GOJA
Organ i krijuar nga Perëndia për të marrë ushqimin e për ta përgatitur për stomakun; te njeriu shërben edhe për të folur. Çdo fjalë që del nga goja duhet ta lëvdojë Atë. (Ps 34:1; 51:15; 71:8; 145:21) Psalmisti tha se çdo gjë që merr frymë do të lëvdojë Jehovain. Pra, për këtë duhet ta përdorin njerëzit gojën, nëse duan të jetojnë. Apostulli Pavël shpjegon se besimi te Perëndia dhe Biri i tij, edhe po të jetë me gjithë zemër, nuk mjafton. Për të arritur shpëtimin, duhet bërë publikisht edhe shpallja e besimit.—Ps 150:6; Ro 10:10.
Në harmoni me qëllimin, të drejtën dhe autoritetin e tij si Krijues, Jehovai mund të vërë fjalët e duhura në gojën e shërbëtorit të tij. Në rastin e profetëve, ai e bëri këtë me anë të një mrekullie, duke i frymëzuar. (Da 4:11, 12, 15; Jr 1:9) Madje, në një rast, ai bëri të fliste një kafshë e pagojë, një gomaricë. (Nu 22:28, 30; 2Pj 2:15, 16) Sot, shërbëtorët e Perëndisë mund t’i kenë fjalët e Tij në gojë, jo nga frymëzimi, por nga Fjala e shkruar e frymëzuar, e cila i pajis plotësisht për çdo vepër të mirë. (2Ti 3:16, 17) Ata s’kanë pse të presin më Krishtin që të vijë e t’u sjellë lajmin e mirë dhe as u duhet të shkojnë te ndonjë burim tjetër për të ditur çfarë të predikojnë. Fjala është tamam përpara tyre, gati që ta shprehin, pasi u është thënë: «Fjala është pranë teje, në gojën dhe në zemrën tënde.»—Ro 10:6-9; Lp 30:11-14.
Mund të sjellë jetë ose vdekje. Pra, është jetësore që goja të përdoret mirë, dhe pikërisht këtë thotë Jehovai. Në Fjalë e tij thuhet: «Burim jete është goja e të drejtit.» (Pr 10:11) Kështu, goja duhet ruajtur me shumë kujdes (Ps 141:3; Pr 13:3; 21:23), sepse përdorimi i pamend i saj mund t’i sjellë rrënimin të zotit. (Pr 10:14; 18:7) Perëndia do t’i kërkojë llogari kujtdo për çdo fjalë që nxjerr nga goja. (Mt 12:36, 37) Një njeri mund të flasë pa menduar e të marrë një zotim të nxituar. (Ek 5:4-6) Mund t’i bëjë lajka dikujt, duke i shkaktuar atij rrënimin e duke i sjellë vetes dënimin. (Pr 26:28) Është veçanërisht e rëndësishme që një shërbëtor i Perëndisë të ruajë gojën para të ligjve, sepse edhe shmangia më e vogël nga drejtimi që i jep mençuria e Perëndisë, mund t’i sjellë sharje emrit të Tij dhe vdekje atij vetë. (Ps 39:1) Jezui ishte një shembull i shkëlqyer i nënshtrimit ndaj vullnetit të Perëndisë pa u ankuar dhe pa ua kthyer me të njëjtën monedhë kundërshtarëve të ligj.—Is 53:7; Ve 8:32; 1Pj 2:23.
Çdo i krishterë duhet të jetë vazhdimisht syçelë, sepse është i papërsosur. Për këtë arsye, ai duhet të ruajë zemrën. Jezui tha se njeriun nuk e ndot ajo që hyn në gojë, por ajo që del nga goja, sepse «goja flet nga mbushullia e zemrës». (Mt 12:34; 15:11) Pra, duhet të tregojë kujdes që të mos nxjerrë nga goja asgjë të nxituar, pa menduar për pasojat. Kjo kërkon që të përdorë mendjen për të zbatuar gjërat e mira që mëson nga Fjala e Perëndisë.—Pr 13:3; 21:23.
