit të Davidit. Ato kishin zënë rrënjë aq thellë, sa ai i krahasoi me «veshkat», prandaj mund të thuhej se veshkat e ndreqën Davidin.
Fjala e Perëndisë, edhe pse mund të jetë në buzët e të ligjve, nuk depërton në aspektet më të thella të personalitetit të tyre. Prandaj Jeremia 12:2 thotë për të ligjtë: «Ata kanë lëshuar rrënjë, përparojnë e madje japin fryt. Ata të kanë në gojë, por larg veshkave.» I njëjti mendim për zemrën e të ligjve shprehet edhe tek Isaia 29:13, varg që më pas Jezui e citoi te Mateu 15:7, 8. Kjo tregon se në disa raste «zemra» dhe «veshkat» kanë të njëjtin kuptim.