Përderisa goja ka shumë fuqi, si për të mirë, edhe për të keq, kur drejtohet nga Jehovai, rezultatet janë shumë të mira. Ai e bëri gojën e Isaisë «si një shpatë të mprehtë» dhe fjalët e Jeremisë «si një zjarr». Jehovai i mbështeti fjalët e tyre profetike me fuqinë e tij, dhe ato u plotësuan. (Is 49:2; Jr 5:14) Nga ana tjetër, është e rrezikshme të dëgjosh atë që del nga goja e një njeriu që njihet si apostat; kjo mund të çojë në rrënim.—Pr 11:9.
Përdorimi i figurshëm. Në Shkrime, Perëndia e përshkruan veten në mënyrë simbolike sikur ka gojë. Ai nuk ka thënë asnjë fjalë pa qëllim ose kot. Fjalët e tij do të përmbushen deri në hollësitë më të vogla. (Is 55:10, 11) Prandaj, ata që duan jetën duhet të jetojnë me çdo fjalë që del nga goja e tij. (Lp 8:3; Mt 4:4) Kur ishte në tokë, Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, e përputhi tërë jetën me fjalët e Atit e tani i është dhënë autoritet mbi gjithë universin. Si Mbret i emëruar nga Jehovai, ai do ta godasë tokën me «thuprën e gojës së tij». (Is 11:4) Në vegimin e Zbulesës, ai paraqitet duke i goditur kombet me një shpatë të gjatë që del nga goja e tij. (Zb 19:15, 21) Kjo figurë letrare tregon autoritetin që do të ushtrojë ai në krye të të gjitha ushtrive qiellore të Jehovait, ndërsa organizon e drejton betejën për ekzekutimin e armiqve të Perëndisë.
«Goja» shpesh përdoret si sinonim i të folurit ose i fuqisë që ka fjala, siç mund të shihet në disa nga rastet e përmendura më lart. Sipas rregullit që ndiqej në Ligjin e Moisiut, e që ndjek edhe kongregacioni i krishterë, fajësia e një njeriu në një çështje gjyqësore mund të përcaktohej vetëm «me dëshminë [fjalë për fjalë «gojën»] e dy ose tre dëshmitarëve. (Lp 17:6, shën., NW; Mt 18:16; krahaso 2Ko 13:1.) Shembuj të tjerë të një përdorimi të ngjashëm gjenden te Jobi 32:5; Psalmi 10:7; 55:21; 78:36; Ezekieli 24:27; 29:21; Luka 21:15; Romakëve 15:6.
Veç këtyre, në hebraisht fjala «gojë» mund të tregojë grykën e diçkaje, për shembull të një pusi (krahaso Zn 29:2), të një torbe (krahaso Zn 43:12; 44:1, 2), të një shpelle (Js 10:22) ose hapjen e tokës (Nu 16:32), si dhe aftësinë e tokës për të thithur lëngjet që derdhen në të (Zn 4:11). Sheoli, varri i gjithë njerëzimit, thuhet se ka një gojë të madhe që të gëlltitë shumë të vdekur.—Is 5:14.
Qiellza. Qiellza është pjesa e sipërme e gojës që ndan zgavrën e gojës nga kanalet e hundës; ajo është një pjesë e butë që formon një perde mes gojës dhe faringut. Në disa raste, në Shkrime fjala «qiellzë» përdoret si sinonim i fjalës «gojë».—Pr 8:7, NW; Ho 8:1, shën., NW.
Si Jobi, edhe Elihu e krahasuan aftësinë e njeriut për të gjykuar atë që është e drejtë dhe e mençur me aftësinë e qiellzës për të dalluar shijet. (Jb 12:11; 34:3) Qiellza me puprritë e shijes luan vërtet rol në shijimin e ushqimit. Kjo mund të vihet re kur vëzhgohet funksioni i qiellzës në gëlltitje. Gjuha e shtyp ushqimin pas qiellzës dhe e shtyn drejt faringut, kanal në formë konike që të çon drejt stomakut dhe ka lidhje me kanalet e hundës. Kjo bën që të përhapen më mirë aromat e ushqimit nëpër kanalet e hundës, të cilat ndihmojnë mjaft në perceptimin e asaj që zakonisht quhet shije.